​Kosova dhe Shqipëria së bashku në rrugëtimin e sigurisë rajonale

258

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes priti në një takim pjesëmarrësit e Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Nënkryetari i komisionit, Enver Dugolli, tha se ky është kursi më i lartë i sigurisë dhe mbrojtjes. Ai shprehu mirënjohjen për mundësinë e dhënë që edhe kuadro nga Kosova të kenë mundësinë të jenë pjesë e këtij kursi.

Dugolli theksoi se Kosova synon që sa më parë të jetë anëtare e NATO-s, si garantuese e sigurisë së rajonit dhe jo vetëm.

“Komisioni ka 11 anëtarë, por fatmirësisht shumë rrallë apo hiç kemi divergjenca mes deputetëve të subjekteve politike kur kemi të bëjmë me çështjen e sigurisë dhe mbrojtjes. Ky kurs ka dhe thellon në vazhdimësi bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kështu ndërtohen edhe raportet e ndërsjella”, tha ai.

Zëvendësdekanja e Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Etleva Smaçi, tha se është e lumtur që në çështjen e sigurisë dhe të mbrojtjes shqiptarët janë bashkë.

“Ne jemi shumë të kënaqur që jemi së bashku në rrugëtimin e sigurisë rajonale. Jemi bashkë të gjithë sepse siguria është e të gjithëve”, tha ajo.

Ndërsa koloneli Altin Kurti kërkoi të informohet më shumë lidhur me dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit dhe për fokusin e Komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Edhe përfaqësues të tjerë të Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë parashtruan pyetje për çështjet të cilat kishin më shumë interes më fushën e sigurisë, për të cilat morën përgjigje nga deputetët.