Kujtimet e një gazetareje dhe ligjërimet e një dramaturgu

149

Aktivitetet kulturore  i sjellin mërgatës sonë jo vetëm përmbajtjet kulturore si të tilla por, edhe kënaqësitë- spastrimet shpirtërore, të dëshiruara.  Aristoteli,  nja dy mijë e katërqind vjet më parë, kur  fliste për tragjeditë, e definonte  këtë kënaqësi të shkaktuar nga arti si katarsis.

Kohët kanë ndryshuar për të mirë, fatmirësisht,  mirëpo kujtesa kulturore, dashur pa dashur, shumë herë na lidh me tragjizmin kombëtar që jo më larg së 20 vjet më parë  e përjetuam kolektivisht.

Me kulturë gazetarie e ligjërim dramaturgjie, dje nisi në Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi aktiviteti i parë kulturor për muajin nëntor, aktivitet që ndërlidhej me kremtimet për ditën e pavarësisë e festën e flamurit kombëtar. Dramaturgu Haqif Mulliqi e gazetarja Shpresa Mulliqi qenë të ftuar së pari në Danimarkë  në manifestimin tashmë tradicional “Ditët e Kulturës Shqiptare në Danimarkë” e pastaj erdhën edhe në Suedi. Në Qendrën tonë Kulturore u priten nga bashkatdhetarë të shumtë.

Gazetaria në kohë lufte dhe kujtimi në kohë paqeje 

Bashkëbisedimi kulturor zgjati tri orë dhe shtjellohej si retrospektivë kujtimesh për kohën e luftës në Kosovë, si retrospektivë gazetareske e Shpresa Mulliqit mbi  gjithë ato takime me ushtarë shqiptarë, popull e familjen Jashari në Prekaz në prag të betejës së madhe. Kujtimet rrëfeheshin me emocione, me detaje e me shkathtësi tregimtare,  sikur të ishin të shkruara enkas për këtë ditë. Mbi të gjitha, më bënte përshtypje kujdesi i gazetares Mulliqi për mënyrën se si i kishte ruajtur ato kujtime, për mënyrën se si i  rrëfente. Rrëfime  me stil, me peshë emocionale që një herë derdhnin dhembje e herën tjetër shpërthenin krenari. Duke dëgjuar evokimet e saj plot ndjenjë, ne arrinim të projektonim imazhet tona për luftën që e bëmë njëzet vite më parë. Luftë me plot sakrifica që sa herë kujtohet, nderohet e kaluara dhe qartësohet e ardhmja jonë e përbashkët. Një pjesë e diskursit të zonjës Mulliqi lidhej edhe me angazhimin e saj profesional në fushën e shkencave të komunikimit. Të dhënat që paraqiti me projektor, lidheshin me format elektronike të komunikimit të shoqërisë shqiptare sot.

Përmbajtjet mitologjike në ligjërimin e një dramaturgu

Haqif Mulliqi sot është një nga dramaturgët më të botuar dhe më të inskenuar  në dramaturgjinë shqiptare. Filloi punën si gazetar, e brenda gazetarisë çmonte gazetarin hulumtues, tipin e gazetarit që godet me tematikë dhe që shkruan me stil unik. Një libër me vete përbënë koha e hulumtimeve të tij si gazetar, një dramë me vete mund të shkruhet me kujtimet e  Mulliqit për kohën kur ai mbuloi me shkrime betejat çlirimtare anembanë Kosovës.

E ndjekur veçanërisht,  doli  ligjërata e tij për dramaturgjinë tonë. Për llojet e dramës sonë, në kuadër të zhvillimit të letërsisë shqiptare.  Dramaturgjia e mitologjia bashkëjetojnë , si në letërsinë tonë ashtu edhe në letërsinë botërore. Prandaj kanë shkruar vepra aq të bukura dramatike në letërsinë tonë Rexhep Qosja, Tek Dervishi, Beqir Musliu, Ymer Shkreli, Ajri Begu e shumë të tjerë, siç kanë shkruar Jelinek, Beket e të tjerë në letërsinë botërore. Me dramaturgji mund të thuhen gjerat e rëndësishme  shumë më bukur se me cilëndo gjini tjetër letrare- tha  Mulliqi. Pastaj autorit Mulliqi iu shtruan shumë pyetje, të cilave ju përgjigj me kënaqësi .

Dhjetë nëntori  filloi e mbaroi si pasdite e veshur me kulturë, kujtime për gazetarinë e luftës e ligjërime për dramaturgjinë shqiptare.

Qerim Kryeziu