Kur intervistoja një gazetar e kujtoja një Televizion

412

Është thënë prej të shumtëve se telefonimi është si një gjysmë takimi. Është e provuar ndërkohë nga të gjithë se takimet janë të rëndësishme, janë fondamentale për jetën e njeriut. Ndonëse jo fizik, i ngrohtë e i prekshëm, ai i datës 19 dhjetor ishte takim virtual televiziv që derivonte të njëjtat vlera. Të kthente krenar por përmallshëm tridhjetë vite mbrapa në jetën plot ngjarje të Televizionit të dikurshëm të Prishtinës. Përmes video takimit, nga studio e vogël e televizionit shqiptar AlbSe në Suedi, ne kapnim me nostalgji dimensionet kuptimore të një kohe që tashmë ka perënduar. Kohë që e jetuam të dytë, në një kuptim të bukur sa më s´ka, e në anën tjetër, edhe të vështirë sa më s´përshkruhet. Biseda kishte në thjerrëz  kryesisht punën gazetareske të mysafirit Hajriz Mamaj, por edhe veprimtarinë e Programit Arsimor Shkollor të Televizionit të Prishtinës.

Hajriz Mamaj ishte njëri nga redaktorët e këtij Televizioni. Gazetar punon edhe sot, ndonëse tash jashtë atdheut, në mesin e mërgatës sonë të madhe në Gjermani. Mamajn e kujtoja gjithmonë si gazetar që rrinte serbes pranë mikrofonit, që fliste shkoqur e me ëmbëlsi, që i falte zërit një sepal të vetin melodik duke nderuar gjithmonë  si ushtar urdhrin morfologjik e kodin sintaksor të shqipes. Në vitet 80-të, kur isha gjimnazist, e kam takuar në Prishtinë, atëherë kur Mamaj ishte autor dhe moderator i Konkursit Kombëtar të Diturisë për shkollat e mesme në Kosovë. Pak vite më vonë e gjeta në PASH (Programin Arsimor Shkollor) atëherë kur vet fillova të punojë në Televizionin e Prishtinës.

Radiotransmetimet e hershme dhe lindja e TVP-së

Para Luftës së Dytë Botërore në Kosovë kishte përpjekje për të provuar radion si medium kurse gjatë luftës kishim dy radiostacione lokale: Radio Prizrenin dhe Radio Prishtinën. Më 5 shkurt 1945 në Prizren themelohet stacioni i parë profesional në Kosovë me program të rregullt në gjuhën shqipe me emrin Radio Prizreni. Një vit më vonë administrata  qendrore e Kosovës kalon nga Prizreni në Prishtinë, me këtë edhe Radio Prizreni bëhet Radio Prishtinë. Transmetimi televiziv në Kosovë fillon më vonë, përparimi i radiodifuzionit në përgjithësi ishte ngushtë i lidhur me zhvillimet politike që ndodhnin në Jugosllavi.  Në vitin 1966 eliminohet nga skena politike Rankoviqi dhe çmontohet rrjeti regresiv i tij në Kosovë. Për shqiptarët, në këtë kohë nis fuqishëm aspirata kombëtare për liri, flamur, gjuhë e emancipim. Kështu më 26 nëntor 1966, shfaqet në gjuhën shqipe videoja e parë nga studioja e Televizionit të Beogradit. Vite më vonë Kuvendi i Kosovës themelon më 15 maj 1973 Radiotelevizionin e Prishtinës (RTP). Kështu autoriteti më i lartë politik i Kosovës i vë themelet juridike qendrës së vet televizive. Sot pas afro gjysmë shekulli meritojnë një falënderim gjithë ata shqiptarë që nënshkruan atë dokument ligjor mbi të cilin rrinë juridikisht kalaja informative në Kosovë. Më 26 nëntor 1975 Televizioni i Prishtinës fillon transmetimet nga studiot e veta në Prishtinë. Transmetimin e vazhdoi deri në orën 15:15 minuta të datës 5 korrik 1990, atëherë kur policë serb të armatosur hynë si banditë plaçkitës  në studiot e Televizionit, Radios e Rilindjes dhe mbyllen gjithçka në gjuhën shqipe. Me ketë barbari, ata besuan se shuan zërin tonë, fjalën tonë.

RTP-ja ishte shtëpi e madhe informative që u jepte hapësirë edhe pakicave tjera që jetonin në Kosovë. Si e tillë ishte bërë qendër difusive model në Ballkan që respektonte të gjithë.  Radio Televizioni i Prishtinës sot nuk ekziston. Historia e tij po, si histori e përpjekjeve mediatike për ta bërë Kosovën Republikë. Në këtë sens RTP ka simbolikë dhe semantikë të veçantë për shqiptarët në Kosovë. Ajo ishte fillimi, fjala jonë, rrita e konsolidimi ynë mediatik. Ishte pergamena e një vendi të vuajtur në të cilën u shkruan ngjarjet, u ravijëzua e kaluara dhe u projektua e ardhmja.   Në disqet e shiritat e RTK-së janë ruajtur këngët e Pagarushës, Ҫaparit, Gjinalit … janë  strehuar fjalët e poetëve e notat e kompozitorëve. Dhe janë arkivuar përgjithmonë të arriturat tona kulturore, ekonomike e shoqërore.

Programi Arsimor Shkollor (PASH) në kujtesën e një ish redaktori

PASH-i  ishte redaksi e rëndësishme e Televizionit të Prishtinës. Të tillë e gjeta në vjeshtën e vitit 1985, kur nisa të punojë aty. Tri herë në javë transmetonte emisione shkollore nga lëndët gjuhë e letërsi shqipe, histori e gjeografi. Emisionet transmetoheshin të hënave, të mërkurave dhe të premteve.  Bënte gati edhe shumë emisione që lidheshin me lëndët natyrore, që huazoheshin nga qendrat tjera televizive, duke i përkthyer dhe përshtatur në shqip. Vitet 80-të ishin të kapluara me propagandën antishqiptare të Jugosllavisë së kohës. Pas demonstratave të studentëve e punëtorëve shqiptarë  për Kosovën Republikë, gjithçka ishte në shënjestër të sulmeve të fshehta e të hapura policore të Serbisë. Televizioni ishte posaçërisht i vëzhguar. Shumë punëtorë të TVP-së  u burgosen dhe u dënuan nga pushteti okupator. Në periudhën 1982- 1990, Programin Arsimor Shkollor e bënte funksional ky grup i gazetareve dhe i bashkëpunëtorëve: Pelivan Zhuri redaktor përgjegjës i PASH-it, sot jeton në Prishtinë; Faik Kaba redaktor- bashkëpunëtor, sot jeton në Prishtinë; Muharrem Idrizi redaktor-bashkëpunëtor, i vdekur; Izet Jakupi redaktor i  Shkollës Televizive, i vdekur; Adem Salihaj redaktor; Beqir Kelmendi redaktor-bashkëpunëtor, i vdekur; Hajriz Mamaj redaktor-bashkëpunëtor, sot jeton në Gjermani; Sami Islami redaktor- bashkëpunëtor, sot jeton në Londër Bahti  Elshani redaktor- bashkëpunëtor, sot jeton në Prishtinë; Sami Bicaj redaktor- bashkëpunëtor, sot jeton në Gjermani; Xhavit  Azemi redaktor-bashkëpunëtor, sot jeton në Prishtinë; Aziz Hyseni organizator, sot jeton në Gjilan Fetah Kasumi redaktor-bashkëpunëtor, sot jeton në Prishtinë; Islam Salihu lektor, i vdekur; Ferasete  Gashi administratore, sot jeton në Pejë; Kamber Thaçi redaktor-bashkëpunëtor, sot jeton në Zvicër; Jonuz Topojani redaktor-bashkëpunëtor, i vdekur; Arton Skënderi regjisor, sot jeton në Tetovë; Meli Qena regjisore, sot jeton në Prishtinë; Shaqir Sadiku nga Kërcova; Musë Musaj-redaktor-bashkëpunëtor, sot jeton në Prishtinë; Kimete Shkreli; Feriz Kamberi daktilograf; Hava Sutaj, jeton në Amerikë; Hasan Gërguri redaktor- bashkëpunëtor, i  vdekur; Miradije  Cakiqi daktilografe;  Haxhi Dërguti redaktor- bashkëpunëtor, i vdekur; Magbule  Siqani redaktore, sot jeton në Prishtinë; Qerim Kryeziu redaktor-bashkëpunëtor, sot jeton në Suedi; Xhemail Kasumi organizator, sot jeton në Prishtinë; Ryve  Bytyqi pedagoge, sot jeton në Prishtinë. Kërkoj falje nëse kam harruar dikë.

Redaksia e Programit Arsimor, si gjithë të tjerat, punonte nën ethet e ndjekjes që e bënte pushteti i kohës. Ai pushtet etiketonte njerëzit  si nacionalistë e irredentistë pastaj kudo brenda jetës shoqërore e institucionale të vendit i luftonte. S´kishte burgje në territorin e Jugosllavisë se asaj kohe ku nuk gjeje të burgosur shqiptarë. Të syrgjynosur, e të damkosur si armiq  të te ashtuquajturit vëllazërim bashkim e socializmit vetëqeverisës. Televizioni Prishtinës ishte veçanërisht i atakuar. Gjithçka kontrollohej në televizion, secila fjalë, secila shprehje, secila figurë, secila pamje. Qëndresa intelektuale e profesionale e punëtorëve të TVP-së nuk mund të harrohet kurrë. Sepse ishte refuzim i përbashkët qytetar për t´i vë fre furisë shoviniste serbe. Asaj furie që në fund të shekullit njëzet shfaqi plot absurd trajtat e veta tragjike mbi Kosovë e mbi Ballkan.

Sot, tri dekada pas mbylljes armiqësore të RTP-së e meritojnë një falënderim të thekur deri në qiell,  të gjithë ata gazetarë, teknikë, regjisorë, kameramanë e bashkëpunëtorë që punuan dhe u sakrifikuan në vendet e tyre të punës.

Qerim Kryeziu