Fëmijëria, lufta dhe kujtesa në autobiografinë e Dafina Buçincës

444

Dafina Buçinca ka diplomuar për gazetari dhe ka punuar për ca kohë për një televizion shqiptar në Kosovë. Në letërsi është shfaqur papritur, me llojin më sovran të saj, romanin autobiografik. Shfaqja e saj në letërsi, përveçse si gjakim i ëndërruar që në fëmijëri, vije edhe si thirrje e brendshme shpirtërore për të rrëfyer për një kohë. Për atë kohë të jetuar keq, duke ia vuajtur robërinë e duke ia shpresuar lirinë. Kohë që për bindjen e saj fëmijërore duhej të vinte e lulëzuar. E për habinë saj fëmijërore i erdhi e robëruar. E papritur e padëshiruar, siç mund të vije stuhia në një ditë të ngrohtë vere. Lufta nuk ishte në itinerarin e saj, as që imagjinohej në racion e vajzës dhjetë-dymbëdhjetë vjeçare. Dafina Buçinca, në këtë moshë ishte e veçantë, për të mos thënë e jashtëzakonshme. Si pesë vjeçare ajo shkruante dhe lexonte, kishte krijuar miqësi me librat aq sa ato i konsideronte thesare. Mbi kapakun e romanit “Zonja Bovari” nuk e shihte emrin e Floberit por emrin e vet. Lufta, i prishi bukurinë e ëndrrave, rendin e planeve të projektuara. Atëherë, kur një vranësirë distopike rritej e rritej pa pushim duke errësuar qiellin utopik të saj, e të sa e sa moshatarëve tjerë të asaj kohe. Autorja Dafina Buçinca sot jeton e punon në Suedi.

Fëmijëria

Romani “Fëmijë në luftë” është konceptuar dhe është shkruar si retrospektivë autobiografike për një periudhë të caktuar të fëmijërisë. Autorja Buçinca është vet personazhe kryesore në vepër. Në shtjellën e romanit, ajo është fëmijë, në momentin e shkrimit është nënë me dy fëmijë. Realitetet fëmijërore, i nënës dikur në Kosovë dhe i Noarit (djalit të saj) sot në Suedi janë diametralisht të kundërta. Paralelizmat as që mund të imagjinohen. Ndërkohë që si koncept fëmijëria është absolutisht e bukur, e ëmbël, e shtrenjtë njësoj për të dytë. Për Dafinën fëmijë, vetëm në një kuptim, brenda determinizmit kenceptual të fjalës. Jashtë këtij perceptimi, fëmijëria e Dafinës personazhe e autobiografisë ishte skëterre. Skëterrë në përmasat e evoluimeve shkak-pasojë të ngjarjeve: largimet masive të shqiptarëve nga puna- varfëria maksimale e familjeve tona; mbyllja mediatike- errësirë informimi në Kosovë; shkolla të ndaluara- analfabetizëm i shtuar; represion edhe më i rëndë- cenim edhe më keq i lirisë sonë; luftë e hapur- shkatërrim i vendit e deportim  masiv i popullsisë. Në këto kondita, fëmijëria e autores dhe e të gjithë fëmijëve të Kosovës vidhet hapur nga lufta, e humb kuptimin e vet. Lojërat e tyre të fëmijërisë treten në humbëtirat e tymit e flakëve, këputen si trëndafila nga goditjet e plumbave. Kujtimi, pas dy dekadave të kaluara, i kësaj fëmijërie dhe i kësaj kohe peshon rëndë. Përshkrimi i ngjarjeve vështirësohet e sfidohet nga qindra detaje e imazhe të padëshiruara. Është njësoj sikur të rinisësh një betejë të paparashikuar. Si t´i futesh serish ankthit, njëherë të përjetuar e mezi të kaluar.

Lufta

Në mbretërinë e të këqijave, lufta është e keqja më e madhe për fëmijët. Fatkeqësisht, fakt ky fatal, i provuar mizorisht mbi qenien më të pafajshme të popullit tonë-fëmijëve gjatë luftës në Kosovë. Sa fëmijë u vranë, u gjymtuan, u shkatërruan emocionalisht, u privuan nga të drejtat e tyre për t´u rritur, zhvilluar e shkolluar në Kosovë?!

Luftërat gjithmonë janë parë nga fëmijët si “lojëra” të pakuptimta. Ata shpesh janë gjetur skaj lufte, në mesin e saj, apo të rrethuar nga ajo. Kështu ka ndodhur edhe me fëmijët e romanit “Fëmijë në luftë”. Në një fshat të Kosovës, fshatarët rrethohen nga policia, paramilitarët e ushtria. Fshatin e ndante përgjysmë rruga automobilistike që të shpinte në thellësi të Drenicës. Rruga gjëmonte nga autoblindat, tanket e makinat tjera që transportonin armë e vrastarë për në Prekaz, ku kishte filluar lufta. Nga rruga, ktheheshin enkas policët serbë dhe futeshin nëpër shtëpitë e fshatarëve, i demolonin, i tmerronin e vrisnin njerëzit e pambrojtur. Dafina ballafaqohet vet me fytyrat e çartura policore e ushtarake. Njëherë, derisa po shkonte në dyqanin e fshatit për të blerë diçka, një tank serb ndalon, tytën e rëndë e të gjatë të tankut ia drejton vajzës së shastisur. Para grykës tmerruese, ajo  humb edhe ndjesinë e frikës. Një tringëllimë habie mbi atë çmenduri armiku e shkundullon edhe më shumë. Deri ku arrin mizoria dhe “fuqia” e një serpenti, përballë vogëlsisë së një fëmije! Prandaj, autorja provon t´ia shpjegon të birit luftën, me fjalët më të kapshme për diçka më të pakuptueshme për mendjen e tij.

Lufta e kishte goditur mjaftë Dafinën. E kishte lënë pa Baba, pa fëmijëri, pa shoqëri, pa shkollë e pa liri. Edhe kur zë ta kujtojë luftën, mijëra kilometra larg vendndodhjes, e përfytyron ashtu siç qe: e keqe, e rëndë, e pamëshirshme. Një hije tjetër e pështirosur e luftës që pasqyrohet në vepër është dhuna seksuale. Dhuna që lëndonte dhjetëfish më shumë se format tjera, kryhej në Kosovë me qëllim poshtërimi, shkatërrimi emocional e nënshtrimi shpirtëror. Akt ky shpërfytyrimi njerëzor që shfaqet para syve të anëtarëve tjerë në shtëpinë e saj. Dhuna seksuale ishte tragjedi e llojit të vet në luftën e Kosovës. Pandan këtij krimi (të pa denuar fatkeqsisht) autorja inkuadron në roman, me pak fjalë e me pak detaje edhe motivin e dashurisë së vërtetë njerëzore.  Atëherë kur përshkruan “kroin e dashurisë”,  diku në majat e maleve të Berishës. Atje, takoheshin të rinjtë, dashuroheshin dhe projektonin ardhmërinë e tyre. Ky detaj i autobiografisë e freskon veprën, e largon nga atmosfera e rëndë e luftës dhe nga shija neveritëse e dhunës së shumëllojshme. Në roman lexon edhe për ngjarjet historike të kohës si fjala vjen: krismat e uruara të armëve UÇK-së, luftën në Prekaz, masakrën në Reçak, betejën në Grykën e Llapushnikut që ia shtojnë vlerat dokumentare veprës.   Në “Fëmijë në luftë” spikat mjeshtëria e autores në rrëfimin e ngjarjeve, ndërkohë që të godet ashpërsia e jetës së saj të jetuar në kushte lufte.

Kujtesa

Njëzet vjet pas mbarimit të luftës në Kosovë, Dafina Buçinca i kthehet kohës së luftës me kujtesë. E kujtimet, janë për ´të agjentet më funksional të mbamendjes  që e bëjnë të ndjehet edhe mirë edhe keq. Romanin e fillon me shënime nate, me gjumë të prishur nga ankthi, me pyetje kureshtare të Noarit të vogël për ato që e ëma shkruante në fushën e bardhë të “MacBook”-ut. Kujtesa që ia kishte arkivuar ngjarjet një nga një në kokë e obligon të shkruajë, të evidentojë gjithçka me datë e me vit, me natë e me ditë. Vendin që do ta kujtojë quhej Zabeli i Ultë, vendlindje e saj që shtrihet në mes të Kosovës. Njerëzit që do të kujtojë me dashuri janë prindërit, vëllezërit, motrat dhe farefisi. Figurat për të cilat do të shpreh urrejtje janë armiqtë që kishin ndezur luftën.  Edhe njerëzit, edhe Zabelin e Ultë sikur i kishte harruar edhe vet zoti. Kështu të harruar nga të gjithë, ata detyrohen të kujtohen për vetën e vet, të qëndrojnë e të mbijetojnë. Dafina, atëherë e vogël e sot shkrimtare, nuk harron asgjë, të gjitha ndodhitë e asaj golgote i bënë të njohura përmes prozës autobiografike. Personalitetin e Babës e kujton përherë. Edhe sot, i bëhet sikur i ndjen aromën, ënde e pret ndonëse vet ishte pjesëmarrëse e rivarrimit të eshtrave të tij. Figurën e Babës e analizon nganjëherë nga hijet e gabimeve të tij të mundshme për të stigmatizuar në këtë mënyrë pakujdesitë e baballarëve tanë. Dashuria e Dafinës për Babën, e përshkruar në romanin autobiografik të saj është model, një kod i lidhjes së fuqishme prindërore me brezat. Nana- shkruan Dafina në roman, me ka mësuar se “bukuria e njeriut gjendet brenda tij”. Një perceptim ky etik/moral i të Bukurës dhe një dëshmi e lidhjeve me të ngushta e më konkrete të raporteve nënë-bijë. Në portretimin e prindërve nuk ka asgjë të sajuar, janë të kujtuar e të formësuar ashtu siç ishin në të vërtetë.

“Fëmijë në luftë” është roman i kujtesës për fëmijërinë e Dafinës në luftë që në këtë rast e promovon atë si shkrimtare të mirë. Shkrimtare që rrëfen totalin e një segmeti kohor të pasur me ngjarje. Rrëfimin e bënë “qartë, rrjedhshëm dhe brutalisht”, siç e thotë  redaktori i botimit të veprës Gëzim Aliu.

Shkrimtarja në studion e Televizionit AlbSe   

Dafina erdhi në studio me sigurinë e një gazetareje televizive dhe me algoritmin paksa të ndrojtur të shkrimtares për atë që do të prezantojë për shikuesit. Teksa bëheshim gati për xhirim, unë imagjinoja Dafinën si personazhe, jo si shkrimtare. Ashtu sic e përshkruan veten në roman, gocë të brishtë që i frikësohej luftës, policëve, armëve. Atyre armëve që kur eksplodonin natën, flaka u mbërrinte mbi majat e Goleshit.  Atë Dafinë të vogël që fshihej nën krevat kur u hynin armiqtë në shtëpi për të shastisur familjen e pambrojtur. Dhe sikur nuk i besoja vetes kur parakaloja shpejtazi realitetet para syve të mendjes. Realitetin e dikurshëm të Dafinës në luftë dhe realitetin e sotëm të Dafina Buçincës shkrimtare në liri. Fatmirësi që ka shpëtuar nga ajo zezonë, mrekulli që ka shkruar e botuar për atë zezonë. Për të çliruar vetën nga një ngarkesë dhe për t´i dëshmuar gjithë botës katrahurën tonë kolektive që e përjetuam.

Për më shumë ndiqeni emisionin e plotë:

Qerim Kryeziu