Kur lë lamtumirën Bilbili

243

Mëngjesi  i sotëm  i shatë frorit agoi me kumtin e trishtë të  vdekjes së Bilbilit, me peshën e mortit  që për një çast ndali frymën e një kombi të terë.

Asnjë lajm tjetër nuk do të vinte më i rëndë, më prekës e më ligështues për kulturën muzikore të popullit tonë sa vdekja e këngëtares Nexhmie Pagarusha. Erdhi në këtë botë 86 vjet më parë, në një ditë maji, si ogur i mirë, siç mund të vije rrallë e përmallë më i veçanti e më bukuri zë i një gruaje shqiptare.

Ishte me fat familja Pagarusha  nga Malisheva që solli në jetë këtë yll, mbeten të  bekuar prindërit Pagarusha që e rriten, e shkolluan dhe ia falen thesarit kulturor shqiptar.

Nexhmie Pagarusha këndoi bukur,  prandaj u quajt Bilbil.

E Bilbili këndoi jo më pak se 170 këngë. Secilën më të bukur se tjetrën.

Të përvajshme kur vuante, epike kur krenohej, të dehur kur kërkohej, e lirike kur gëzohej. 

Asnjë sirenë, asnjë zanë, asnjë divë nuk ia thoshte më bukur, nuk këndonte më ëmbël. Si stinët e motet, si vashat e djemtë, si bjeshkët e gurrat, si bareshat e malet në tekstet e partiturat e këngëve të saj.

Kënga e Nexhmie Pagarushës këndohet vetëm nga ajo por shijohet ëmbëlsisht nga secili shqiptar, nga secili vis, nga secili kënd i Atdheut.

Në ketë kuptim, Ajo jetoi e do të jetojë përgjithmonë në zemrat e miliona shqiptarëve.

Sepse s´kishte fushë që nuk lulëzonte, s´kishte mal që nuk bleronte  kur niste këngën Ajo. 

Sepse nuk do të  ketë zemër që nuk do të  këndojë, nuk do të ketë shpirt që nuk do të gëzojë sa herë do të marrë  këngën Pagarusha.  

Përherë  krenarë me artisten që jo rastësisht i dhanë epitetin e bilbilit, e u shndërrua përgjithmonë në Bilbil të këngës shqipe.

Muzika është një nga arsyet e shumta të ekzistencës se zotit thoshte Gëte dikur. Nexhmie Pagarusha do të mbetët një nga ledhet e ekzistencës së muzikës shqiptare përgjithmonë.

Edhe sikur të rastiste të reduktohej një ditë muzika vetëm në një këngë, atëherë do të ishte “Baresha” që do të riniste si Feniks edhe njëherë mbretërinë e muzikës sonë.

Dhe paçka se sot iku në amshim mbretëresha. Që mbretërisë muzikore shqiptare ia kushtoi jetën për 50 vjet me radhë, i fali emrin e vet e zërin e vet të bukur.  

E paç të lehtë dheun e Pagarushës  e të gjithë mëmëdheut Mbretëreshë!
I falemi Yllit plot dritë e emrit plot lavdi Nexhmie Pagarusha, në emër të Televizionit AlbSe e mërgatës shqiptare në Skandinavi.

Qerim Kryeziu