TREGU I PËRBASHKËT I PUNËS, SYNIM I “BALLKANIT TË HAPUR”

111

Në Tiranë të Shqipërisë të martën, 21 dhjetor, takohen liderët e nismës për bashkëpunim rajonal “Ballkani i Hapur”, të cilët pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje, përfshirë atë për krijimin e një tregu të përbashkët të punës.

Takimit në Tiranë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i parapriu një darkë pune që tre liderët zhvilluan më 20 dhjetor në Elbasan.

Takimi i nismës “Ballkani i Hapur” dhe shkuarja në Shqipëri e presidentit serb, Vuçiq nxiti protesta në Tiranë, ku mijëra protestues më 20 dhjetor kundërshtuan vizitën e tij.

Protesta u thirr nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i cili tha se kjo protestë ishte “në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar”.

“Dua të garantoj shqiptarët se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal. Kjo është një protestë kundër një projekti që është refuzuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Një projekt që nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon”, tha Berisha.

Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe kjo iniciativë u iniciua nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.

Nisma, që fillimisht u quajt “Mini-Shengen”, sipas iniciuesve të saj, parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

Çka pritet të ndodhë në Tiranë?

Në takimin në Tiranë ndërmjet liderëve të nismës “Ballkani i Hapur”, ku përmes video-lidhjes do të marrë edhe Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, sipas zyrtarëve serbë, do të nënshkruhen gjashtë marrëveshje.

Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, deklaroi më 20 dhjetor se në këtë takim do të vendoset për krijimin e një tregu të përbashkët të punës.

“Takimi i 21 dhjetorit mes liderëve është dëshirë e sinqertë që të krijohet tregu i përbashkët në kuadër të tri ekonomive dhe ftesë për fqinjët që të përfshihen në të. Ekonomitë të cilat nuk janë aktualisht pjesë e iniciativës, janë megjithatë pjesë psikike e saj”, tha Çadezh.

Çka është arritur deri më tani?

Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh që kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Këto tri shtete kanë vendosur që lëvizja e qytetarëve të tyre të bëhet me letërnjoftime.

Në kuadër të kësaj nisme është arritur edhe marrëveshje për bashkëpunimin në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Këto tri shtete kanë vendosur që nga 1 janari i vitit 2023 të heqin kontrollet doganore.

Po ashtu, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim sa i përket parandalimit dhe eliminimit të pasojave të fatkeqësive natyrore.

Pse Kosova e kundërshton “Ballkanin e Hapur”?

Në nismën “Ballkani i Hapur” janë tri vende të Ballkanit Perëndimor që po kundërshtojnë të bëhen pjesë e saj: Kosova, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Zyrtarët në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, që nga fillimi i kësaj nisme kanë refuzuar që të bëhen pjesë e saj, duke argumentuar se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa si një nismë për treg të përbashkët rajonal.

Ndërkaq, përfaqësuesit politikë të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës mbajnë qëndrimin se nuk bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë e rrugës së tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian./REL