KADARE-me rastin e 84 vjetorit të lindjes dhe 47 vjetorin e përkthimit në suedisht

206

Në kritikën letrare suedeze pohohet me të drejtë se shkëlqimi në krijimtarinë voluminoze të Ismail  Kadaresë  nuk vjen nga jashtë si rrjedhojë e studimeve, kritikave apo komenteve që bëjnë të tjerët për veprën e autorit por, buron nga  brenda – nga vet thellësia e mendimit krijues dhe mjeshtëria brilante e rrëfimit që zotëron Ismail Kadare. E mendimi i tij krijues është krahasuar me të drejtë me kreativitetin e pashoq  të  Shekspirit, Markezit, Xhojsit, Kafkës  kurse stili shkrimor i tij krejtësisht autonom me disa nga veçoritë stilistike të këtyre shkrimtarëve.

Dhe ky konstatim këtu vjen pas gjithë atyre leximeve  që iu bënë veprave të Kadaresë të përkthyera në suedisht. Në të vërtetë përkthimi i parë i një vepre të Kadaresë në suedisht  ndodhi  47 vite më parë, atëherë kur edhe u përkthye vepra lapidar e autorit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (Den döda armens  general  1973).  “Gjenerali “ me aq sa duket, është  vepra e parë e një shkrimtari shqiptar e përkthyer në suedisht.  Deri me sot dolën në suedisht  dymbëdhjetë vepra  të Ismail Kadaresë. Disa  prej tyre janë ribotuar siç ishte rasti me ribotimin e njëkohshëm  të  tri  romaneve (“ Kronikë në gurë”, ” Pallati i ëndrrave”  dhe  “Dimri i vetmisë së madhe” ) në fillim të vitit 2015. Atëbotë përjetova dy emocione: kënaqësinë- teksa  lexoja shtypin suedez që vlerësonte  ribotimin dhe befasinë- kur teksa bëja porosinë e veprave u ballafaqova me këtë përgjigje të librares  “është edhe yni, zotëri!”-  pas dëshirës sime për ta sqaruar se Ismail Kadare është shkrimtari më i madh shqiptar. U befasova,  sepse për një moment mu duk sikur gruaja e bukur me sytë e kaltër si thellësitë e Baltikut, përpiu shkrimtarin tonë të madh,  fal mjeshtërisë së të cilit bota lexon vlerat e tij letrare.

Veprat e Kadaresë botohen  nga shtëpitë  botuese me renome në Skandinavi.  Kështu  bie fjala, shtëpia botuese  “Albert Bonniers förlag “( më e vjetra në Suedi e themeluar në vitin 1837, boton afër 100 tituj të rinj në vit, gjysma e botimeve janë letërsi botërore) ka botuar këto  vepra:  “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”,  “Kronikë në gurë”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Kamarja e turpit”, “Kush e solli Doruntinën”, “Dosja H”, “Pallati i ëndrrave”, “Përbindëshi”, “Lulet e ftohta të marsit” dhe  “Prilli i thyer”.  Romanin “Dasma “ e ka botuar shtëpia botuese “Oktoberförlaget” në vitin 1976. Ribotimet e fundit në vitin 2015 i bëri shtëpia tjetër botuese “Modernista” e mirënjohur për botimin e shkrimtarëve nobelistë.

Veprat e përkthyera në suedisht

  1. Den döda arméns general (Gjenerali i ushtrisë së vdekur) Përktheu Britt Arenander, Bonnier, 1973

Romanin e përktheu Britt Arenander. Arenander është shkrimtare, gazetare dhe përkthyese e shquar në Suedi. Ka përkthyer nga frëngjishtja në suedisht edhe këta autorë të njohur:  Jean Rhys, Vikram Seth, Elie Wiesel etj. “Gjenerali…”është romani i parë i Kadaresë botuar në suedisht. Kritika e vlerësoi shumë duke nënvizuar madje se “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”  është romani më madhështor për luftën, i shkruar pas Luftë së Dytë Botërore që kundërshton pikërisht luftën. Gjithë krijimtarinë letrare të Ismail  Kadaresë e shquajnë tonet komike, groteske, vetëkritike, tragjike, mitike e pacifiste.

  1. Krönika i sten (Kronikë në gurë) Përktheu  Britt Arenander,  Bonnier, 1975

Në këtë vepër është kapur gjithçka nga vështrimi syshqiponjë  i shkrimtarit, thotë kritikja e njohur në Suedi  Ann Lingebrandt. Një djalë shqiptar, kureshtar evokon fëmijërinë e kaluar në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Mirëpo “Kronikë në gurë” është larg çdo udhëtimi nostalgjik në të kaluarën. Vepra është shkruar me një sensibilitet epshor dhe titulli i saj do të mund të tingëllonte bukur edhe si “Kronikë në gjak” përfundon Lingebrandt. Romani pasqyron Shqipërinë e viteve 40-të. Ngjarjet e thurura nga perspektiva e fëmijës  alternohen me kronikat zyrtare të kohës që duken sikur të jenë të shkruara në gurë. Lufta, dhuna, besëtytnitë, të këqijat mund të munden vetëm me dashuri, fantazi dhe kreativitet- thotë botuesi i veprës.

  • Bröllopet (Dasma) Përktheu  Lars Åke Augustsson, Oktoberförlaget, 1976

 Romanin “Dasma” e përktheu në suedisht Lars Åke Augustsson. Augustsson është shkrimtar, përkthyes dhe gazetar i njohur në Suedi. Kritika letrare dhe lexuesit e shumtë në Suedi e vlerësuan romanin si vepër interesante dhe dëfryese njëkohësisht. Romani pasqyron ndryshimet shoqërore të kohës në Shqipëri, rindërtimin e vendit në vitet 60-të. Në roman shquhen edhe dimensionet tjera tematike si: rinia- dashuria-dasma, pasojat e mbetjeve feudale në Shqipëri, fenomeni i gjakmarrjes (temë preokupuese te Kadare), sabotimi politik etj.    

  • Den hårda vintern (Dimri i vetmisë së madhe) Përktheu nga frëngjishtja Marianne Eyre, Bonnier, 1980

  Romanin e përktheu nga frëngjishtja në suedisht Marianne Eyre. Eyre ka përkthyer në suedisht portugezët Antonio Lobo Antunes, Jose Saramango etj si dhe nga frëngjishtja në suedisht Kadarenë , Regine Deforges etj. Në vitin 2015 ky roman u ribotua nga shtëpia botuese “Modernista”.  Kritika letrare ne Suedi e konsideron këtë vepër si roman kolektiv që pasqyron Shqipërinë e kohës përmes një kori zërash, prej atij të pastruesit të rrugëve e deri te diktatori, prej thashethemeve të fqinjëve e deri te lojërat e mëdha politike në kryeqendër.

  • Stäppgudarnas skymning (Muzgu i perëndive te stepës) Përktheu nga frëngjishtja Lillemor Gustavsson, Bonnier, 1983

Është viti 1958 dhe studenti Ismail Kadare ndodhet për studime në Moskë. Lajmi i kundërshtive mes vendit të madh komunist dhe Shqipërisë së tij të vogël përhapet me të shpejtë në kryeqendrën  sovjetike. Në korridoret e institutit “Gorki  Kadare takon studentë e shkrimtarë nga gjithë bota. Autori ndjen vetën të huaj, si të pa shtëpi, përherë e më shumë të izoluar. Përballë kësaj ftohtësie ruse e kulturës së huaj është origjina e shkrimtarit, vendlindja e tij ajo që e mbanë të fortë e të ekuilibruar.   “Muzgu i perëndive të stepës” nuk është roman zbulues, ka të bëjë më shumë me ndjenjat e shkrimtarit  dhe me atë se si Kadare perceptonte absurditetin e dikurshëm të Bashkimit Sovjetik në kohën kur vet ishte student në Moskë. “Muzgu … është një roman thërres për frikën, dashurinë dhe thyerjet e mëdha politike të kohës”- thuhet në ueb portalin skandinav Boksampo që prezanton letërsinë më të mirë botërore. 

  • Nischen i muren (Kamarja e turpit) Përktheu nga frëngjishtja Marianne Eyre, Bonnier, 1986

Kadare njeh mirë strukturat burokratike, ekspansioniste, totalitare të Perandorisë Osmane. Në “Në kamaren e turpit” autori spikat bukur një skenë të teatrit gjakatar të Perandorisë. Në këtë skenë të quajtur kamare turpi ekspozoheshin kokat e prera të kryengritësve. Në roman lexojmë mizorinë, vrazhdësinë, gjenezën kriminale të kësaj Perandorie. Në këtë kamare kokat e prera nuk vjetrohen kurrë. Këtu, një ditë ekspozohet edhe koka e prerë e pashait shqiptar Ali Tepelena. E pashai i gjorë shqiptar, si mik i ushtarakut francez  Napoleon e poetit anglez Lord Bajron, ëndërronte të bëhej një ditë si Skënderbeu i dikurshëm.   

  • Vem förde hem Doruntine? (Kush e solli Doruntinën?) Përktheu nga frëngjishtja  Marianne Eyre, Bonnier, 1988

 Në një qytet të vogël të Shqipërisë, në mesjetën e dikurshme një vashë me emrin Doruntinë kthehet një natë në shtëpinë-mbretërinë e fëmijërisë. Brenda gjen nënën e dëshpëruar, të gjorë e të pa kurorë. Nënës i thotë se me solli Konstantini e nëna sapo ndërpret  vajtimin e djemve të vrarë përfshirë edhe vet Konstantinin. Atëherë, kush e solli Doruntinën? Pyetja bashkë me subjektin plot tension të kujton subjektet tragjike të letërsisë antike greke  të cilat Kadare i njeh për bukuri. Përfundimi mistik i ngjarjes shqetëson policinë dhe kreun e kishës. Ngjarjet vihen në një perspektivë më të gjerë historike, shohim tensionet fetare brenda kishës katolike e ortodokse dhe problemet politike midis oksidentit e orientit. Dhe epilogu do të ishte i thjeshtë sikur Kadare t ´mos kishte ndërtuar këtë vepër mbi bazën e legjendës shqiptare për Besën e cila në këtë vepër është në epiqendër.

  • Bergens Homeros (Le dossier Homeros) Përktheu nga frëngjishtja   Agneta Westerdahl, Bonnier, 1990

 Dy irlandezë vijnë në Shqipëri për të studiuar traditën e këndimit  popullor. Tekstet e këngëve janë të vjetra, tradita e këndimit e lashtë, shtrihet deri në kohët Homerike. Irlandezët kureshtarë besojnë se vetëm në Shqipëri  ky vjershërim i lashtë Homerik bartet deri në kohën tonë në formë të kënduar. Mirëpo kjo vizitë e irlandezëve me qëllim studimi nuk shikohet si e tillë në Ministrinë e Brendshme. Irlandezët (dhe teknika e tyre regjistruese) merren si spiunë të shtetit e pushtetit popullor. Prandaj jepet alarmi. Irlandezët vazhdojnë të studiojnë këngët, e pushteti vazhdon të hetojë studiuesit nga të gjitha anët. Ajo që më se shumti fascinon në këtë vepër-thonë komentuesit e shumtë suedezë- janë fragmentet e këngëve mitike që ritregohen dhe variacionet ndërmjet varianteve të tyre të ndryshme. Pikërisht kjo u interesonte studiuesve. “Dosja H”  është një thjerrëz e fuqishme drite lëshuar mbi botën shqiptare në ndryshim dhe përveç kësaj është vepër e këndshme që lexohet me ëndje disa herë-shkruan botuesi i saj.

Drömmarnas palats (Nëpunësi i pallatit të ëndrrave) Përktheu nga frëngjishtja Agneta Westerdahl,  Bonnier, 1992

 Pikërisht në këtë roman Kadare shfaqet si një Kafkë shqiptar-thotë studiuesja Ann Lingebrandt. Kafka shqiptar projekton mjeshtërisht në vepër një sagë të errët për burokracinë e një perandorie të errët si vet makthet. Rrëfimi në ketë roman nuk ka të bëjë shumë me fatin e njeriut të vogël nën tirani, aq sa ka të bëjë me fatin e keq të gjithë kombit të përpirë nga tirania e okupimit. Ky roman, alegoria e tij nuk e ka humbur aktualitetin as sot. “Pallati i ëndrrave” jep mundësi të pashtershme interpretimi, thotë Lingebrandt. Kjo prozë e Kadaresë është e kalibrit të Shekspirit, Kafkës apo Xhojsit. Është prozë ekzemplar, medaljon i rrallë letërsisë europiane. “Pallati i ëndrrave” ribotohet pas 23 viteve nga shtëpia botuese “Modernista” në Stockholm.

  • Monstret (Përbindëshi) Përktheu nga frëngjishtja  Agneta Westerdahl, Bonnier, 1994)

  Në këtë vepër Kadare niset nga lufta e Trojës, nga miti për tradhtinë e Helenes së bukur, nga xhelozia e Parisit e Menelaos dhe nga dinakëria me kalin e Trojës- Përbindëshin. Një histori antike kjo që reflekton në kohën tonë, në dashurinë e Gentit e Lenës si personazhet kryesore të kësaj vepre. Një furgon i kohës së sotme merr përmasat e kobshme, si ato të kalit të Trojës në antikë. E brenda këtij furgoni përbindësh fshihen njerëz që presin një sinjal të vetëm për të dhunuar si në antikë qytete, shtete. “Përbindëshi” mund të thuhet se është një lloj shpjegimi modern i Iliadës së Homerit. Alegoria e romanit është e lidhur ngushtë me të ashtuquajturën demokraci të kohës. “Ky roman, si një sagë mitike, si një përshkrim modern dhe si një vizion i frikshëm i ardhmërisë është veçanërisht i realizuar dhe një nga më të bukurit në letërsinë e sotme europiane”- thotë shtëpia botuese “Bonniers” me rastin e botimit.    

  • Aprils frusna blommor (Lulet e ftohta të marsit) Përktheu nga frëngjishtja  Dagmar Olsson, Bonnier, 2003

  Romanin e përktheu Dagmar Olsson. Zonja Olsson ishte historiane e letërsisë dhe studiuese e njohur e gjuhës frënge. Edhe në këtë vepër stili i rrëfimit te Kadare është fantastik, ai thurë legjendat shqiptare në romanet e tij në  mënyrë të shkëlqyer. Nga leximi  fiton njeriu një përfytyrim tjetër, të ndryshëm  nga  realiteti  që Shqipëria e Kadaresë ka jetuar në të vërtetë. “Përfytyrimi im për vendin e autorit pas leximit është sa romantik e përrallor aq edhe heroik e tragjikomik” -me thotë gazetarja e të përditshmes “Helsingborg dagblad”  Mari Rydström. Në romanin “Lulet e ftohta të marsit”, Kadare me dorë të lehtë e të sigurt  mjeshtri, vë Shqipërinë e përgjumur përballë traditave shekullore, realitetin e përditshëm pas letargjisë komuniste përballë ëndrrave domethënëse për ardhmërinë.

  1. Grymma april (Prilli i thyer) Përktheu nga frëngjishtja  Dagmar Olsson,  Bonnier, 2007

 Ky roman qëmton një dimension tragjik të shoqërisë shqiptare të dirigjuar nga normat kanunore. Ngjarjet e romanit  zhvillohen në fillim të shekullit XX në pjesën veriore të Shqipërisë, atje ku sipas kanunit çdo vrasje duhej të paguhej me vrasje. Fenomeni i gjakmarrjes reflekton edhe në shumë romane tjera të Kadaresë. Studiuesja Carina Waern thotë se romanin e shquan një lloj joshje e qartë sugjestive, është shkruar mirë dhe të prekë shpirtërisht me përmbajtjen tragjike. Tregimet e shumta të këtij romani të kujtojnë stilin Shekspirian apo Kafkian të të rrëfyerit- thotë Carina Waern.

Kadare botohet, lexohet e vlerësohet shumë në Suedi. As autorët tjerë botëror, tashmë nobelistë nuk janë përkthyer e botuar në suedisht sa Ismail Kadare. Cilido botim i Kadaresë në Suedi, apo gjetkë nderon në radhë të parë kreativitetin dhe gjenialitetin artistik të autorit dhe në radhë të dytë çmon shumë shqipen si gjuhë- shqipen e gjithë atyre bashkëkombësve të shkrimtarit që sot e mirëpresin librin e tij anembanë botës.  

Qerim Kryeziu