GJYKATA SPECIALE: NASIM HARADINAJ PRITET TË DËSHMOJË MË 11 JANAR 2022

132

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle, përmes platformës online “Zoom”, ka thënë se Nasim Haradinaj pritet që të dëshmojë me 11 janar 2022.

Gjatë konferencës për medie të mbajtur të enjten, Doyle ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Doyle ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave në Dhomat e Specializuara të Kosovës u mbajtën seanca për tri çështje gjyqësore.

Ai tha se në çështjen gjyqësore Salih Mustafa, në fillim të javës, trupi gjykues ka dëgjuar dëshmitarin e thirrur nga prokurori i specializuar, i cili dëshmoi me masa mbrojtëse, ku përfshihet ndryshimi i zërit, fytyrës dhe përdorimi i një pseudonimi.

“Dëshmitari pothuajse gjithë dëshminë e dha në seancë private, për shkak të natyrës identifikuese të dëshmisë. Ky dëshmitar dha shkurtimisht dëshmi në seancë të hapur lidhur me zhvarrosjen e një kufome në Zllash”, ka thënë ai.

Sipas tij, seancat gjyqësore për këtë çështje do të rifillojnë më 18 janar me dëshminë e dëshmitarit W04485, të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Sa i përket çështjes gjyqësore ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ai tha se javën e kaluar paraqiti provat e veta mbrojtja e Gucatit.

“Dëshmitari i parë që u thirr ishte vetë i akuzuari, i cili dëshmoi për tri ditë. Trupi Gjykues dëgjoi dëshmitë e pesë dëshmitarëve të tjerë që janë anëtarë të Organizatës të Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe gazetarë. Këtë javë për këtë çështje gjyqësore u mbajt vetëm një seancë ditën e mërkurën, më 15 dhjetor”, ka thënë ai.

Tutje, bëri të ditur se trupi gjykues autorizoi mbrojtjen e Gucatit t’u drejtonte pyetje shtesë dy dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria në muajt tetor dhe nëntor.

“Pyetjet e mbrojtjes lidheshin vetëm me materialin që iu dha mbrojtjes pas mbylljes së paraqitjes së provave nga prokuroria. Pyetjet nga mbrojtja u bënë në seancë private për të mbrojtur identitetin e dëshmitarëve dhe sigurinë e informacionit”, ka thënë Doyle.

Gjithashtu, tha se në të njëjtën seancë, mbrojtja e Haradinajt hapi çështjen e vet si dhe bëri deklaratën hyrëse.

“Mbrojtja e Haradinajt do të fillojë me paraqitjen e provave më 11 janar 2022, pasi avokatët e z. Haradinaj kërkuan shtyrje për shkak të sëmundjes së mbrojtësit. trupi gjykues theksoi se kjo sëmundje nuk është arsye, në vetvete, për të shtyrë procesin gjyqësor”, tha ai.

Sipas tij, megjithatë trupi gjykues mori parasysh vështirësitë e bashkëmbrojtësit për të komunikuar me të akuzuarin, në mungesë të mbrojtësit, dhe e ka shtyrë nisjen e paraqitjes së provave në çështjen Haradinaj për në 11 janar, kur pritet të dëshmojë Haradinaj.

Ai bëri të ditur se ditën e mërkurë u mbajt konferenca e nëntë për ecurinë e çështjes gjyqësore në çështjen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

“Temat për diskutim përfshinin një mori pikash lidhur me nxjerrjen e provave prej Prokurorisë për Mbrojtjen, përkthimin e listës paraprake të dëshmitarëve, ecurinë e hetimeve dhe parashtrimin e protokolluar të dosjes paraprake të Prokurorit të Specializuar”, ka thënë Doyle.

Gjithashtu, tha se më 10 dhjetor, gjykatësi i procedurës paraprake nxori vendimin e dytë për pjesëmarrjen e viktimave në këtë çështje, ku pranoi 11 viktima të tjera për të marrë pjesë në proces dhe vendosi për masat mbrojtëse lidhur me këto viktima pjesëmarrëse.

“Viktimat në fjalë do të përfshihen në Grupin 1 ekzistues të viktimave pjesëmarrëse dhe do të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës i viktimave”, bëri të ditur ai.

Në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ai tha se gjykatësi i procedurës paraprake dje nxori një vendim ku pranoi një viktimë për pjesëmarrje në procesin gjyqësor dhe se udhëzoi Administratoren të caktojë mbrojtësin e viktimave brenda 28 janarit 2022.

Sipas tij, është e rëndësishme të theksohet se në të gjitha çështjet gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës, mbetet i hapur procesi i parashtrimit të kërkesave të viktimave për pjesëmarrje në proceset gjyqësore.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.