​AKSION POLICOR NË TRI RAJONE TË KOSOVËS, 6 TË ARRESTUAR PËR DROGË

188

Policia e Kosovës gjatë aksioneve të ndara sot në rajonin e Prishtinës, Pejës e Gjilanit ka arrestuar gjashtë persona, dhe ka konfiskuar mbi 45 kilogramë drogë.

Operacioni i parë është realizuar, rreth orës 15:00, në magjistralen Prishtinë-Gjilan, afër fshatit Hajvali, ku është ndaluar një automjet i tipit Golf 7, me targa vendore, në bagazhin e të cilit janë gjetur tri çanta me gjithsej nëntë paketime me substancë të dyshuar narkotike.

Pas verifikimit dhe matjeve nga policia ka rezultuar se substanca ishte e llojit marihuanë dhe peshonte 26.3 kilogramë. Droga është sekuestruar dhe bashkë me të si prova materiale janë konfiskuar automjeti dhe dy celularë.

Në koordinim me prokurorin kompetent, është iniciuar rasti dhe personi i dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë për proceduar të mëtejme ligjore

Operacioni i dytë, po ashtu sot është realizuar në koordinim me stacionin policor në Klinë, rajoni i Pejës, ku gjatë verifikim dhe kontrollit të dy personave, në një automjet janë gjetur dhe sekuestruar sasi e dyshuar e substancës narkotike.

Gjatë kontrollit më në detaje, drogë e llojit marihuanë ka rezultuar të jetë fshehur edhe nën plastikën e ventilimit mbi motor të automjetit ne peshë mbi 500 gramë. Si dëshmi janë konfiskuar edhe një thikë, dy pako rizlla dhe para të gatshme, përderisa dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme.

Operacioni i tretë i antidrogës së Policisë së Kosovës, i koduar me emrin “Trekëndëshi”, sot ka vënë nën pranga tre persona të dyshuar, dy shtetas kosovar dhe një shtetas shqiptar në Gjilan.

Ky operacion ka rezultuar me konfiskimin e rreth 19 kilogramëve drogë, e cila është gjetur në automjetin e njërit nga të dyshuarit. Si dëshmi janë sekuestruar edhe dy automjete, 958 euro dhe 2700 lekë.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorin dhe gjykatën themelore në Gjilan, përderisa tre të dyshuarve iu caktohet masa e ndalimit policor.