RAMADANI: ARDHJA E MËRGATËS E PËRKEQËSON GJENDJEN ME VARIANTIN OMICRON

161

Infektologu Hamdi Ramadani, vlerëson se ardhja e mërgatës do ta përkeqësoj situatën me variantin e ri omicron në vendin tonë. Sipas tij, dy dozat e para të vaksinës janë të pamjaftueshme, andaj duhet të merret edhe doza e tretë.

Ramadani në një prononcim për “Gazeta Blic”, vlerëson se pas ardhjes së mërgatës situata në vendin tonë mund të përkeqësohet.

“Çështja e paraqitjes së omikronit në vendin tonë ka qenë e pritur për faktin se tash e një muaj u identifiku omicron dhe pothuajse shumica e vendeve në botë kanë regjistru paraqitjen e tij, pra Kosova nuk ka mundur me i ik. Ardhja e mërgatës e përkeqëson akoma më shumë gjendjen, pra situata në vendin tonë mund të jetë e rëndë”, deklaron Ramadani.

Ramadani thotë se masat aktuale anti-Covid janë konform situatës epidemiologjike. Derisa deklaron se në gjashtë ditët e ardhshme do të shihet rrjedha e variantit.

“Doza e tretë duhet të merret patjetër sepse dy dozat nuk mund ta mposhtin vitusin. Unë mendoj që masat aktuale të cilat janë në fuqi janë konform situatës epidemiologjike, mirëpo pesë apo gjashtë ditët e ardhshme do të shohim se si do të lëviz virusi në vendin tonë dhe nëse ka rritje normalisht që edhe masat duhet të shtrëngohen. Apeloj te qytetarët t’i respektojnë masat aktuale dhe të marrin dozën e tretë”, thotë ai.

Aktualisht në Kosovë janë konfirmuar 9 raste me variantin omicron. Derisa në 24 orët e fundit nuk është shënuar asnjë viktim nga COVID-19./lajmi.net/