JEP DORËHEQJE KRYEMINISTRI I KOSOVËS

100

Ja deklarata e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Të nderuar qytetarë,

Dua të ju informoj se sot kam marrë këtë vendim:

Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falemnderoj për besim dhe përkrahje. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar.

Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci.

Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar.

Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.

Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufijë.

Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit.

Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes.

Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet.

Kosova euro-atlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë. Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje, e jo ndarja apo Republika e Dodikut.

Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime.

Pas kësaj dorëheqjeje MANDATIN IA KTHEJ POPULLIT. Sovrani të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.

I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqësve të koalicionit qeverisës.

Do t’i shërbej me besnikëri, gjithë jetën, POPULLIT, ATDHEUT DHE SHTETIT TIM KOSOVËS! Faleminderit.

I juaji,
Ramush Haradinaj