“TË DHËNAT NUK DOLËN NGA QEVERIA”, REAGIMI I MINISTRISË SË FINANCAVE

89

Qeveria e Shqipërisë sot hodhi poshtë akuzat se dokumenti me pagat e 630 mijë qytetarëve ka dalë nga Ministria e Financave.

Zëdhënësi i qeverisë Endri Fuga sqaroi se data-baza e të dhënave që po qarkullon në mënyrë ilegale ka të dhëna të ndryshme nga dokumentet zyrtare.

“Analizat paraprake tregojnë qartë se nuk ka ndodhur asnjë eksport digjital i data-bazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme. Po ashtu, data-baza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të certifikimit me standardet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme”, tha ai.

Ministria e Financave po bën gati kallëzimin për organin e akuzës, për zbardhjen sipas saj të ndërhyrjes kriminale në të dhënat personale te qytetarëve.