MINISTRJA GËRVALLA NJOFTON SE SOT DO TA VIZITOJË LUGINËN E PRESHEVËS

170

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwartz, ka njoftuar se sot do të shkojë për herë të parë në Luginën e Preshevës.

Gërvalla ka shkruar në Facebook se është nisur drejt Bujanovcit, ku do të takohet me kreun e Komunës, Nagip Arifin.

“Me një ditë vonesë, pas pak do të filloj vizitën time të parë në Luginën e Preshevës. Ndihem shumë e privilegjuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të vizitoj përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave në Luginë dhe të flas e të shoh nga afër se si mund të thellojmë bashkëpunimin tonë. Së bashku me prof. Rexhep Gjergjin jemi nisur drejt Bujanocit, ku do të takohemi fillimisht me kryetarin e kësaj komune, z. Nagip Arifi. Takime do të zhvillojmë edhe me përfaqësues të tjerë institucional në këtë komunë”, ka shkruar Gërvalla.

Gërvalla ka bërë të ditur se gjatë ditës do të shkojë edhe në Preshevë, ku do të takohet me kryetaren e Komunës, Ardita Sinanin.“Gjatë ditës do të qëndrojmë edhe në Preshevë, ku do të takohemi edhe me kryetaren e komunës, znj. Ardita Sinani. Do të zhvillojmë takime me deputetë, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe studentë”, ka shkruar kryediplomatja kosovare.