KAFEXHIU: NË KËTË KUVEND NUK FITOI OPOZITA POR ZURI VEND DEMOKRACIA

94

Në mbledhjen e rregullt të thirrur për të zgjedhur kryesuesin e Kuvendit Komunal të Rahovecit në asnjërin raund Defrim Kafexhiu nga Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti t’i sigurojë votat për këtë pozitë. Pas këtij dështimi, Kafexhiu në raundin e dytë të një mbledhjeje urgjente, arriti t’i marr 16 vota duke u zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal të Rahovecit.

E kryesuesi i dy mbledhjeve të sotme, Rasim Fazliu njoftoi se Kafexhiu me shumicën e votave është zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal të Rahovecit. 

“Konstatojmë se me shumicë të këtij Kuvendi është zgjedhur Defrim Kafexhiu”, tha ai. 

Kryesuesi i sapo zgjedhur i Kuvendit Komunal të Rahovecit, Defrim Kafexhiu tha se sot nuk fitoi opozita por demokracia, dhe se nuk është humbje e pozitës pasi votoi shumica.

Kafexhiu premtoi bashkëpunim me të gjithë në të mirë të rahovecasve. 

“Për mua nuk është privilegj, është pak krenari e shumë përgjegjësi. Krenaria zbehet e përgjegjësia rritet atëherë kur e kuptojmë se këtu jemi për t’i shërbyer qytetarëve dhe jemi të zgjedhurit e tyre. Sot, këtu në këtë Kuvend nuk fitoi opozita por zuri vend demokracia kjo nuk është as humbje e pozitës sepse votoj shumica… Së bashku do të punojmë për të mirën e qytetarëve të komunës sonë dhe bashkë do t’i dalim në ballë të keqes dhe do të parandalojmë atë do të japim dhe do krijojmë hapësira për zhvillimin e komunës sonë dhe do të luftojmë për një jetë të qetë dhe me të mirë”, theksoi ai. 

Ndërsa në tri raundet e mbledhjes së rregullt qe u mbajtën sot paradite asnjëri nga dy kandidatët e propozuar nuk arritën të sigurojnë votat e nevojshme për tu zgjedhur kryesues të Kuvendit Komunal të Rahovecit. 

Të pranishëm në sallë ishin 29 asamblistë, ndërsa Kuvendi Komunal i Rahovecit ka gjithsej 31 asamblistë. 

Kundërkandidati i kryesuesit të sapo zgjedhur, Afrim Dina nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori vetëm 13 vota.