Politikisht popull i paarsimuar!

273

Shkruan: Ali Dulla

Përgjithësisht, të gjithë qytetarët e gjithë etnosit në vendin tonë, sipas përkufizimit të Bertold Brecht, përfshihemi në kategorinë e injorantëve politikë.

E injorantët politikë janë njerëzit më të rrezikshëm në botë. Ata nuk shikojnë, nuk vështrojnë, nuk dëgjojnë, nuk mendojnë as nuk kuptojnë, pra, sipas Brecht, këta janë imbecilë politikë. Asnjëherë nuk bëhen të vetëdijshëm se çmimet e bukës, gjellës, grurit, t’gjitha ushqimeve e deri te çantat shkollore varen prej politikës. Pra, ky është rreziku më i madh i mundshëm, se politikisht ne kemi popullin tërësisht të paarsimuar.

Situata alarmante e krijuar këto ditë me ngritjen e çmimeve të miellit e vajit mban një kosto të madh të fajit qytetar. Kur paragjykimi prevalon gjykimin real, atëherë si rezultat i kësaj krijohen imazhe e rezultate të pamatura. Hamendësimet, paragjykimet shkaktojnë veprime të gabuara, krijojnë paniqe e masa të pa analizuara. Nga një nivel i tillë qytetar gjithmonë përfituesit janë vetëm subjekte politike e ekonomike, të cilët presin momentin e tyre të pritur.

Sot secili merr të drejtën që të kuvendojë për politikën, ekonominë, drejtësinë, sportin, kulturën, marrëdhëniet ndërkombëtare, luftërat e deri te ngrohja globale, madje kemi individë nëpër tv emisione që me orë të tëra i maltretojnë ata që i shikojnë duke u paraqitur si supermenat e dijes, pa formim minimal për tema debatuese.

Kurse sipas grekëve të vjetër; të jesh njeri është të jesh i lirë, e të jesh i lirë doemos duhet të merresh me politikë (jo në sensin e politologjisë), pra, të zhvillohet ideja për të mirën e përgjithshme. Ndaj, populli politikisht i arsimuar paraqet vizionin dhe idenë për të mirën e përgjithshme, jo vetëm të një kombi, por të mirën e përgjithshme univerzale.

Me këtë rast si mund t’qëndrojmë ne? Ne jemi “të gjithëdijshëm univerzalë, kurse të padijshëm konkretë”. Pra gjithçka di, derisa nuk vjen te puna konkrete, e kur i afrohet konkretja është thellësisht injorant. Pa asnjë dije e përvojë që në aksionin e parë të angazhimit profesional, kërkojmë e duam te jemi superprofesionistë, të njohur, bajraktarë e të parë!

Kjo as ambicie nuk është, sepse ambicie pa mbulesë është katastrofë, ngase ajo nuk paraqet një vizion. Vizioni është ide e arritshme, kurse iluzioni, fantazia, utopia janë ide të paarritshme e që pastaj përfundojnë në fërkime, mosmarrëveshje e dhunë.