Shqiptarja që po merr timonin e komunës së dytë më e madhe në Suedi

2350

Së pari urime për emërimin tuaj në detyrë të re dhe natyrisht me vjen krejt spontane pyetja e parë: Si ndjeheni zonja Blerta në detyrën e re që u emëruat?

Faleminderit! Ndihem mjaft e nderuar për këtë nominim dhe jam e nxitur për tu rikthyer në komunën e Goteborgut për të kontribuar për një zhvillim të qëndrueshëm për banoret tanë.

Do t´ju pyes edhe për sfidat që ju presin në punën tuaj të re por para së gjithash do të me lejoni t´ju shtroj edhe një pyetje lidhur me ndjesinë, në këtë rast ndjesinë që ka një vajzë shqiptare, dikur azilkërkuese në Suedi, e emëruar në një post drejtues pikërisht në Suedi- në qytetin e bukur të Goteborgut. Dhe si arritët deri këtu?

Kam qenë e angazhuar në politikë brenda partisë Socialdemokrate goxha vite më parë. Besoj se përvojat si këshilltare politike në qeverinë aktuale të Suedisë por edhe ne Bruksel në Parlamentin Europian kanë qenë të vlefshme dhe punën që kam bërë  e ka vlerësuar edhe udhëheqësia e re e partisë ne Goteborg. Gjatë kohës kur kam punuar për partinë në nivelet më të larta jam munduar të jem prezente kudo duke ligjëruar për politikën e nevojshme në BE dhe besoj edhe kjo vlerë është shfaqur. Por të thamë të drejtën, s’kam pasur ide që do të me jepet kjo mundësi për tu bërë nënkryetare e komunës.

Sa ju ka ndihmuar Suedia juve dhe sa do ta ndihmoni ju Suedinë në vazhdim?

Aq sa jam produkt Drenice dhe Kosove, po aq jam produkt i mirëqenies sociale të Suedisë. Falë reformave brenda socialdemokracisë ndër shekuj në Suedi mua me janë ofruar mundësi të barabarta me suedezët, si për shembull shkollimi falas po ashtu studimet në universitet. Ky investim që ka bërë Suedia për mua meriton shpagim, prandaj do t´ja rikthej shoqërisë me dashuri, me punë e më respekt. Unë do të punojë aq sa të mundem qe gjeneratat e reja, sidomos ato të margjinalizuara në shoqëri të kenë të njëjtat të drejta dhe mundësi siç kam pasur unë gjatë rritjes e shkollimit. Për këtë arsye unë së bashku me partinë time do t´u japim prioritet investimeve për një mirëqenie sociale te barabartë në çdo aspekt të politikës – dhe stop privatizimit.

Lidhur me detyrën-punën që keni marrë, çka do të keni prioritet, që në fillim të veprimtarisë suaj?


Pikë së pari, ne si politikanë duhemi të jemi zëri i popullit brenda kornizës politike-  jo zëri i burokracisë dhe i pushtetit. Këtë detyrë politikanët e sodit edhe në Suedi kanë dështuar ta kryejnë dhe për këtë arsye populli është duke humbur besim tek politika si vegël që përmirëson jetën e tyre.

Se dyti, unë së bashku me partinë time do tu japim prioritet investimeve në një mirëqenie sociale të barabartë në çdo aspekt te politikes – dhe stop privatizimit. Kjo do të thotë investime në shkollim dhe në shëndetësi publike për të gjithë.

Se treti, unë do të kem përgjegjësinë kryesore për trafikun dhe ambientin dhe në këtë drejtim do të punojë që të investojmë sa me shumë në një infrastrukturë më të mirë për të gjithë banorët tanë; sidomos tek transporti publik që të përmirësojmë sa më shumë dhe ti ulim çmimet për udhëtimet me autobus, tren apo tramvaj sepse kjo mënyrë e transportit është më e mirë edhe për ambientin.

Brenda sferës suaj të veprimit Ju do të keni në përgjegjësi trafikun- me sa kuptuam, në Goteborg. Me cilat vështirësi  ballafaqohet qyteti, si do të lehtësoni komunikacionin, si do të arrini ta bëni Goteborgun edhe më të arritshëm për qytetarët?

Ne zgjedhjet e përgjithshme më 2018 partia ime e humbi pushtetin mbas 24 viteve dhe tani jemi në opozitë. Faktorë kryesore për këtë  humbje kanë qenë pakënaqësia e popullit për ndërtimin e tuneleve te rinj te trenave por edhe dështimi i politikaneve të komunës për t’i bindur banoret për nevojën e këtij projekti të madh te infrastrukturës. Pakënaqësia rezultoi me rritjen e një partie populiste por edhe me mundësinë e një qeverisjeje të djathtë. Tani kjo qeverisje i ka rritur çmimet mujore për transport publik me 14 euro dhe bënë privatizime në shëndetësi dhe ngrit çmimet për çerdhe. Kjo është skandaloze dhe shumë e dëmshme për qytetaret por edhe për ambientin dhe ajrin sepse bëhet më e vështirë zëvendësimi i veturës me transport publik. Për këtë arsyeje partia ime duhet të bëhet  më ofensive në politikën e majtë, pro investimeve publike dhe në mbrojtje të ambientit si dhe kundër privatizimeve. Shpresoj se me këtë drejtim do ti fitojmë zgjedhjet në vitin  2022 sepse qytetarët e meritojnë një qeverisje më të mirë.

Zonja Blerta, çka ju sugjeroni bashkëvendësve tu në Suedi, sidomos të rinjve shqiptarë që sot studiojnë e punojnë në gjithë vendin?



Do t´ju sugjeroja që të punojnë sa të munden për ti arritur ëndrrat e tyre sepse si shtetas të Suedisë kemi shumë privilegje në krahasim me motrat e vëllezërit tanë në trojet Ballkanike. Mundësitë e mëdha që kemi këtu duhen shfrytëzuar. Do t´ju kisha rekomanduar edhe angazhimin politik, të jenë kundër padrejtësive që po ndodhin ne shoqëri.


Dhe një pyetje të fundit, po të ishte e mundur, si do të ndihmoje Atdheun tonë (Kosovën), sa do të ishe e gatshme të kontribuoje që edhe Prishtina, bie fjala të lulëzonte një ditë, si Goteborgu?

Shpresoj që do të kem dialog të mirë me politikanët në Kosovë, për të shkëmbyer idetë e përvojat për një qeverisje sa më të mirë në nivelin komunal.


Të urojmë suksese në punën tuaj dhe të dëshirojmë shëndet zonja Blerta Hoti- në emër të shikuesve të Televizionit AlbSe!

Faleminderit shumë! Ju përgëzoj për punën që e bëni dhe ju dëshiroj edhe unë juve shume suksese!

Qerim Kryeziu