NË SHARR PESË VITET E FUNDIT JANË PRERË RRETH 20 MIJË METRA KUB DRU

80

Në Bjeshkët e Sharrit, pesë vitet e fundit janë prerë rreth 20 mijë metra kub dru. Degradimi i maleve në përgjithësi është dukuri shqetësuese për organizatat që merren me mbrojtje të natyrës.

Ndërkaq qytetarët që i frekuentojnë malet vazhdimisht, këtë veprim e konsiderojnë degradim të  madh që po u bëhet maleve vit pas viti. 

Pesë vitet e fundit në Malet e Sharrit në  Kosovë, janë prerë 20 mijë metra kub dru. Ndërtimet pa leje në zonat e ndaluara dhe të hidrocentraleve pa planifikim, gjuetia, mbeturinat, duhet të ndalen, që t’i ruajmë zonat e mbrojtura.


‘’Organizata Botërore për Mbrojtje të Natyrës’’ që operon në Prishtinë, po bënë pjekje që përmes projekteve të ndryshme, të ngritët vetëdija e qytetarëve për mbrojtje të natyrës. Zyrtarja nga kjo organizatë, Krenare Salihu, i tha Radio Kosovës se përmes aktiviteteve konkrete,  i mbështesin institucionet, si për akte ligjore, ato nënligjore, ashtu edhe me plane menaxhuese të zonave të mbrojtura.

“Bashkëpunimi me institucionet është i mirë, por që ne presim fokus më të madh i vendimmarrësve për zonat e mbrojtura, çka po shpresojmë që në të ardhmen do të ketë bashkëpunim më të mirë’’, tha ajo.


Alpinistja Uta Ibrahimi, ka folur për degradimin që po i bëhet ambientit në përgjithësi, në Bjeshkët e Sharrit, në veçanti. Si femra e parë shqiptare që ka ngjitur malin Everest, majën më të lartë në botë, nëpërmjet aktiviteteve të saj alpiniste, Uta kërkon që të shtohet ndërgjegjësimi për natyrën, malet dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht në Kosovë.

Duke folur për Radio Kosovën, ajo tregoi se cila është gjendja aktuale e maleve të Sharrit.

 ‘’Unë për 10 vjet eksplorimi në Sharr e kom parë degradimin që u është bërë maleve. Për momentin është tepër keq dhe nuk ka ku shkon më keq. Kisha dashtë m’u ndal me kaq edhe të fillohet me intervenime për të mirë. Tash njerëzit janë vetëdijesuar dhe flasin për mbrojtje të natyrës por janë institucionet që duhet të marrin vendime. Andaj presim të ndërmarrin hapa’’, tha ajo. 


Sipas saj, natyra që na rrethon, nuk është vetëm një ministri, por është e ardhmja e vendit tonë.