​KOSOVA E DANIMARKA NËNSHKRUAJNË DY LETËR-QËLLIME

192

Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar sot dy letër-qëllime, njëri për dhënien në shfrytëzim të një institucioni korrektues, si dhe tjetra për investime në energjinë e ripërtëritshme dhe për bashkëpunim politikë.

Kjo marrëveshje është nënshkruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me homologët e tyre, Nick Haekkerup ministër i Drejtësisë dhe Flemming Moller Morteensen, ministër i Bashkëpunimit zhvillimor.

Pas nënshkrimit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se gatishmëria e Danimarkës për këtë marrëveshje dëshmon përparimin që Kosova ka bërë në respektimin e të drejtave të njeriut.

“Ne sapo nënshkruan letër-qëllimet e përbashkëta, Republika e Kosovës është vlerësuar si palë serioze për transferimin e të dënuarve nga Danimarka në Kosovë. Gatishmëria e Danimarkës dëshmon përparimin që vendi ynë ka bërë në respektimin e të drejtave të njeriut, kështu MD ka rënë dakord që t’i ofroj qendrën korrektuese në Gjilan për vendosjen e të burgosurve”, tha ajo.

Haxhiu tha se ende nuk është përcaktuar nacionaliteti i të burgosurve që do të vijnë në Kosovë për të vuajtur dënimin.

Nick Haekkerup, ministër i Drejtësisë në Danimarkë, tha se me këtë marrëveshje do të përfitojnë të dyja palët.

“Sapo nënshkruam një letër qëllimi, ne e shohim si një gurthemel për marrëveshjet e ardhshme. Është një marrëveshje që do të përfitojmë të dyja palët. Shërbimi korrektues i Danimarkës është i mbingarkuar. E kemi kontaktuar para një viti qeverinë e Kosovës. Kjo marrëveshje do të zgjidh një masë të madhe me të cilat përballemi ne në vendin tonë.

Ai tha se kanë kontaktuar disa vende për këtë marrëveshje, por që shtoi se Kosova ka qenë vendi i parë që ka reaguar pozitivisht.

Sa i përkëtë marrëveshjes për investime në energjinë e ripërtëritshme dhe për bashkëpunim politikë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kjo marrëveshje hap rrugën për bashkëpunim më të madh në mes dy vendeve.

“Sektori i energjisë përballet me sfida të ndryshme dhe kjo kriza na ka treguar brishtësinë. Duhet të kemi diversifikim të burimeve të energjisë elektrike. Në strategjinë tonë të energjisë diversifikimi i burimeve të energjisë janë ndër qëllimet kryesore, dhe dekabornizimi. Për ne si shtet ky do të jetë sfidues. Të kemi shtetin e Danimarkës në këtë tranzicion do të jetë shumë mirë për Kosovën. Kjo marrëveshje e hap rrugën për një bashkëpunim edhe më të madh”, tha ajo.

Flemming Moller Morteensen, ministër i Bashkëpunimit Zhvillimor, tha se kjo marrëveshje është tejet e rëndësishme për të dyja vendet.

“Sot kemi ndërmarrë një hap shumë të rëndësishëm për bashkëpunimin mes dy vendeve. Do të punojmë së bashku në energjinë e gjelbër. Jam i lumtur që Danimarka mund të mbështesë Kosovën. Aktualisht e shohim ndikimin e çmimeve të larta të energjisë, duke pasur pasoja të rënda ekonomike”, tha ai.