A PO BËHEMI AKTORË NË FILMAT E GABUAR TË POLITIKËS?

93

Nëse na përsëritet filmi i njëjtë që për subjekt ka fatin tonë, atëherë edhe ne jemi bashkëfajtor, sepse në ato filma jo rrallë edhe ne bëhemi aktor që luajmë sipas sinopsisit të regjisorëve të politikës

Nga Mehmet PRISHTINA

Kosova prodhon më tepër politikë, se ç’ka nevojë realisht. Kjo industri joprofitabile e politikbërjes, e ka shndërruar vendin në një arenë betejash të pakuptimta,(për masat të cilat paguajnë faturen e politikbërjes (shpesh te falimentuar) ku askush nuk del i fituar dhe më së paku populli. Në këto beteja dalin të fituar vetëm ato forca që nuk ia duan të mirën Kosovës
Te ne mungojnë studimet e thelluara mbi raportin në mes të politikës dhe zgjedhësve dhe për rrjedhojë ne asnjëherë nuk e kemi të qartë se pse i njëjti elektorat (lexo:popull) i voton sërish subjektet e njëjta, të cilat ciklin e pushtetit e mbyllin pa ndonjë shkëlqim të caktuar.

Mungesa e këtyre studimeve ka ndikuar që kultura jonë politike të jetë shumë e ulët dhe e reduktuar në suaza të një rrethi të ngushtë kërkesash, kryesisht të karakterit social e ekzistencial. Te ne ende votuesi shikohet si makineri e një korporate të madhe që të dhuron pushtet edhe pa meritë, sepse llogaridhënia në fund të mandatit është një nocion i huaj për realitetin tonë socio-politik.
Në anën tjetër, edhe partitë politike te ne ende perceptohen si ente punësimi dhe si zyra ku gatuhen dallaveret e tenderimit. Kjo është edhe arsyeja pse oligarkitë tona politike, kauzat e tyre i ndërtojnë, jo mbi ndonjë strategji të mirëfilltë ideologjike, por mbi kërkesat e njerëzve për të përmbushur aspirata personale, ndërkohë që për aspirata kolektive mendojnë vetëm idealistët pa pushtet dhe pa pasuri.
Kjo është politika e cila krijon paradigma të gabuara mbi njeriun e pasur, i cili ose duhet të jetë i lidhur me pushtetin, ose duhet të kalojë nëpër shumë rrugë informale për të grumbulluar kapital dhe të mira materiale. Nëse ndiqet ndonjë rrugë e tretë, të papriturat dhe ndërskamcat janë pjesë e befasive që oligarkia politike i përgatit për ata që bëjnë biznes me nder. Oligarkia politike madje nuk e do as tatimin e tyre për ta fuqizuar shtetin, sepse kërkon qese të zeza najloni me para që përfundojnë nëpër xhepa individësh të veshur me pushtet.
Kjo është Kosova jonë, çfarë askush nuk e do të tillë, e cila lidhjen në mes të politikës dhe mirëqenies e krijon përmes hallkave që  formojnë një zinxhir të rëndë në qafen e popullit të shumëvuajtur.
Atëherë, pse na shërben politika? Për të zgjatur agoninë tonë, apo për të këputur zinxhirin e të keqes?
Përgjigja në këto pyetje, kërkon më shumë vëmendje, dhe mbi të gjitha kërkon një kombinim midis zgjuarsisë dhe guximit. Nëse ne zgjedhim të njëjtat ekipe që na sjellin humbje, atëherë çfarë kuptimi ka loja. Ky zhargon sportiv mund të përdoret edhe në politikë por  vetëm me një përjashtim. Në sport jepen premi dhe shuma të majme parash për të siguruar një lojtar të mirë dhe varësisht nga rezultate që tregon ai në fushën e garave, sigurohet edhe e ardhmja e atij lojtari. Por, në politikë, ne japim votën, e cila duhet të na kthehet në mirëqenie të përgjithshme.  Duke i deleguar vullnetet tona politike e qytetare tek njerëzit që ulen në kolltuqet e Parlamentit, ne sigurojmë status më të mirë social, ekonomik, politik e kulturor.
Në realitet çka po ndodhë?
A ka të ngjarë që  me vullnetet tona politike, dikush po e rregullon statusin e tij social e ekonomik, duke u shndërruar nga një leckaman në biznesmen, nga një njeri pa brekë, në një njeri që marrjen me politikë e përdor si trampolinë për të kaluar në favoret që ia jep pushteti.

Pra, me fjalë të tjera, nëse na përsëritet filmi i njëjtë që për subjekt ka fatin tonë, atëherë edhe ne jemi bashkëfajtor, sepse në ato filma jo rrallë edhe ne bëhemi aktor që luajmë sipas sinopsisit të regjisorëve të politikës.
Kosova ka brum edhe për “filma” të tjerë, vetëm se duhet sens për hulumtim.