BANORËT E KROIT TË VITAKUT NË TERR QË 7 DITË, KURSE SERBËT NË DRITË

184

Kjo është situata e furnizimit me energji elektrike në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës. Banorët e Kroit të Vitakut në veri të Mitrovicës kanë më shumë se një javë që s’kanë rrymë dhe për ta nuk bën zgjidhje askush.

 E njëjta situatë është edhe të hënën ku shtëpitë e tyre janë në terr. Situata është ndryshe në lagjet e banuara me serbë. Ato janë përballë atyre të shqiptarëve e të cilat edhe gjatë ditës janë të ndezura, bashkë edhe me dritat festive.

Problemi është në këtë trafo nga e cila kjo lagje e banuar me shqiptarë furnizohet me rrymë. Por, sipas banorëve, ajo është dëmtuar dhe askush nuk është marrë me rregullimin e saj. Banorët ankohen se një situatë e njëjtë nuk do të ndodhte tek fqinjët e tyre serbë. “Problemi është pse nje prishje ose dicka që bëhet në pjesën veriore brenda 5 minutave serbtë e rregullojnë rrymen, kurse neve qe shtatë ditë na kanë lënë pa rrymë”, thotë Naser Avdiu banor i Kroi i Vitakut. Në mungesë të rrymës, banorët shqiptarë të Kroit të Vitakut përballen edhe me probleme të tjera sikurse rasti i një lehone e cila nuk ka pasur mundësi të ngrohet. “Ne e kemi rastin pardje ka lindur një grua këtu, është dashur ta marrin atë grua me dërgu të miqtë, te vllaznia e vetë, kemi probleme nëse nuk reagon qeveria, ne do t’i lëshojmë shtëpitë”, thotë Naseri.

Ushqimet që kanë rezervuar për festat e fund vitit, atyre tashmë u janë prishur. “Jeten e ka vështirësu, banorët janë pa punë kanë konservu sene nëpër friza të gjitha është dashur me i hudhë, njerëzit janë të pa punë, këtu duhet me marrë dikush përgjegjësinë”, thotë një banor i lagjes. Banorët e kanë nënshkruar edhe një peticion që ua kanë dërguar institucioneve kompetente duke kërkuar riparimin e trafos së dëmtuar. Megjithatë deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Me problemin e mungesës së rrymës po ballafaqohen edhe banorët e lagjes Suhadoll. RTK ka kontaktuar zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, në lidhje me këtë rast, por ai tha se kompania të cilën e përfaqëson nuk është përgjegjëse për atë zonë. Reporter: Venhar Isufi