KRASNIQI: PDK-JA DO TË ANGAZHOHET PËR MBROJTJEN E GRAVE NGA DHUNA

38

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ka thënë se kjo parti do të angazhohet për mbrojtjen e grave nga dhuna.

“Sot shënojmë Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, duke u solidarizuar me kauzën e drejtë për ndërgjegjësimin social, kulturor, politik, kombëtar e ndërkombëtar mbi përgjegjësinë dhe obligimin e pashmangshëm që kemi, në radhë të parë si qytetari e bashkësi njerëzore, e pastaj si shoqëri demokratike dhe e emancipuar, për të parandaluar dhunën mbi çfarëdo baze ndaj grave dhe vajzave”.

“Theksi i kësaj dite është tek eliminimi i dhunës, prandaj i tillë duhet të jetë edhe angazhimi i ynë. Shoqëria kosovare duhet ta luftojë abuzimin e çfarëdolloj që shkon në drejtim të dhunës, mohimit dhe cenimit të të drejtave të grave në shoqërinë tonë.  Partia Demokratike e Kosovës do të angazhohet nga çdo perspektivë, për t’i kontribuar kësaj agjende, në mbrojtje të grave dhe në realizmin pa kompromis të të drejtave të tyre të pamohueshme”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.