Gëzuar 1 Qershorin fëmijë të dashur

271

1 Qershori është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve! Të gjithë fëmijët në mbarë botën kanë të drejtë të jenë të lumtur, ta gëzojnë dhe festojnë jetën e tyre bashkë me prindërit, pavarësisht origjinës, racës, kulturës apo besimit. Kjo ditë, më tepër se një ditë festive, është një sensibilizim ndaj të rriturve, për t’i thënë jo dhunës, jo bullizmit, jo abuzimit ndaj fëmijëve.

Stafi i TV ALBSE në bashkëpunim me prindërit dhe me vetë fëmijët organizuan një program argëtues, mbushur me lojra, këngë, valle duke e bërë këtë ditë edhe më të veçantë për fëmijët tanë. Pjesëmarrësit ishin të shumtë, fëmijë që të dhuronin dashuri pa fund, që me vështrimin e tyre të mbushnin me jetë, që me energjinë e tyre treguan që ëndrrat mund të bëhen realitet.

Disa prej fëmijëve përfaqësues në këtë aktivitet: Albin, Albulena, Anela, Bleona, Diona, Eloisa, Eliona, Ernes, Floresa, Islami, Jolina, Leona, Lorin, Orgesa, Rilinda, Suna, Tringa.

Bleona Hasani, këngëtare jo vetëm e njohur në Shqipëri, por edhe këtu në Suedi, përshëndeti fëmijët me këngën No one like you.

Jo pa qëllim u organizua ky aktivitet nga TV ALBSE, porse për të treguar që fëmijët “jo thjesht luajnë”, por ata zhvillohen, rrisin aftësitë e tyre psikologjike, kuriozitetin, bëhen më të aftë për të zgjidhur problemet, më fleksibël, më të vëmendshëm, kontrollojnë emocionet, shkëmbejnë ide me njëri-tjetrin. Të gjitha këto ndikojnë në mirëqënien e tyre. Ndaj ky manifestim i adresohet të rriturve, duke ardhur në formë sensibilizimi dhe duke treguar që fëmijët janë të aftë për jetën e tyre, janë burimi më i vlefshëm dhe shpresa më e mirë për të ardhmen e kombit. Gëzuar fëmijë 1 Qershorin!