Në Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi u organizua një ceremoni falënderimi që pati për qëllim ndarjen e mirënjohjes publike konsullit të Republikës së Kosovës në Suedi Agron Smakiqi. Smakiqi këto ditë mbaron misionin e vet si konsull i Kosovës në Mbretërinë e Suedisë. Dr. Muhamet Shatri- zyrtar ndërlidhës në Qendër prezantoi shkurtimisht jetën dhe veprimtarinë diplomatike të Agron Smakiqit.
Mirënjohja që ju dorëzua konsullit kishte për motivacion: punën e mirë e mjaft të dobishme të konsullit Agron Smakiqi për komunitetin shqiptar në Suedi. Edhe për bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi.
Brenda domenit të vet konsullor e diplomatik Agron Smakiqi bëri më të mirën e mundshme duke e nisur nga fillimi misionin dhe duke e avancuar në kuadër të Ambasadës së Republikës sonë në Mbretërinë e Suedisë.
Moderatori Qerim Kryeziu, i solli ndërmend konsullit Smakiqi kohën kur ai e filloi punën në Ambasadë dhe i kujtoi si me shaka, kohën që iku shpejt.
Kur njeriu mbaron një punë, një mision, gjithsesi ruan brenda vetës edhe ndjesinë e krenarisë- i tha moderatori. Dhe vazhdoi me stil miqësor t´i kujtoj konsullit se dikush shumë më herët para nesh e ka thënë:
Pas çdo pune e gëzimi, mbetet pas vetëm kujtimi, ah dhe i shkreti mallëngjimi!
Ne, në Qendrën Kulturore e kemi ndjerë punën e mirë të zotërisë Agron Smakiqi dhe në qoftë se na lejohet ta vlerësojmë e konsiderojmë si punë të frytshme, të një djali Kosove që me sukses nderoi vetën e institucionin që përfaqësoi- tha Kryeziu.
Foto: Murteza Pepaj
Diplomati Sedat Burrniku spikati punën e mirë të kolegut dhe e falënderoi. Në frymë humoristike, falënderuese Burrniku theksoi se konsulli është edhe prift edhe hoxhë, edhe jurist edhe ofiqar, edhe i nderuar edhe i sharë.
Foto: Murteza Pepaj
Pastaj konsulli Agron Smakiqi pranoi mirënjohjen nga Prof.Dr. Muhamet Shatri. Ismail Rugova protokolloi dokumentin për nevojën arkivore të Qendrës.
E mori fjalën edhe vet konsulli, duke konstatuar se punën konsullore në ambasadën e Kosovës në Suedi nuk do ta harrojë kurrë. Të pranishmit falënderuan Smakiqin dhe i uruan shëndet e suksese në misionin e ri diplomatik në ambasadën e Kosovës në Bullgari. U shtrua edhe një koktej rasti për gjithë të pranishmit. Mbrëmja falënderuese vazhdoi deri vonë me bashkëbisedim të ngrohtë me qytetarë shqiptarë të Malmös e konsullin tjetër shqiptar në Mbretërinë e Danimarkës zotëri Arton Krasniqin.
Televizioni ynë, tashmë i njohur në Suedi RTV AlbSe regjistroi gjithë ceremoninë për nevojat e veta të transmetimit.
