Cili është zhvillimi më i denjë për shqiptarët në politikë-nga B. Breznica

176

Kohët e fundit është duke u folur shumë për votimin dhe mosvotimin e shqiptarëve të angazhuar në politikë.

Shpeshherë ka mendime dhe bëhet një politikë goxha ballkanike dhe jo rrallë që i përkon një kohe të shkuar.

Sikur zgjedhja e një deputete në Parlamentin Europian është bërë lajm bombastik dhe “bile edhe Shkurtës e Gresës” ua ka marrë anën.

1. Të votohet dikush vetëm pse është shqiptar mua më duket se është mentalitet naiv.

Të gjithë e dimë se ka plot shqiptarë, ku populli i ka çmuar dhe ata e kanë shfrytëzuar të qenit shqiptarë për interesa të veta personale dhe nuk janë mërzitur fare për prejardhjen, bashkëkombësit dhe vendin e tyre.

Të gjithë e kemi më së paku një shembull ku shqiptari përbuzë, shkel, tradhëton, mashtron shqiptarët për t’u avancuar vetë, pasi janë “sahanlëpirës” dhe e kanë të zhvilluar lakminë dhe veturrejtjen, etj.

2. Kur e kërkon votën e dikujt (e vota është një gjë e shenjtë për mua sepse e di mirë çfarë do të thotë të mos kesh votë, të mos kesh zë dhe të drejtën e lirisë a të demokracisë) do të thotë të marrësh përgjegjësinë, të punosh për çështje ( frågor) që kanë të bëjnë me kategorinë që ua ke kërkuar votën. Nëse nuk ke çështje që nuk kanë të bëjnë me këtë kategori atëherë nuk ke të drejtë të kërkosh votën dhe të hidhërohesh pse nuk kishte besim te ti. Kjo vlen për të gjithë kandidatët shqiptarë, pa marrë parasysh ku kandidojnë. Me votat vjen edhe pergjegjësia, kështu e ka demokracia.

– Argumenti se shqiptarët janë xhelozë ndaj të vetit është MIT dhe nuk ka të bëjë asgjë me realitetin apo të vërtetën. Shqiptarët kanë votuar disa herë për shqiptarët dhe po aq herë janë zhgënjyer nga arroganca, manipulimi dhe mosinteresimi i çështjeve që kanë të bëjnë me të huajt në Suedi. Unë besoj se votuesi shqiptar ka qenë shumë i mirë dhe pak naiv. Ju ka marrë vota pa respekt të ndërsjelltë. Demokracia nuk ka vetëm të drejta, por edhe përgjegjësi për qytetarin e rëndomtë. Si reprezentant e ke përgjegjësinë demokratike shumë të madhe, pasi kur kërkohet vota duhet të respektohet jashtë mase.

Edhe unë kam votuar si shqiptar naiv për shqiptarët, dhe disa herë jam përplasur me një realitet të trishtë, mendjemadhësi, arrogancë dhe mosrespektim ndaj votës sime, e cila është e shenjtë. Nuk do i përmend me emra. Ka të tillë që unë i kam ndihmuar dhe bash mua më kanë tradhëtuar, zhgënjyer dhe dëmtuar në rrugën time, punën time pa e kërkuar apo marrë ndihmën, votën nga askush.

3. Shumë kandidatë në zgjedhje luajnë role të dyfishta, thjesht e përbuzin vendin e vet, e nganjëherë bëhen shqiptarë dhe e luajnë rolin e patriotit. E jo rrallë disa bëhen gjithçka tjetër, vetëm jo shqiptarë. Janë shumë kundërthënës.

4. Sot Partia e Moderatëve nuk është e interesuar për “suedezët e rinj”, për ne me prejardhje josuedezë. Kjo parti e thotë haptazi se do bashkëpunim me racistët e ashtuquajtur demokratët suedezë.

Të them të drejtën nuk e kuptoj se çfarë duan aty ata me prejardhje të huaj?!

– Argumenti se vijnë nga një familje e burgosur, e vrarë dhe e shkatërruar prej një sistemi totalitar komunist nuk qëndron aspak. Edhe unë vij nga një familje e tillë. Tre burra të ekzekutuar më 1945, një i zhdukur. Një familje, dikur borgjeze, me humbjen e baballarëve dhe të drejtave elementare, mbeti në skaj të zhdukjes, uria e përditshme e fëmijëve jetimë, dhuna gjithnjë e pranishme, frika gjithashtu. Pastaj vrasjet e mëvonshme, burgosjet, të drejtën për shkollim, për marrëdhënie pune, të drejtën e lëvizjes së lirë, etj.

Dallimi është se familja ime ishte një familje e rëndomtë shqiptare nga Kosova që duhej të duronte dhe askush nuk e njohu vuajtjen e saj. Dallimi është se nuk e shfrytëzoj këtë histori si shembull apo arsyetim që të bëj karrierë.

– Një numër i madh i shqiptarëve janë ngërthyer në një urrejtje ndaj komunizmit dhe harrojnë se ku janë sot. E kemi kuptuar kush ishte Enver Hoxha me shokë dhe shoqe. E kemi kuptuar gjithashtu se çfarë ka bërë ai! E tani është tani, jo atëherë. Tani duhet që shqiptarët të jenë syçelur dhe të kuptojnë se ku janë dhe çka janë, si dhe të punojnë për vetveten, duke u bashkangjitur aty ku mbrohen të drejtat e tyre elementare. Aty ku nuk bashkëpunohet me dreqin për interesa individuale. Kjo vlen për ata që janë në vendin e tyre të lindjes dhe jashtë saj.

5. Edhe nëse mbetem një plesht gjithë jetën, unë nuk do e kërkoj votën vetëm pse jam shqiptare, por sepse do punoj për të drejta të barabarta për të gjithë, pa marrë parasysh se kush dhe çfarë janë.

Suksese të gjithëve që arrijnë të avancohen, por një kërkesë, bëjeni me respekt, me ndërgjegje të pastër dhe me përgjegjësi demokratike.

Shqiptarët duhet të avancohen gjithkund, duhet të votojnë në të gjitha rastet me përgjegjësi për kandidatë adekuatë.

Mosdalja në votime është turp, gomarllëk, vetëvrasje.

Suksese dhe urime të gjithëve, pa marrë parasysh a pajtohem apo nuk pajtohem moralisht dhe politikisht!

Dashni për të gjithë!