Përmbledhja poetike “UMAMI” e Fahredin Shehut botohet në Amerikë

133

Në Amerikë është botuar libri më i ri i poetit Fahredin Shehu me titull ekzotik “UMAMI”. Jo vetëm titujt e librave poetik të Shehut por, edhe përmbajtjet e përmbledhjeve që ai boton janë specifike dhe të rralla në kontekstin e zhvillimeve aktuale poetike shqiptare. Këto përmbajtje me poetikën krejt personale, e bëjnë poetin Fahredin Shehun mjaftë interesant, të përkthyer e shumë  të lexuar në gjithë botën. Aktualisht Fahredin Shehu është autori shqiptar më i përkthyer dhe më i lexuar në Europë e Amerikë, në Azi e Afrikë e deri në Australi. Shehu është krijues i pashoq që poezinë e konsideron dhunti Perëndie me të cilën Zoti mëshiron të rrallët. Shehu kur shkruan poezi, thjesht nuk mendon se punon, siç mund të punojmë të tjerët çfarëdo pune tjetër por, Krijon- Bekon fjalët, vargjet-Poezinë. Mbase kjo cilësi e tij krijuese e ka bërë poetin Shehu të kërkuar dhe të botuar gjithandej, së fundmi edhe në Amerikë. Botues i librit poetik të Shehut “UMAMI” është poeti i njohur amerikan William S. Peters në bashkëpunim me profesoreshën eksperte të Letërsisë Transcendentale në Universitetit e Pensilvanisë Hülya Yilmaz në fokus George McDonald. “Umami” pa dritën e botimit në qershor të këtij viti me këtë amëz bibliografike që përcjell secilin botim: ISBN – 13: (inner child press, ltd.), 155 pg. New Jersey USA, June 2022.

Koleksioni poetikme titull “UMAMI- esenca e shijueshmërisë“, është vepër origjinale që të mundëson të shijosh në këtë rast poezitë si erëza magjepse shpirtërore. UMAMI” është një fjalë e përdorur kryesisht në kuzhinën japoneze të cilën Fahredin Shehu e përzgjedh për titull të përmbledhjes. Si shprehje elitare e shijes së përkryer në kulinarinë japoneze, fjala “Umami” përkon për bukuri edhe me shijen estetike të Shehut për poezinë. “Umami” në kuzhinë përcakton cilësinë e pjatës kurse në krijimtari cilësinë e artit – sipas poetit shqiptar. Koncepti “Umami” lidhet me shijen si njërën prej pesë shqisave sublime njerëzore.   

Për veprën e Shehut të botuar në Amerikë ka shkruar Mjeshtri i madh i Artit dhe Shpirtnisë, poeti, recitatori dhe kaligrafisti japonez Tendo Taijin. Mes tjerash Taijin shkroi: “Nuk do t’i kishte shkuar kurrë në mendje një japonezi të përdorte “UMAMI” si titull të një koleksioni poezish. Ndjeva sikur më kishin zënë në befasi. Unë e admiroj ndjenjën e mprehtë gjuhësore të poetit Fahredin Shehu në zgjedhjen e fjalës japoneze si titull të përmbledhjes së tij me poezi”.

Fahredin Shehu ka shkruar dhe ka botuar këto vepra: “Nun”-përmbledhje me poezi mistike 1996, “Shumësi e padukshme”-prozë poetike 2000, “Nektarina”-roman epik transcendental 2004,”Elemental 99”- tregime të shkurtra poetike  2006, “Kun”- përmbledhje poetike transcendentale 2007, “Dismantle of Hete”-libër elektronik (anglisht) 2009 , “Crystaline Echoes”-poezi, Portugali 2011, “Pleroma´s dew”-poemë, SHBA 2012, “Makadami i Smagradtë”, Rahovec 2012, “Manat”-roman, Maqedoni 2012, “Balkans and Islam” në Cambridge Scholars Publisher´s contributor 2012, “Hojet”-roman 2013, “Nalivpero”- poezi, Arhipelag, Beograd 2013, “Malestrom” The Four Scrolls of an Illyrian Sage-poemë New Jersey 2014, “Bonds”-poezi të zgjedhura, New Jersey 2016, “Elisir”-poezi, Romë Itali 2017, “Neon Child”-poezi, New Jersey 2018,  “Këtutania”, 2019, “Ormuz” në Amerikë. Shehu ka bërë shumë punime shkencore për “Institute for Balkan Studies”- Teheran, dhe për revistën shkencore “Avicenna” në Prishtinë. Deri tash është lexuar nga shumë lexues në: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, polonisht, spanjisht, hebraisht, rumanisht, serbisht, kroatisht, boshnjakisht, maqedonisht, turqisht, romanisht, persisht, mongolisht, kinezisht, kinezisht/mandarin, gjuhë siciliane, friziane, malteze, bengali dhe në bhahasa.

Librat e Fahredin Shehut i gjen në Bibliotekën e Aleksandrisë në Egjipt, në British Library të Mbretërisë së Bashkuar, në Staatsbibliotheket e Munihit në Gjermani, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në Bibliotekën  Nacionale të Zagrebit në Kroaci, në Bibliotekën Nacionale të Beogradit në Serbi e vende tjera.

Shehu është anëtar i Asociacioneve Kombëtare e Botërore të Poezisë, i PEN Qendrës së Kosovës, anëtar i Këshillit të Librit dhe Botimeve të MKR dhe Sporteve të Kosovës si dhe laureat i shumë çmimeve si bie fjala: Laureat i medaljes së artë për poezi si urë lidhëse mes popujve “Axlepinn Publishiung në Filipine, laureat i çmimit “Agim Ramadani” në Stubëll 2004, i çmimit Poet i Vitit nga revista turke “Imza” 2014, i çmimit “Naaiji Naaman” në Liban 2016, i çmimit “Veilero” në Itali 2016, i çmimit “Aleksandri i Madh “ për ekselencë të karrierës letrare në Abruzo të Italisë dhe është Doctor Honoris Causa në Universiteum Academy në Lugano, Lifetime Academic , Universum Academy Lugano.

Fahredin Sheu është themelues dhe drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë që mbahet në Rahovec. Thënia e tij“Neve na mungon vokabulari tokësor për çështje qiellore” është pranuar dhe botuar në librin citateve botërore.