7 MARSI – si vlerë e si simbolikë e arsimit kombëtar shqiptar

129

Si datë historike, 7 Marsi kujton gjithmonë me krenari rrugën e mundimshme të ecjes së arsimit kombëtar shqiptar, rrugë që sivjet mbushi 133 vjet.

Si simbolikë, 7 Marsi na kujton më të bardhën ditë të arsimit fillestar, ditë që agoi plot diell në Korçën e bukur në vitin e largët 1887. Të tillë (të bardhë e të bukur) e quajti edhe Rilindja jonë kombëtare me Naim Frashërin në krye,  shekulli njëzet dhe fillimi i shekullit njëzetenjë.

7 Marsi, në kalendarin e historisë sonë njihet edhe si Dita e Mësuesit. E fjala MËSUES  e togfjalëshi Shkolla e Parë Shqipe nënkuptojnë shumë. Me rrezatimet e veta kuptimore këto dy leksema shqipe kanë simbolikë e  semantikë të veçantë. Të veçantë sepse MËSUESI  gëzonte (dikur)  prestigj në hierarkinë e vlerave, e Shkolla e Parë Shqipe  në gjykimin e gnoseologjisë  shqiptare për vlerat,  sugjeronte  gjithmonë dijen, kulturën, përparimin, emancipimin.  Simpatia shqiptare për Mësuesin  e dashuria e madhe për shkollën-dijen,  përkojnë  bukur me  vlerësimin që bënte dikur  një anglez i  mençur për mësuesit në Angli: “Mësuesit– thoshte W. Churchill  kanë fuqi të tilla që kryeministrat vetëm mund t´i  ëndërrojnë” .  E Winston Churchilli ishte vet kryeministër që i hiqte kapelën  autoritetit të magjishëm të mësuesve dhe insistonte  që edhe ata vet të kujtohen për vlerat e tyre në shoqërinë njerëzore. Secili shqiptarë, ruan në zemrën e vet dashurinë për Mësuesin e vet. Për atë  Mësues që ka ideuar gjithmonë në zemrat e tyre shqiptarizmin, atdhedashurinë dhe nevojën për liri e  virtyt njerëzor. 

Ditëlindja e arsimit tonë kombëtar

Shkollë shqipe ndonëse me karakter tjetër kishim edhe para vitit 1887. Brenda arealit gjeografik kombëtar  shkollë shqipe kishim në Velë, Kurbin, Blinisht, Orosh, Himarë e Stubëll të Kosovës. Praktikat arsimore të këtyre shkollave ishin me karakter fetar e hapësira e kohore e veprimit të tyre kapte shekujt  XVI – XVII.  Në diasporë (për kureshtjen tonë, meqë jemi shqiptarë të diasporës) shkollë shqipe pati  në Venedik qysh në vitin 1504 (quhej “Shkolla  e Shqiptarëve të Venedikut”-për habinë tonë të mirë afresku  me këtë mbishkrim ruhet edhe sot në hyrje të ndërtesës) në me mësues Marin Barletin e  Marin Beҫikemin.

Shkollat tona para vitit 1887 nuk kishin karakter obligues për fëmijët tanë, ishin thjesht shkolla elite për kohën në të cilat mësonin ata që kishin mundësi e shkathtësi intelektuale. Në Suedi, (meqë  gjallojmë këtu dhe e shkojmë jetën tash sa mot)  sistemi shkollor ishte gati  i njëjtë, në fillim kishte shkolla me karakter fetar e pastaj tek në vitin 1842 u krijua shkolla e parë fillore obliguese për fëmijët suedezë.  E sa herë vjen marsi , ne shqiptarët kujtojmë e festojmë ditën e 7 të këtij muaji si ditëlindjen të arsimit kombëtar shqiptar.

Mësonjëtorja e Parë e Korçës

Quhet Mësonjëtorja e Parë sepse për herë të parë në të nis mësimi shqip në mënyrë të organizuar dhe në bazë të një plan programi mësimor. Shkolla kishte tipare demokratike, pasi në të filluan të mësojnë fëmijë shqiptarë të të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Mësonjëtorja filloi punën me 35 nxënës, me katër klasa mësimi dhe një klasë përgatitore. Pas tre muajve u bënë 60 e në vitin e dytë 300 nxënës. Lëndë mësimore ishin: shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. Drejtor e mësues i  parë i shkollës  ishte Pandeli Sotiri. Mësues tjerë ishin edhe  Petro Nini Luarasi, Thanas Sina, Nuci Naci, Thoma Avrami etj. Edhe pse në kushte shumë të vështira politike e ekonomike shkolla punoi 15 vjet. Pastaj, u ndalua puna e saj, shumë mësues u vranë, e shumë të tjerë u  persekutuan. Shqipja si gjuhë shkolle e jete u suprimua prapë me dekret sulltanor e me propagandë shoviniste greke të kohës . Mirëpo Shkolla e Korçës bëri punën e vet. Fara që ishte mbjell atje, tashmë rritej dhe nuk kishte fuqi armiqësore  që mund ta pengonte. Për turpin e armiqve ballkanas, u provua që shqipja jonë të ndalohet edhe në fund të shekullit XX në Kosovë nga Serbia. Dhe nxënës e arsimtarë u flaken rrugëve, gazeta, televizione e radio u mbyllen.

Rruga e mëvonshme  e zhvillimit arsimor shqiptar  vazhdoi me krenari traditën shkollore të Korçës historike.  Në kohën tonë erdhi  me  porosinë e madhe për të kultivuar kudo gjuhën tonë të bukur dhe për t´ju kujtuar brezave të tashëm e të ardhshëm historinë e dhembshme të mbijetesës  së vet arsimore.

Sot, pas 133 viteve u tregojmë fëmijëve tanë, se ne nuk e kishim të lejuar gjuhën tonë, as edhe shkollimin e domosdoshëm fillor siç e patën të tjerët. Prandaj  7 Marsi më të drejtë quhet Dita  Kombëtare e Mësuesve Shqiptarë. E thash në fillim, se këtë ditë historike, e ka quajtur Ditë  të Bardhë  gjithë historia e kultura jonë shqiptare. E përfundoj duke thënë se  të tillë do ta quajmë edhe ne, edhe të tjerët pas nesh, për aq sa do të jemi.

Qerim Kryeziu