NATO-ja zotohet për implementimin e marrëveshjes

142

NATO-ja është zotuar për implementimin e marrëveshjes që Kosova dhe Serbia kanë arritur të enjten për çështjen e targave.

Kosova e Serbia arritën marrëveshje për çështjen e targave. Sipas marrëveshjes së arritur, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë të vendosura nga serbët që kundërshtuan reciprocitetin për targat, ndërsa aty do të vendoset KFOR-i. Elementet shtetërore në targat e veturave do të mbulohen me letra ngjitëse, ndërsa do të formohet një grup punues për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka thënë se NATO-ja mirëpret marrëveshjen teksa ka shtuar se KFOR-i do të luajë rol kyç për implementimin e saj.

“Misioni i NATO-s, KFOR-i, do të luajë rol kyç për të siguruar zbatimin efikas të marrëveshjes, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 që i dha mandat KFOR-it për të ofruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë ajo, bazuar në një komunikatë për media.

Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të presë në takim nesër emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

NATO-ja ka përfunduar reagimin duke thënë se dialogun mes dy vendeve e sheh si rrugën e vetme për marrëveshje të qëndrueshme politike, të cilën e ka quajtur kyçe për stabilitet në rajon.

Nga e hëna e javës së shkuar rrugët që çonin në kufirin me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak, u bllokuan nga serbët që kundërshtuan zbatimin e reciprocitetit për targat. Aty qëndroi vazhdimisht Policia e Kosovës, ndërsa për disa ditë edhe KFOR-i shtoi patrullimet, pas kërcënimeve nga ana e Serbisë.