Pas përgatitjeve të mëparshme intensive, përmes platformave virtuale e kontakteve tjera të mundshme në kushte pandemie, sot më 2 prill 2021, Forca e Diasporës (FeD), po mbanë Kuvendin e Parë të saj në Prishtinë. Takime paraprake janë bërë nëpër shumë vende të botës, ku jetojnë e punojnë bashkëkombësit tanë . FeD-i tubon shqiptarët e suksesshëm nëpër vendet e botës që kanë bërë emër të mirë në fushë veprimtari të ndryshme. Edhe në logon që promovon Kuvendin e Parë, bëjnë me dije se Forca e Diasporës prezanton “ajkën” e bashkëkombësve që jetojnë jashtë trojeve shqiptare.
Kuvendi filloi rreth orës dhjetë në Qendrën për Konferenca të hotelit “Amazona”, në afërsi të Prishtinës. Përcjellja e punimeve në Kuvend bëhet përmes platformës zoom, për shkak të rrethanave që diktoi pandemia.
Kuvendi ka prezantuar rendin e ditës dhe ka propozuar dy sesionet e sotme: të paradites dhe të pasdites.
Fjalën kryesore e mbajti z Mehmet Manovi, themelues i FeD-it. Politologu i njohur Avni Dervishi nga Suedia prezantoi qëllimet dhe vizionet e FeD-it. Në sesionin e paradites u paraqiten edhe: magjistre Selvete Dibrani (FeD dhe diaspora në Kosovë), avokatja Ardita Morina anëtare (Bashkëpunimi i FeD-it në Kosovë), Fatmir Osmani themelues i FeD-it (Parimet dhe organizimi i FeD-it), Shpëtim Aliaj anëtar (Investimet nga jashtë dhe ndikimi i MSA-së në ekonominë e vendit), Ganimet Bajraktari themeluese e FeD-it (Politikat Sociale), Shpresa Xhakli anëtare ( Avokimi në të drejta të njeriut), Fitim Kryeziu anëtar (Inovacioni në energjinë alternative), Shqipe Buzuku anëtare ( Hulumtimet shkencore të studentëve shqiptarë në shtetet perëndimore).
Sponsor medial i Kuvendit të Parë Botëror të Forcave të Diasporës ( FeD ) është RTV AlbSe me seli në Suedi.
