Iku në amshim mërgimtari model Dr Shaqir Shaqiri

884

Dje, më 15 nëntor 2020 ndërroi jetë Dr. Shaqir Shaqiri, personaliteti më i kultivuar e më kompletuar i mërgatës shqiptare në Skandinavi. Jetoi plot 73 vite, stolisur me arsim, kulturë, diplomaci e atdhedashuri.  Si gjithë shqiptarët përherë në luftë, por si ai i vetmi, i kulluar në përpjekje, i paqmë në veprime e anticipues në parashikime. Shaqiri pati krijuar modelin individual  në qëndresën tonë kolektive kundër diktaturave e elaborateve sllave që patën cak zhdukjen tonë.

Shaqir Shaqiri studioi në Universitetin e Prishtinës gjuhë e letërsi anglo amerikane.  Magjistroi në vitin 1977 në temën “Shekspiri në përkthimet bashkëkohore shqipe” dhe doktoroi në vitin 1980 në temën “Edit Durhami dhe Shqiptarët”. Ishte djalë i ri kur gjuha e letërsia angleze u bë ëndërr e tij, ishte fare i ri kur nisi të shkruaj e të flas në një anglishte fine. Ishte po gjuha angleze që e bënte të qëndronte, ishte kjo gjuhë me të cilën informonte gjithë botën për hallin tonë. Si krijues i ri, për model veprimi zgjodhi Shekspirin e vjetër, si studiues kureshtar e përpiu figura shumë humane anglezes mike zonjës Edit Durham. Devotshmëria e Durhamit për shqiptarët nuk e la të qetë derisa i kushtoi një doktoratë. Shaqiri shqiptar, këto dy figura lapidare të kulturës europiane që për atdhe kishin Britaninë, i pati udhërrëfyes në rrugëtimin e vet kulturor intelektual . Një kohë punoi profesor në Gjakovë e Prishtinë e pastaj pushteti okupator e ndoqi dhe e arrestoi. Intelektualit shqiptar në Prishtinë (si shumë të tjerëve) i dhanë burgun, në vend të auditoriumit, i vunë prangat në vend të lapsit.

Shaqir Shaqiri ka përkthyer nga shqipja në anglisht dhe nga anglishtja në shqip. Mes tjerave rreth 200 poezi të përzgjedhura angleze. Në fondin e letërsisë shqipe të përkthyer shkëlqejnë pesë antologjitë me poezitë e romantikëve të mëdhenj anglezë J.G Byron, P.B Shell, Johan Keats, W. Wordsworth  dhe S.T Colleridge, pastaj tregimet e Heminguejt e esetë Graham Greenit.    

Nga shqipja në anglisht ka përkthyer bukur poezinë e poetëve shqiptarë të Kosovës në antologjinë e titulluar “The Sad Branch” kurse për Televizionin e Prishtinës (të para luftës) edhe shumë dokumentarë e filma artistik. Për Entin e Teksteve Shkollore të Kosovës ka përkthyer nga anglishtja edhe shumë vepra shkollore.  Shaqiri e ka lexuar dhe e ka interpretuar bukur letërsinë tonë, ka shkruar dhe ka botuar për të. Bashkë me intelektualët tjerë shqiptarë të kohës ka mbajtur të fortë jetën kulturore, diskursin politik, narracionin substancial kombëtar dhe synimin përherë aktual të kohës për ta informuar botën me problemin e pazgjidhur të shqiptarëve në ish Jugosllavi.

Në vitet 90-të, në periudhën e organizimeve politike të shqiptarëve në Kosovë, ishte anëtar i kryesisë së parë të LDK-së dhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë. Ishte edhe anëtar i kryesisë së KLMDNJ, i Sindikatave të Pavarura, kryetar i parë i Shoqatës së Miqësisë Shqiptaro-Amerikane, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, themelues i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe pas daljes në ekzil në Stockholm të Suedisë udhëheqës i Zyrës së Kosovës për Skandinavi. Kur krisi lufta në Kosovë u bë zëdhënës i UҪK-së.

Në Suedi, Shaqir Shaqiri kaloi pjesën tjetër të jetës, derisa dje më 15 nëntor e përmbylli qetësisht, pas një lufte me sëmundjen. Asnjë përpjekje liridashëse, luftarake, paqësore e kulturore e shqiptarëve në Skandinavi nuk mund të shpjegohet pa emrin e tij. Pa emrin e diplomatit plot arsye, pa shkëlqimin e intelektualit plot dije, pa kokën e njeriut plot mend, plot afri e urtësi shqiptare. 

Shaqiri vdiq, gjithsesi me shumë ëndrra të realizuar, ëndrra për të cilat ishte i gatshëm për t´u sakrifikuar. Në Suedi, shqiptarët e tij të shumtë, do ta kujtojnë përjetësisht si burrin që s´linte derë diplomacie pa hapur, si djalin që s´linte shqiptarë pa ofruar dhe si informatorin më efektiv që botës ia bëri të njohura shqetësimet e Kosovës.

Kosovës i iku ai burrë që me personalitetin e vet i la testament brezave modelin e shqiptarit intelektual, përherë të përgjëruar për Atdheun. Modelin e shqiptarit mërgimtar, para së gjithash  për ne pasardhësit e tij që sot e për mot do të jetojmë në Suedi.  

Qerim Kryeziu