SHQIPËRI: SKANDALI I PUBLIKIMIT TË PAGAVE NË MEDIA, REAGON QEVERIA

87

Pas publikimit të databazës me të dhënat e pagave të qytetarëve, ka ardhur edhe reagimi i parë nga qeveria. Zëdhënësi i qeverisë, Endri Fuga thotë se analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim.

Më tej në reagim thuhet se dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme. Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të certifikimit me standardet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme.

Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë- e mbyll reagimin zëdhënësi i qeverisë Endri Fuga.

Pagat dhe numrat e identitetit të mijëra qytetarëve janë publikuar ditën e sotme në disa media online. Pas ankesës së një grupi qytetarësh për publikimin e të dhënave personale, Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet./Euronews.al