PËR HERË TË PARË, TIRANA FESTON ME PARADËN “RETRO CHRISTMAS”

80

Është rikthyer në Tiranë vikendin që lamë pas parada e mjeteve historike “Retro Christmas”.

Parada e mjeteve retro shëtiti në rrugët e kryeqytetit shqiptar shoqëruar nga babagjyshat dhe zonjat xhingël, ndërsa u ndal më pas në sheshin e ministrive deri vonë në mbrëmjen e djeshme.

Parada të tilla retro janë zhvilluar kohët e fundit në shumë qytete të vendit, por edhe në Kosovë, të cilat përveç shpalosjes së vlerave të koleksionit, krijojnë edhe atmosferë festive aty ku zhvillohen, raporton atsh. 

Në Shqipëri, ka një numër të konsiderueshëm mjetesh rrugore të hershme, por që për shkak se nuk ka pasur një akt ligjor që të mbrojë dhe promovojë këtë pasion, nuk kanë qenë asnjëherë të ekspozuara tërësisht. Ndaj aktivitetet e këtij lloji janë një manifestim i së bukurës mbi katër rrota. 

Tashmë është krijuar edhe Qendra Historike Shqiptare RETRO, një hapësirë ku mund të gjenden mjete të hershme dhe jo vetëm, por edhe pjesë mjetesh, dokumentacione, targa të ruajtura nga koleksionistë të sendeve apo relikteve të vjetra dhe që janë të mirëmbajtura.