Bashkëpunim i frytshëm me Universitetin Linnaeus të Växjös dhe ambasadën e Kosovës në Stockholm

340

“Linnéuniversitetet”- Växjö, 18 dhjetor 2019

Ambasadorja e Kosovës në Mbretërinë e Suedisë Shkëndije Geci-Sherifi,  u prit dje në universitetin Linnaeus të Växjös (Vekshjo) nga zëvendes  rektorja –profesoresha Ann-Charlotte Larsson dhe dekani i këtij institucioni Björn Johannesson. Takimi kishte për qëllim mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimeve në planin arsimor e shkencor mes dy vendeve.

Universiteti Linnaeus ka fituar një grant me peshë 9.8 milionë korona suedeze (909,300 euro) nga programi i Bashkimit Europian Erasmus për të ngritur dhe zhvilluar një Qendër Hulumtimi për Teknologji Informative në nivel kombëtar në Kosovë.

Me këtë rast, ambasadorja takoi profesoreshën Anita Mirijamdotter dhe profesorin Arianit Kurti që drejtojnë punët rreth këtij projekti. Profesorët prezantuan objektivat dhe fazat e zbatimit të projektit. Gjatë diskutimeve u vlerësua lart ky bashkëpunim.  Ndikimi i tij do të jetë shumë pozitiv, do të ndihmojë arsimin kosovar në zhvillimin e bizneseve dhe industrisë së vendit. Përmes këtij projekti do të rriten edhe më shumë mundësitë e bashkëpunimit mes Suedisë dhe Kosovës. Pas takimit zyrtar, ambasadorja jonë u prit përzemërsisht nga studentë e profesorë shqiptarë të këtij institucioni  shkencor të regjionit të Smålandit. 

Në takimin me studentë, e para mori fjalën profesoresha suedeze Larsson cila u uroi mirëseardhje gjithë të pranishmeve.  Pastaj u prezantuan profesorët dhe pjesëmarrësit tjerë studentë. Stafi akademik shqiptar përbëhej nga katër ligjëruesë me kredienciale të larta akademike në Universitetin Linnaeus: Arianit Kurti, Sabri Pllana, Mexhit Ferati dhe Fisnik Dalipi.  Studentët vinin nga Kosova, Shqipëria dhe trojet tjera etnike. Djemtë e vajzat ishin fëmijë të ardhur me prindër në Suedi në kohën kur Kosova jetonte ditë të vështira, ose të lindur këtu. Ndërsa studentët nga  Shqipëria ishin bursistë të projektit studimor Erasmus të universitetit të Växjös që pas përfundimit të studimeve rëndom kthehen në atdheun e tyre.  Ambasadorja e Kosovës falënderoi për gatishmërinë e këtij Universiteti për të ndihmuar me projekt studimor Kosovën dhe shprehu kënaqësinë e saj që ndodhet në mesin e kaq shumë të rinjve  shqiptarë që studiojnë. Pyetjet e studentëve kërkonin shpjegime për çështjen e  vizave për qytetarët shqiptarë në Kosovë dhe për sfidat me të cilat ambasadorja është ballafaquar në veprimtarinë e vet diplomatike.  Në fund të takimit, disa studentë u përgjigjen në pyetjet e televizionit AlbSe i cili edhe regjistroi gjithë rrjedhën e këtij organizimi të rëndësishëm.

Në universitetin e Växjös takuam shumë studentë shqiptarë që të bënin krenar.
Si ogur i mirë tingëllonte komunikimi i tyre në anglisht, suedisht e shqip.
Si diell rrezatonte intelegjenca që buronte nga sytë plot dritë të profesorëve shqiptarë.
Studentët e profesorët shqiptarë, tashmë të pranishëm kudo në qendrat universitare skandinave, të mbushnin shpirtin gëzim e zemrën plot  me shpresë.

Ndiqeni materialin në këtë link: https://www.facebook.com/albse.tv/videos/829133057535751/UzpfSTEwMDAwOTEzOTg5NTg3MTpWSzoxMDE0MzYxNzg1NTkwNDY4/

Qerim Kryeziu