Kosova fiton tre milionë dollarë shtesë nga SHBA-ja

163

Republika e Kosovës ka përfituar edhe tre milionë dollarë shtesë në kuadër të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas një njoftimi nga Presidenca e Kosovës, pasi presidentja Vjosa Osmani nënshkroi amendamentin 3 të kësaj marrëveshje, bashkë me drejtoreshën e USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi.

Sipas njoftimit, tani granti total është rritur në mbi 41 milionë dollarë.

“Me këtë marrëveshje synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike. Gjithashtu, me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës”, thuhet në njoftim të Presidencës.

Marrëveshja pati nisur në nëntor të vitit 2020. Atë kohë, Kosova përfitoi 33 milionë dollarë, ndërsa më vonë u nënshkruan amendamenti 1 dhe 2. Me këto Kosova përfitoi rreth 5.5 milionë dollarë shtesë, ndërsa sot i përfitoi edhe tre milionë të tjerë.