NJË PERSON NGA GJILANI HAS NË PARA TË FALSIFIKUARA NË BANKOMAT

167

Një person dyshohet se ka hasur në kartëmonedha të falsifikuara në një bankomat në Gjilan.

Viktima është ankuar në polici gjatë së enjtes se derisa ishte duke numëruar paratë e pranuara nga bankomati, kishte hasur në dy monedha nga 100 euro të falsifikuara.

Në raportin 24-orësh të policisë, thuhet se rasti ka kaluar në procedurë hetimore.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se gjatë numërimit të parave, të pranuara nga bankomati, kanë hasur në dy kartëmonedha nga 100 €, që dyshohet të jenë të falsifikuara. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në raportin e policisë është regjistruar edhe një rast tjetër i falsifikimit të parasë.

Ky rast i regjistruar në Fushë Kosovë, ka të bëjë me disa kartëmonedha të metalta që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Rastin në polici e ka raportuar një punëtor në një filial bankar, i cili kishte hasur në këto monedha të dyshimta gjatë numërimit të parave.

“Një mashkull kosovar punëtor në një filial bankar, ka raportuar se gjatë numërimit të parave kishte hasur në disa kartëmonedha të metalta, që dyshohet të jenë të falsifikuara (28×1 dhe 10×2 €). Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim.