Gjakimi i një dialogu televiziv

1130

Tony Jeton Selimi sot është autor e orator i njohur, specialist i  udhëheqjes, trajner i biznesit dhe mbi të gjitha mjeshtër i mirësjelljes njerëzore. Këto vlera, ky mërgimtar shqiptar në Angli përfaqëson shkëlqyeshëm dhe për to është i kërkuar në gjithë botën. Ndërkaq përbrenda hapësirës shqiptare, Jetoni është nga të paktët autorë që përgjithëson më se miri këto tri domene të lartpërmendura. Tony, përveç shkollimit në vendlindje ka mbaruar edhe shkollim universitar anglez në njërin nga fakultetet më të forta për  inxhinieri. Në qendra botërore të lidershipit, biznesit e meditacionit është specializuar, kurse në shumë institucione të ndryshme kulturore ndërkombëtare ka ligjëruar. Në Londër ka botuar tri vepra, aktualisht është në përfundim edhe të librit të  katërt. Si asnjë autoritet tjetër i kalibrit të vet veprues e komunikues, është intervistuar nga qendra të mëdha televizive në Europë e Amerikë. Tony Jeton Selimi  ka këshilluar personalitete të politikës ndërkombëtare, udhëheqës të mëdhenj të kompanive ekonomike, autoritete të botës televizive dhe filmike.  

Kujtesë origjine

Në thjerrëz drite, pergamena me jetëshkrimin e tij lexohet këndshëm, si himn interesant për jetën e veprën e një njeriu modest. Në njërën anë  të kësaj pergamene ravijëzohet bukur veprimtaria e suksesshme e tij, kurse në anën tjetër, si në një gravurë të moçme, lexohet saga e mundimshme e ngritjes njerëzore që nis pesëdhjetë vjet më parë në Gostivarin e tij të lindjes. Është sagë e dhembshme që rrëfen rrugën plot mundim të rritjes së djalit shqiptar në kushte të  vështira politike, ekonomike e sociale të kohës.  Toni, si fëmijë përjetoi edhe neverinë e përdhunimit, si ushtar përjetoi edhe luftën në ish Jugosllavi, si i rritur vuajti edhe  lëndimin që i shkaktoi  bullizmi në shoqërinë e kohës. Dhe kur mori botën në sy, ai qau çdo ditë rrugëve të Londrës, shtroi çdo natë pyetjen kruciale: “si do t’ia dalë në këtë botë, pa gjuhë, pa leje qëndrim, pa punë e pa para”. Duke lexuar biografinë e tij, pyesja vetën, si arrinte vallë ky djalë mërgimtar  që nga ajo pozitë aq e ulët ekzistenciale, të shihte aq lartë në horizont ardhmërinë e tij plot sukses? Shkurt, Tony  jetoi të kaluar të vuajtur por, vuajtjen kurrë s´e  pa si fat të tij. Si i fliste fati dikur, si i dëftonte të ardhmen, është çështje me vete. Sepse fati gjithmonë na flet, na shfaqet herë dukshëm e herë mjegullueshëm në horizont. Në Londër ai  punoi gjithçka dhe mësoi shumëçka. Në këtë  ishull mbretëror, që ka skanuar prej shekujsh një botë të terë për databazën e vet, kish mësuar se në këtë jetë, mërgimtarë jemi të gjithë, se identiteti nuk zhduket dot nëse mbi të nuk shlyejmë me gomë me vetëdije ose pa të, vijat e drejta e pezhishkat e holla të origjinës. Prandaj thotë Tony, se fëmijët e shumtë shqiptarë që sot jetojnë kudo në botë, kanë të gjitha mundësitë (dhe të gjitha vështirësitë) për t´i realizuar ëndrrat e tyre. Mjafton të mos kufizohen padrejtësisht, të mësohen të duan diturinë dhe të kujtohen për origjinën.

Vepra e veprimtari

Jeton Selimi ka shkruar veprat: “A Path to Wisdom”, “Loneliness”, “Fit for Purpose Leadership” dhe “The Unfakeable Code”. Deri më tash asnjëra prej tyre nuk është përkthyer në shqip, paçka se veprat e puna e këtij  shqiptari konsiderohen bestseller ndërkombëtar.  Tony na shtron këtë pyetje të thjeshtë të gjithëve: çfarë do të ndryshojmë në jetën tonë personale dhe profesionale nëse do të arrinim që me qartësi mendimi dhe qartësi zemre të përmirësojmë psikologjinë tonë? Udhëheqësit e suksesshëm ndjekin vizionet dhe ëndrrat e tyre- thotë ai. Ata avancohen duke punuar me trajnerë e mentorë  të mirë dhe jetojnë vetëdijshëm për atë që mendojnë ta bëjnë e të bëhen. Tony Jeton  Selimi është  drejtues i njohur, specialist i sjelljes njerëzore dhe mjeshtër i udhëheqjes biznesore. Për këto shkathtësi ai kërkohet nga mega sipërmarrës, shkencëtarë, mjekë, familje mbretërore, yje kinematografie dhe politikanë të mirënjohur. Toni udhëton nëpër botë për të ligjëruar Metodën e tij unike TJS Evolutionary: ALARM®, një formulë kjo e modernizuar për arritjen e niveleve më domethënëse të shëndetit, pasurisë dhe profesionit. Puna e tij është prezantuar edhe në filma e dokumentarë, si bie fjala në “Jetoj iluzionin tim” që fitoi shumë çmime ndërkombëtare në Amazon Prime. Shumë gazeta dhe revista kanë botuar artikujt e tij. Tony  është prezantuar në mbi 300 stacione radiotelevizive në të gjithë botën, kësaj radhe edhe në televizionin e vetëm të shqiptarëve në Suedi AlbSe.  Ai ka folur në skena madhështore si në selinë e Kombeve të  Bashkuara, Rotary International, Cranfield School of Management, festivalet ndërkombëtare të Filmit, London Business Show etj. Ligjërata e tij për TEDx Armageddon Teknologjik është një thirrje drejtuar njerëzimit, për të adresuar sfidat ardhshme me të cilat do të përballemi në të ardhmen me rritjen e inteligjencës artificiale. Tony është gjithmonë i gatshëm për t ‘na  bërë të gjithëve të ndjehemi të ngritur, të frymëzuar dhe të vlerësuar.

Teksa përgatitesha për bisedën me zotin Selimi, kuptova se ai ishte nga ata njerëz që ndjehet shumë mirënjohës ndaj gjithë atyre që e ndihmuan. “Mosmirënjohja është veprimi më i keq që mund të bëjë njeriu”-thotë Selimi .  Prandaj për ta mbyllur emisionin dhe  shkrimin tim solla ndërmend fjalët e Viktor Hygos: “Jeta është një piano, ti je pianisti i saj”. Jeton Tony Selimi është përpjekur sinqerisht dhe me punën e sjelljen e tij ka krijuar melodinë më të bukur të jetës. Një jetë që do të shërbejë përgjithmonë si shembull i mirë.

Qerim Kryeziu