ANDUELA SHKËMBI: Për aq kohë sa jemi gjallë, le të shpresojmë për një vit më të mirë!

491

Për aq kohë sa jemi gjallë, le të shpresojmë për një vit më të mirë!

Viti me 12 muaj dhe 365 ditë i ngjason një libri me 12 kapituj dhe 365 faqe. Ne jemi autori, firma dhe vula për çdo fjalë të shkruar. 

Viti që po mbyllet, po lë pas një kalvar të gjatë mundimesh, sfidash për njeriun; mosrealizime qëllimesh, ëndrrat që vazhdojnë ende në sirtar, turbullira plot dallgë në detin e jetës, tronditje sa andej-këtej.

Na ka ndodhur të zihemi me dhimbjen, me trishtimin; të kacafytemi me pikëllimin, frikën dhe errësirën. 

Megjithatë, të gjitha këto, e të tjera plot, tregojnë se njeriun nuk e fikin lehtë, as mikrobet, as sulmet e jashtme të panjohura, as flokëbardha pleqëri, edhe pse lundrojnë të gjitha bashkë si mallkim. 

Ajo që të fik është vetmia, individualizmi, mungesa e solidaritetit, gjuha vulgare dhe qëndrimi fodull ndaj tjetrit. 

Po, po, këto ta vrasin zemrën në heshtje, si pa e kuptuar.

Si t’u shpëtojmë thonjve të dinakërisë?!

Të përpiqemi që të krijojmë historitë më të bukura për veten tonë, fragmente jete të kompozuara me dashuri, mirënjohje, copëza me vlera njerëzore. Të ndërtojmë një botë më të mirë, jo të mbetemi thjesht në konturet virtuale apo abstrakte, me ngjyra të ftohta, me njerëz dimri, pa pigment lëkure. Të mos dashurohemi pas ekraneve apo pasqyrës, por të shkojmë përtej këtij xhami, të ndërtojmë realitetin, konkreten me ngjyrat e shpirtit, një dorë të zgjatet për të ndihmuar tjetrën, të kuptojmë dashurinë për njëri-tjetrin, të dakordësohemi e të mos shkatërrohemi nga marrëzia. 

Ky është çelësi i evolucionit.

Ky vit, ky libër, kjo jetë duhet mbushur jo vetëm me ilustrime, imazhe të akullta, me abstraksione, por me fije zëri, që lindin me dashuri nga buzët e ngrohta, me ndjenja të vërteta. Meritojmë më të  mirën për jetën tonë, për botën ku frymojmë, për hir të brezave që do të pasojnë.

Ashtu si Dielli që bën udhën e tij për të ndërtuar kupën e floririt, le ta lejojmë të na ngrohë dhe të na qëndisë zemrat me fije ari.

Të manifestojmë 2022 si vitin e stolisur me bekime dhe bukuritë e natyrës, si simboli efikas i ndjenjave tona.

Anduela Shkembi