​NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR ZBATIMIN E ABETARES SË PËRBASHKËT

112

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, kanë nënshkruar sot marrëveshje për zbatimin e Abetares së përbashkët.

Iniciativa për një Abetare të përbashkët nisi në mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive që u mbajt në Elbasan, e që tashmë po synohet që në vitin shkollor 2022/2023 të hyjë në përdorim Abetarja e përbashkët.

Me këtë rast, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se presin që Abetarja e re e përbashkët të hyjë në përdorim me fillimin e vitit të ri shkollor.

Nagavci tha se bashkëpunimi në mes dy shteteve në fushën e arsimit është tejet i rëndësishëm, për çka tha se janë të përkushtuar që të kenë edhe bashkëpunime të tjera.

“Të vetëdijshëm se bashkëpunimi në fushën e arsimit, të sportit, të kulturës, që janë në menaxhimin dhe kompetencat e ministrive që ne drejtojmë janë më shumë sesa domosdoshmëri. Jemi të përkushtuara dhe plotësisht të angazhuara që të kemi aktivitete konkrete të përbashkëta të cilat përfshijnë edhe në rastin konkret dhe më të afërt Abetaren tonë të përbashkët. Por, edhe aktivitete të shumta të edukimit, përfshirë garat e ndryshme të përbashkëta të nxënësve tanë, aktivitete të përbashkëta për zhvillimin profesional të mësimdhënësve, bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë, të kulturës e kështu me radhë. Ishte kënaqësi për ne të shohim që në Republikën e Shqipërisë u mor vendimi për përdorimin e një Abetare unike dhe jemi të lumtur që kjo Abetare do të përdoret e njëjta nga të gjithë fëmijët në të dy vendet, nga të gjithë vogëlushët shqiptarët pa marrë parasysh ku ata jetojnë”, tha ajo.

Ndërsa, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, Evis Kushi, u shpreh e lumtur që në vizitën e saj zyrtare në Kosovë në këtë pozicion po e nënshkruan këtë marrëveshje për Abetaren e përbashkët.

Kushi tha se në kushtet në të cilat janë të dyja vendet një Abetare e përbashkët është shumë e nevojshme.

“I vlerësoj të gjitha eksperienca e mëparshme edhe për Abetaret ekzistuese, por në kushtet e reja në të cilat ndodhemi jemi të bindur që një Abetare e re e përbashkët unike është mese e nevojshme. Jemi në një kontekst të ri social, kulturor, kemi një kurrikulë të re të bazuar në kompetenca, kemi gjithashtu zhvillime të metodave të mësimdhënies, kemi zhvillime të teknologjisë dhe të revolucionit digjital. Që të gjitha janë argumente, janë arsye që na qojnë drejtë hartimit të një Abetare të re të përbashkët unike shumë herë më të mirë se të gjitha Abetaret ekzistuese të deritanishme…Është përgjegjësi e jona e përbashkët që të garantojmë një konkurs të hapur, transparent, të barabartë që vogëlushët shqiptarë vitin e ardhshëm, në vitin shkollor 2022/2023 si dhuratë edhe për 110 vjetorin e pavarësisë të kenë Abetaren e re unike të përbashkët. Nuk ka më mirë sesa një komb, një gjuhë, një Abetare”, tha ajo.

E para e Arsimit të Shqipërisë, tha se të dyja vendet kanë një bashkëpunim shumë të mirë, ku përmendi marrëveshjen që kanë nënshkruar në Elbasan për lehtësimin e procedurave për njohjen e diplomave dhe bashkëpunimin për librin e Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare për diasporën.

Ministret Nagavci dhe Kushi do të marrin pjesë në koncertin e shkollave të muzikës nga të dyja vendet, që do të mbahet në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë.