Teatri Kombëtar Suedez në udhëheqjen e Dritëro Kasapit

802

Teatrin  Kombëtar të Suedisë e drejton një artist shqiptar me emrin Dritëro Kasapi.

 Dritëroi, fluturoi nga Shkupi mbi qiellin flakë të Kosovës më 1998, me një trup teatrale dhe erdhi si mysafir i ftuar në Suedi.  Pjekja e tij parë me Suedinë nordike shpërfaqej  si mister, me grimca habie përbrenda e me vezullime magjie nga jashtë. Për djalin shqiptar, të bulëzuar me talent e të pajisur me fantazi regjisoriale, Suedia dukej krejtësisht ekzotike. Ekzotike, e ftohtë, e largët, e pakapshme… Ku ta dinte atëbotë artisti  i ri se, ky vend do të bëhej shtëpi e tij, skenë e tij dhe eldorado e artit të  tij. Distanca gjeografike Shkup – Stockholm, s´do mend e gjatë  si udhëtim, por çuditërisht shumë e shkurtër si binom artistik regjisor shqiptar – publik suedezë. Teatri e solli këtu në Skandinavi Dritëroin, mirëpo mjeshtëria skenike i kishte zënë fill atje, në Gadishullin Ilirik, atje  ku mijëra vite më parë kishte aguar kultura e kontinentit europian.

Ku qante Melpomena e tragjedisë dhe ku qeshte Talia e komedisë.   

Hyjneshat e artit e bijat e zotit suprem Zeus, Melpomena e Talia kanë deklamuar gjithmonë për skenat e kohës tragjeditë dhe komeditë e tyre. Në këto skena mjaft dramatike, ishim përherë prezent me fatin e fatkeqësinë tonë. Kush nuk është magjepsur nga platformat me shkallare deri në qiell të amfiteatrove në Durrës, Butrint e shumë qytete tjera shqiptare. Para Luftës së Dytë Botërore qe Aleksandër Moisiu ynë që kur interpretonte në teatrot e Europës e bënte dramaturgun e famshëm gjerman Bertold  Breht  të shkruante: “ Kur Moisiu luan në skenë edhe vet zoti në qiell ndihet mirë”. Pas Luftës së Dytë, ishte Bekim Fehmiu me një subjekt homerik që rrezatonte si yll mbi Gadishull për të pushuar një ditë në Hollywood. Sot, kudo në botë ka artistë shqiptarë, hiret interpretative te të cilëve sublimojnë bukur shkathtësitë, lavditë e traditën e lashtë te të parëve. Këtu në Suedi, mërgata jonë ka fatin e mirë të ndjehet krenare me vlerat skenike të regjisorit Dritëro Kasapi.

Dritëro Kasapi- në prizmin biografik e profesional 

Dritëroi është lindur në Shkup. Në Shkup mbaron studimet në Fakultetin e Artit Dramatik dhe nis punën regjisor në Teatrin Kombëtar. Në vitin 1998 ftohet në  Stockholm, në kryeqytetin kulturor europian të kohës për të dhënë shfaqje. Nga kjo vizitë, u kthye ndryshe në atdhe, sepse në vendin mikpritës kishte parë gjera që të tjerët s´i shihnin dot as me llupë. Më 1999 në Shkup, themeloi Qendrën Teatrale për të  Rinj, krejtësisht me idenë e importuar nga Suedia. Sot rrëfen Dritëroi me kënaqësi  edhe këtë: “Në atdhe kishim një këndvështrim tradicional, mësonim fëmijët bie fjala se si duhej bërë teatër, se si duhej shikuar jetën,  ndërkohë që në Suedi pashë diçka krejt tjetër. Këtu vet fëmijët na tregonin se si e bëjnë teatrin dhe si e shohin botën. Ndryshimi ishte revolucionar dhe për mua i paparë deri atëherë”-thotë për Televizionin AlbSe Dritëro Kasapi.  Aktiviteti teatral i kësaj Qendre e bën krenar edhe sot. E kujton me nostalgji punën e atëhershme dhe i ndjenë me dhembje në shpirt shfaqjet që trajtonin dramat plot tmerre të refugjatëve nga Kosova.  Dritëro Kasapi ka punuar në shumë projekte ndërkombëtare teatrale kryesisht në Ballkan por edhe në Europë e më gjerë. Në Suedi është rikthyer edhe një herë si regjisor në Teatrin e Qytetit të Uppsalës. Pastaj iku në Maqedoni për pak kohë dhe erdhi përsëri në vitin 2001 për t´mos u kthyer më. Në periudhën 2005-2008 ishte udhëheqës artistik në Teatrin e Gottsundas. I vetmi lokalitet suedez që i kujtonte Gazibabën e vet në Shkup ishte Gottsunda, periferi e paragjykuar e qytetit të Uppsalës. Këtu fliteshin 95 gjuhë, kryqëzoheshin shumë tradita, por s´kishte kulturorë të mirëfilltë-kujton Kasapi. Angazhimi profesional i Dritëroit bëri që Gottsunda (kujto Gazibaba)  nga ai rrënim kulturor të ngritët në qendër kulturore të kohës.  Dritëroi ka punuar në të gjitha teatrot e mëdha si në Stockholm, Malmö, Göteborg, Örebro. Shumë shfaqje të tij kanë përfaqësuar Suedinë në turnetë europiane. E fundit ishte “Nina- a story about me and Nina Simeone” që u shfaq mbi 200 herë në Europë e deri në Los Angeles . Në kujtesën e tij brenda dy dekadave pune në Suedi, vjen përherë “Hamleti” shfaqur në Örebro, pastaj “Mot väggen” (Kundrejt murit) i bazuar në një film gjerman e që është mirëpritur në Gjermani. Në vitin 2015 u zgjodh zëvendësshef i skenës dhe teatrit në Shtëpinë e Kulturës së Qytetit në Stockholm, ndërsa në vitin 2018 emërohet shef i Teatrit Kombëtar Suedez, post që e mbanë me sukses edhe sot.

Drejtori dhe regjisori shqiptar sipas opinionit suedez

Magnus Aspegren, drejtor i përgjithshëm u shpreh kështu për Kasapin me rastin e emërimit të tij në detyrë: ”Dritëroi  ka dije të thellë dhe aftësi për të dërguar më tutje artin teatror suedez në perspektiva ndërkombëtare dhe interkulturore  ku barazia dhe diversiteti janë forcë e madhe lëvizëse”.  Ndërsa vet Kasapi deklaroi me këtë rast se “synoj të zhvillojë misionin artistik dhe demokratik të Teatrit për të krijuar vlera të mirëfillta skenografike”.  Në shtypin suedez është vlerësuar shumë autoriteti krijues dhe drejtues i regjisorit tonë. Mes vlerësimeve të shumta sjellë edhe këtë: “Dritëro Kasapi është regjisor interesant. Ai ka aftësinë për t´ju përgjigjur pyetjeve të vështira  dhe ndjenjën supreme për të zgjidhur me lehtësi problemet e mëdha të kohës”- thotë drejtorja e Shtëpisë së Kulturës në Stockholm. Teatri Kombëtar i drejtuar nga ky djalë shqiptar ka pasur shumë premiera të bukura, ndërkohë që me paraqitjen e virusit pandemik është pushuar përkohësisht aktiviteti i Teatrit.

Veçori e tërësi regjisoriale

Dritëro Kasapi është regjisor modern, artin e jetën e pranon hapur, pa kufizime e pa lokalizime. Madje në pyetjen time se çka konsideron autoktone, tipike në teatrin e dramaturgjinë kombëtare, përgjigjet: “arti i mirëfilltë, teatri i zhvilluar s´ka pse dallohet me tipare autoktone. Madje, autoktoninë në kuptimin e mbylljes, jo hapjes do të konsiderojë pengesë në zhvillimin e artit dramatik. Arti i vërtetë nuk merr shtigje të tilla zhvillimi”. Regjisori Kasapi nuk kultivon paragjykime, as preferenca. Dramat e Jeton Nezirit apo të Doruntina Bashës janë shumë afër shijes së tij skenike regjisoriale. Këta autorë, trajtojnë problematikë kosovare por idetë, përgjithësimet e mesazhet dramatike në veprat e tyre janë krejtësisht europiane-thotë Kasapi. Në dramaturgjinë suedeze shpjegon mirë mentalitetin artistik që ka krijuar Ingmar Bergmani  dhe dallon dikotominë suedeze me artin për elita dhe artin për masa të gjera shoqërore. Kasapi konsiderohet regjisor shumë i shkathtë që ka bërë emër të madh në Suedi, mes tjerash edhe për mjeshtërinë e tij në ndryshimin e karaktereve e situatave dramatike në pjesët e autorëve të mëdhenj botëror. Ai ka guxuar bie fjala që në “Othellon” e Shakespeare-it ushtarakët ti bëjë biznesmenë, ushtrinë sipërmarrje ekonomike, apo që etikën e kohës në dramën “Armiku i popullit” të Ibsenit ta implikojë në moralin e shoqërisë së sotme. Këto veçori janë pëlqyer nga publiku dhe janë vlerësuar shumë nga kritika letrare suedeze.  Si do të punonte me veprimet amorale: korrupsionin, vjedhjet e keqpërdorimet tjera që bëhen në vendet e  Ballkanit, në qoftë se do të inskenonte Ibsenin atje?  “E vështirë – me thotë Dritëroi, meqë realiteti atje tejkalon cilindo amoralitet imagjinar të letërsisë botërore”. Mediat në Suedi shkruajnë se Dritëroi i përjeton fort premierat e tij. Aq sa gruaja e tij nuk dëshiron ti ulet pranë, sepse thjesht e pengon me reaksionet, me deklamimet e teksteve që bën pak sekonda para se vet aktorët në skenë t´i shqiptojnë ato. Dritëro Kasapi shpreson shumë për ndonjë formë bashkëpunimi mes teatrit suedez dhe teatrit shqiptar në të ardhmen.                                    

Qerim Kryeziu