QEVERIA IA KTHEN KOSTT-IT DIVIDENTËN NË VLERË 20 MILIONË EURO

85

Qeveria e Kosovës këtë të enjte në mbledhjen e mbajtur ka miratuar propozimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, që ndërmarrjes publike KOSTT, t’i kthehet dividenta në vlerë 20 milionë euro.

Murati tha se kjo kërkesë e KOSTT-it ka ardhur në mënyrë që kjo ndërmarrje të ketë likuiditetin e nevojshëm dhe të vazhdojë operimet pa pengesa.

“Ndërmarrja publike KOSTT, ka kërkuar që së paku të ketë likuiditet shtesë dhe t’i kthehet dividenta që ne e kemi pranuar në kuadër të ligjit për ndarje buxhetore këtë vit në muajin tetor, në mënyrë që të ketë likuiditetin e nevojshëm dhe të vazhdojë operimet pa pengesa”.

“Ne si Ministri e Financave e kemi shqyrtuar këtë kërkesë dhe e kemi cilësuar si të pranueshme meqenëse se ka nevojë në tregun energjetik për likuiditet shtesë dhe në anën tjetër, ne si qeveri kemi tejkalim të pritjeve të të hyrave për së paku po aq sa është kërkuar të kthehet dividenta dhe neve si qeveri nuk na paraqet problem”.

“Me këtë vendim do të shfuqizojë pjesërisht vendimin që ka kërkuar ndarjen e dividentes, kurse në anën tjetër i mbetet bordit të KOST-it që të sugjerohet të rishikoj çështjet e deklarimit dhe pagesës së dividendës, pra pas përmbylljes së auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2021”, është shprehur Murati, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë se më herët, Qeveria e Kosovës i ka ndarë KEK-ut 20 milionë euro që sipas tyre do të shërbejnë për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike.