BERISHA: BASHA KTHEU SELINË E PD-SË NË BUNKERIN E TIJ PRIVAT

115

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike i kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se “PD ka lindur si shtëpi e lirisë dhe e tillë do të vijojë të mbetet, kurse Lulzim Pengu së bashku me pengmarrësin e tij, do kenë fatin e atyre që bunkerizuan Shqipërinë”.

“Deputeti Lulzim Brava e nisi Vitin e Ri me avazin e vjetër të izolimit. Pasi izoloi veten nga 4446 delegatë dhe 43 385 anëtarë që firmosën shkarkimin e tij, ai ka vendosur në prag të protestës paqësore të demokratëve ta kthejë shtëpinë e tyre në bunkerin e vetmisë dhe pazareve të tij. Kështu, në një akt turpi dhe paniku të denjë vetëm për një apartcik të marre peng, ai ndërron brava dhe po vendos dyer të blinduara për të shndërruar shtëpinë e demokratëve, selinë e Partisë Demokratike, në bunkerin e tij privat”, thuhet në deklaratë.

Me këtë rast, vijon deklarata, “i kujtojmë Lulzim Bravës që mendon se me dyer dhe brava do të mposhtë shumicën dhe pluralizmin në Shqipëri se ata që shembën regjimin më gjakatar në ‘90 nuk do të lejojnë kurrë asnjë derë, bravë, hekur apo shul, të mbajë peng vullnetin e tyre te shprehur përmes votës së lirë”. /atsh