KJO KRIZË SHËNDETËSORE KA NEVOJË EDHE PËR “INFUZION” FINANCIAR

283

Në kushtet kur kondicioni fiskal dhe sistemi i përgjithshëm pagesor mund të pësojë rënie, Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të jetë më e hapur edhe ndaj donatorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përmes një aksioni ONLINE, të cilët në këto momente vështira mund ta zbusin këtë krizë shëndetësore me “infuzion” financiar

Nga Mehmet PRISHTINA

Në kohën kur po përballemi me virusin e rrezikshëm Covid 19, na imponohet edhe një temë e ngutshme që lidhet me ekonominë. Për rrjedhojë Qeveria e Kosovës duhet të marrë një paketë masash ekonomike për t’i ardhur në ndihmë bizneseve dhe shtresave në nevojë të shoqërisë.

Në kuadër të përballimit dhe kapërcimit me sukses të situatës së shkaktuar nga COVID 19, Qeveria e Shqipërisë ka miratuar propozimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ndryshimet në Buxhetin e Shtetit për Vitin 2020, me çka bën të mundur alokimin e një Pakete Financiare prej 12 miliardë lekë për përballimin të situatës emergjente të krijuar nga Pandemia COVID-19.

Nga situata e izolimit, ku shumë degë prodhuese janë reduktuar ndjeshëm, pritet goditje e madhe në ekonomi dhe kjo do të reflektohet në jetën e përditshme të qytetarëve. Këta të fundit mund të zbresin edhe ndonjë shkallë rangimi në grafikonin e përgjithshëm të mirëqenies sociale.

Në një situate të tillë, Qeveria duhet urgjentisht të aplikojë masa emergjente për të siguruar ushqim për familjet e varfra, të cilat aktualisht  nuk punojnë, por nevojitet edhe një paketë lehtësuese për bizneset që janë të mbyllura.

Tash më dihet se një pjesë e konsiderueshme  e familjeve kosovare  janë të varura nga paga, ndërkohë që shumë firma të vogla dhe të mesme që tani po ndiejnë vështirësi të mëdha për të realizuar procesin e prodhimit dhe të shitjes. Duke iu referuar përvojave të shumë vendeve të tjera, qeveritë tash më janë  mobilizuar në aplikimin e paketa financiare, të cilat do të ndikojnë në zbutjen e efekteve goditëse të pandemisë globale në ekonomitë lokale.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka folur rreth pasojave që do të jenë në ekonominë e Kosovës pas gjendjes së krijuar nga koronavirusi i ri i cili tanimë ka prekur pothuajse të gjitha shtetet e botës. Mehmeti thotë se shpërndarja e virusit COVID-19 ka krijuar një situatë të re në gjithë botën dhe pasojat për ekonominë pa dyshim se do të jenë evidente. Sipas tij, pamundësia e bizneseve për të ushtruar aktivitetin e tyre në mënyrë normale do të ndikojë në punësimin dhe të ardhurat e qytetarëve, duke ndikuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë në rënien e konsumit”.

Ndërkohë, punëtorët e Britanisë së Madhe të cilët nuk mund të bëjnë punët e tyre si rezultat i pandemisë së Coronavirusit do të kenë deri në 80 për qind të pagave të tyre të mbuluara nga qeveria.

Gjithashtu 750 miliardë euro është paketa e emergjencës që ka lëshuar Banka Qendrore Europiane (ECB) për të qetësuar tregjet dhe për të ndihmuar ekonominë e Eurozonës gjatë pandemisë së koronavirusit. Sipas paketës së emergjencës, Banka do të blejë borxhin e qeverive dhe kompanive në të gjithë Eurozonën, përfshirë edhe Greqinë dhe Italinë për të kundërshtuar ndikimin e virusit në ekonomi. Tregjet e aksioneve kanë pësuar një zhytje historike, ndërsa koronavirusi është përhapur në të gjithë botën.

Edhe Kongresi amerikan miratoi sot një plan ndihme sociale prej rreth 100 miliardë dollarë, për punëtorët e prekur drejtpërdrejt nga ndikimi i koronavirusit. Në të njëjtën kohë, deputetët dhe Shtëpia e Bardhë po negociojnë një plan gjigant për rimëkëmbjen ekonomike, që mund të arrijë deri në 1,3 trilion dollarë.

Përpos këtyre shteteve të zhvilluara, edhe shtetet fqinje po ndërmarrin masa për të zbutur efektet negative ekomomike nga përhapja e pandemisë së virusit Covid 19.
Edhe Republika e Maqedonisë së Veriut planifikon të marrë hua prej 600 milionë euro për mbajtjen e likuiditetit të buxhetit në betejën me dëmet financiare nga virusi i koronës.

Qeveria do të kërkojë 400 milionë euro hua nga bankat e huaja, deri në lëshimin e eurobondit. Borxhi do të jetë me afat kthimi prej 12 muajve, me normë interesi nën 2,75 dhe do të shlyhet me mjetet e eurobondit të ri. Plani është që 87 milionë eurot shtesë të tërhiqen nga FMN ndërsa 100 deri 120 milionë nga Banka Botërore.

Në kuadër të këtyre masave, parashihet që Ligji i përmbarimit të pezullohet deri në fund të qershorit, ndërsa shtyrja e kësteve për kredi për qytetarët dhe kompanitë për tre muaj.

Kurse, me pakon e dytë të masave të Qeverisë së RMV-së, fokusi do të vihet në atë që të mos ketë shkurtime të vendeve të punës.
Në kushtet kur kondicioni fiskal mund të pësojë rënie, Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një aksioni ONLINE ,duhet të jetë më e hapur edhe ndaj donatorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët në këto momente vështira mund ta zbusin këtë krizë shëndetësore me “infuzion” financiar.