201

Duke kujtuar e nderuar një albanolog

Fundjavën që iku shqiptarët nderuan në Stockholm albanologun e madh suedez Ullmar Qvick. Një prej shumë gjërave të bukura që bëri e do të mund të bënte komuniteti ynë këtu ishte ky aktivitet. Pasditja e të premtes ngrysej ngadalë duke këputur përmallshëm gjethet e vjeshtës nga drurët e harlisur të këtij kryeqyteti nordik. Në hapësirën e madhe të sallës, vinin dalëngadalë bashkatdhetarë, buzëqeshjet e të cilëve i bënte kuptimplote pesha e takimit.

Në orën 18:00,  erdhi buzagaz edhe burri suedez. Me shtatin e lartë e ballin plot fisnikëri. Mbi vetulla i rrinin si borë balluket e bardha.  Edhe pse 85 vjeçar,  ecte lehtas e krenar, si të ishte një krye valltar ansambli.  Kur nisi të fliste e të përshëndeste shqip, dukej si orakull që derdhte dashuri e falte besim.

Bashkëbisedimit të ngrohtë me albanologun e madh, iu shkëput papritur ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë, shkëlqesia e saj Shkëndije Sherifi- Geci. Ajo u ngjit në skenë  dhe mori fjalën. Plot dashamirësi e qetësi diplomatike kumtoi se këtu në Stockholm, sonte na ka tubuar Ullmar Qvicku dhe pasioni tij për gjuhën shqipen. E për të përshkruar albanologun e madh suedez qëmtoi pak ligjërim Kadarean, e mori pak kujtesë albanologjike nga Lordi Bajron e Milan Shuflaj. Dhe e përfundoi me konstatimin se shtete e qeveri shqiptare edhe mund ta harrojnë emrin e Ullmar Qvickut. Por, është gjuha shqipe ajo që do ta kujtojë e nuk do ta harrojë.

Pastaj u shfaq një dokumentar i mirë me titull Ullmar Qvicku- Ambasador i Kulturës Shqiptare në Suedi me nëntitullin sqarues “Portreti kulturor”.

Dokumentari rrëfente historinë e gjatë, gati shekullore për pasionin linguistik të suedezit kureshtar Qvick. Regjisorja dhe skenaristja Fitore Rubovci kishte realizuar synimin e saj që brenda hapësirës televizive dokumentare të shfaqte gjithë jetën e shkencëtarit albanolog. Me shkrepjet dokumentare të fotove të hershme, me zërin e pamjen e radiove të moçme, regjisorja arrinte të ndërtonte imazhin e një të riu suedez që shtatëdhjetë vjet më parë rrekej të kapte sinjalet radiofonike të një gjuhë e muzike ekzotike. E largësia gjeografike e lidhjes ishte enorme, nga njëri skaj në tjetrin skaj të Europës. Për të sheshuar edhe më mirë ledhet dokumentare, regjisorja shpjegonte autoritetin e protagonistit  përmes opinioneve të shkrimtarëve, gazetarëve e publicistëve. Dhe të gjithë të intervistuarit, pa dallim, bënin të ditura anët e panjohura të albanologut, rrëfenin bukuritë e tij shprehëse në shqip, spikatnin njohuritë e thella historike e kulturore që zotëron ky suedez fisnik, për të kaluarën e të tashmen shqiptare. Dhe në fund kur dokumentari errësoi dritaren e vet, e ne nisem rishtas  komunikimin, habiteshe për një çast nga e vërteta, si arrin vallë një njeri i huaj të bëhet kaq i yti, si Ullmar Qvick! 

Në koktejin që shtroi organizatori (Ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë  dhe Rrjeti Shqiptaro-Suedez) njerëzit harruan kafetë e ëmbëlsirat. Ishin fjalët ëmbëlsira të Ullmar Qvickut që joshnin më shumë. Në hollin e mbushur me njerëz të pallatit ABF, albanologu rrëfente ngjarje, histori, dashuri e miqësi. Mes tyre edhe kjo: “kush ka një grua shqiptare nuk del i humbur nga kjo jetë”. Ullmar Qvicku vërtetonte pasionin e tij jetësor dhe dëshmonte dashurinë për shqipen e shqiptarët me emblemën e familjes së tij të bukur, Samken gruan e tij të dashur dhe Arlindën vajzën e tyre të bukur. Albanologji më të kurorëzuar se kjo është e kot të kërkosh.

Është gjuha jonë, shqipja e Naimit, e Lasgushit dhe e Kadaresë që Ullmar Qvickun nuk do ta harrojë kurrë sepse ishte Qvicku i ftohtë nordik që e gjeti dikur në jugun e ngrohtë europian, e dashuroi dhe e perfeksionoi aq bukur.

Qerim kryeziu