Kalorësi i Rrugës Pafund

201

Në Malmö të Suedisë, jo larg bregdetit, aty ku sheshohet këmba e parë e urës gjigande mbi detin Öresund, jeton dhe vepron artisti shqiptar Salih Lutolli Agi. I mërguar prej vitesh, këtu në këtë cep verior europe, ai nis kujdesshëm ditët e ngrysura të dhjetorit, i qetë si haik Tranströmeri atëherë kur intuita krijuese i kap formën e dëshiruar dhe i sertë si akt surealizmi atëherë kur empirika s´ia gjen dot përmbajtjen e kërkuar.  

Salih Lutolli u lind më 1951 në Llapashticë të Besianës.

Në Prishtinë mbaroi Akademinë e Arteve, degën e Grafikës.

Si fëmijë shkolle, shokët e thërrisnin piktor, meqë gjithë ditën e kalonte duke vizatuar nëpër mure, pluhur e shuplakë dore flutura, zogj e bukureza.

Si i rritur, Lutolli la emrin e vet plot shkëlqim në historinë e arteve figurative në Kosovë si grafist, ilustrues, dizajnues  grafik e piktor.

Në Kosovë, ka punuar një kohë mësues frëngjishteje pastaj në Televizionin e Prishtinës, në  “Zërin e Rinisë” dhe në “Rilindje”.

Një mëngjes të tmerrshëm prilli, të vitit 1998, ushtarë e paramilitarë serbë, me tyta armësh ngjeshur në shpinën e tij, e larguan nga Prishtina.

Me vete, arriti të marr ato pak gjëra, pa të cilat as në varr nuk do të shkonte, një bohçe me ca tablo artistike.

Ankthin dhe trishtimin e atij mëngjesi prilli, e derdhi artistikisht në shumë grafika e tablo të reja. Si inerci artisti, si një shpërthim shpirti kundrejt tragjikes e absurdit të asaj kohe. Edhe sot kur vrojton artin e Lutollit, përveç kënaqësisë artistike, përjeton edhe dhembjen që karakterizonte atë kohë, si në veprat për tragjiken e gjymtyrëve, fatalitetin e kokave e diasporën e trupit. Koncize si në tekste epitafesh, në tablotë e piktorit Lutolli sheh katrahurën që përjetoi vendi e populli në fund të shekullit njëzet.

Poshtë pallatit ku banon ka atelienë e vet, në të cilën zakonisht i ngrys ditët duke vizatuar dhe i zbardhë shpesh herë netët duke ëndërruar.

Në shpirt, si një Albert Dyrer, në dukje si një Salvador Dali, piktori shqiptar luan aktet e vokacionit të tij, herë duke skicuar e herë duke dizajnuar  vepra të reja.

Gjithmonë në këmbë, pranë kavaletës në atelienë e vogël, këtu në Malmö të Suedisë, ai u bënë nder legjendave shqiptare, u hedh syrin depërtues miteve e epikës sonë, u flet kullave të moçme e simboleve tona kombëtare. Të gjithave, duke u dhënë në grafika kuptime  e trajta të bukura vizuale. 

Salih Lutolli vazhdon të aplikojë stilin surrealist si veçori të shprehjes së vet kreative, ndërkohë që realizmin e respekton dhe dokumentaren e kultivon.

Në Suedi ky piktor i dashur shqiptar, shfleton përmallshëm të kaluarën, gjykon arsyeshëm të tashmen dhe tjerr mendueshëm të ardhmen. Pastaj në kavaletë, tri kohëve u jep forma e përmbajtje të përsosura figurative. Nganjëherë provon edhe magjinë e artit poetik në të shkruar, i bindur se poezia dhe piktura janë vëlla e motër. Pikturat e Lutollit janë në të vërtetë poezi të rafinuara që flasin pa fjalë. Arti i tij figurativ nuk imiton, është shembull i krijuesit që gjakon jetën ta bëjë art.

Agi, edhe në moshën që ka, vazhdon të kalërojë  si një kalorës i shkathët rrugëve te pafundtë artit…    

Takimi

Në fund nëntori vendosem për të vizituar piktorin Salih Lutolli, në atelienë e tij në Malmö. Në fillim dhjetori ia bëhem aty, së bashku me ekipin e Televizionit AlbSe. Asnjëri prej nesh nuk e mbante mend saktë orën e takimit. Megjithatë, piktori na priti miqësisht, ndonëse me një tis të zbehtë habie në fytyrë.

Artisti ktheu çelësin dhe hapi derën e ateliesë. Kur iu futem brenda, me kamera të ndezura e sy të zgurdulluar mbi tablotë të varura nëpër mure, ia shembëm mëdyshjen. Kureshtja jonë e sinqertë, e zbriti piktorin nga maja e Olimpit artistik dhe e uli në fronin orakullit rrëfyes. Te tretur thellësive plotë simbolikë të tablove të varura nëpër mure, gati harruam detyrën. Kur e ke bërë këtë portret? e pyes. Po, këto koka çka paraqesin? Sa të qetë jep femrën këtu!? Shpjegimet e kursyera të piktorit për motivet, dritëhijet, simbolet e ngjyrat na mahnitnin. Pyetjet e mia s’reshtnin, përgjigjet e tija lakonike njëjtësoheshin me vlerat e pikturave të varura rreth e qark.           

Përballë artit figurativ të Salih Lutollit-AGI

Agi, vizatimin e parë e publikoi kur ishte 17 vjet. Atë ditë, rrugëve të Prishtinës nuk ecte, fluturonte nga gëzimi. Më vonë, edhe një herë i rastis të gëzohet e të qaj nga gëzimi, atëherë kur nën përkujdesjen e tij, në shtëpinë botuese “Rilindja” i ra në dorë i ngrohtë, ekzemplari  i parë i “Mesharit” të Gjon Buzukut. Atëbotë-kujton piktori, gëzimi dhe vaji u bashkë dyzuan. Gëzohej sepse kishte bërë vet gati botimin, e lotonte sepse vlera e librit të botuar ia ngacmonte shpirtin, ia ndizte fitilat e krenarisë kombëtare në atë kohë problematike për ne.  Vizatimet e Lutollit i referohen historisë, jo për të ngelur aty por, për t´u frymëzuar nga ajo. Legjendave u jep gojë, epikës i jep zë, kullave domethënie, simboleve dimensione të reja kuptimore. Tabloja “Portreti i udhëve të pafund “ flet me tri elemente sugjestive: rrugës, vesë dhe rrotës. Të tri elementet japin pafundësinë, në kuptimin e rrugës që s´ka fund, pyetjes (veza apo pula?) që s´ka përgjigje dhe rrotës që s´ka të ndalur. “Gjeli dhe Kulla” është një vepër tjetër rreth së cilës nuk përfundon përsiatja kurrë. Tabloja “Diaspora e trupit” shfaq tragjiken e ekzistencës sonë të ndarë në pesë pjesë etnike, të shpërndarë në pesë kontinente. “Kalaja e Ulqinit” flet për besën dhe tradhtinë ndërsa Tabloja “Kthimi i motrës” ri aktualizon motivin e moçëm që vlerëson lart fjalën e dhënë dhe shfaq  bukur vizualisht po atë përmbajtje që në letërsi  e ka dhënë prej kohesh Kadare.  Të grafika “Quo Vadis” heton motivin politik, ndonëse për politikë Agi nuk flet. Kokat ndjekin udhët e panjohura, trupat s´kanë koka. S´ka shprehje figurative më të fuqishme se kjo, për një vend që s´ka udhëheqje, drejtues, kokë. Te “Ploja në Abri” dëgjojmë dhembjen që flet, vdekjet që nënkuptojnë jetën, lirinë që injoron robërinë.  Lutolli ka punuar shumë me tush, tushit ia njeh edhe imtësitë, me tush ka dhënë më fuqishëm se me çfarëdo kolori tjetër të bukurën dhe të shëmtuarën.  Një grafikë e punuar në ekzil  e paraqet  Suedinë jo me borë e akullnaja siç e merrte me mend dikur por, si një lis gjigand që ngjitet gjallërisht në qiell dhe lëshon butësisht rrembat mbi tokë. Kur e pyes pse me këtë imazh e jepni Suedinë, me përgjigjet “sepse kështu e gjeta, të gjelbër, të harlisur drejt qiellit”. Kur vrojton më thellë në këtë tablo,  në sfond të shfaqet një siluetë gruaje e parë nga mbrapa. Gruaja , nënkupton femëroren të lidhur ngushtë me vet emrin e shtetit-Suedia.

Në krijimtarinë e Lutollit gruaja paraqitet sovrane, me shpirt të lirë e  territor të pashkelur.  Te “Bekimi i nënës” , “Nëna me hënë” , “Kur qielli vritet” e ndonjë vepër tjetër, femra edhe pse në sprovë, në çaste ekzistenciale,  gjithmonë është në  harmoni me shpirtin e trupin, e shkrehur në  qetësinë e vet, e paepur në trazimin e saj.  

Lutolli, sa është artist në shprehje figurative vizuale po aq është stilist në emërtimin e veprave të tij. Titujt: “Urë e gji”, “Eklipsi i familjes”, “Vatër në shekuj”, “Rrënimi i shtyllës”, “Udhët e kokës”, “Vdekja fisnike” dëshmojnë kulturën e tij letrare, dëshirën e tij të pashuar për të lexuar. “Asnjë ilustrim nuk kam kryer pa lexuar në tërësi veprën që do të ilustroja” –me thotë Lutolli në intervistën për Televizionin AlbSe.

Agi punon me zell, me dashuri e me finesa artistike. Figura e mendjes  së tij jep ide të qarta e lëshon mesazhe të thella. Vijat e gishtërinjve të tij janë të durueshme, të derivuara  kurse kompozicionet madhështore. Në historinë e vizatimit, ilustrimit, grafikes e dizajnit artistik në Kosovë nofka  e tij e shkurtër AGI do të rrijë përjetësisht, si emri që i bëri nder të madh kësaj gjinie artistike.

Qerim Kryeziu