KURTI: SHQIPËRIA TA MBROJË KOSOVËN NGA SULMET E SERBISË

43

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një takimi sot me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, ka shprehur serish qëndrimin e tij se nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur” kur Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës, nuk ia njeh diplomat, dokumentet e identifikimit, certifikatat e vulat doganore.

Lidhur me dialogun, kryeministri Kurti theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të mbetet në fund, por ajo duhet të jetë në qendër të procesit.

Kurti kërkoi që Shqipëria ta mbrojë Kosovën nga sulmet e Serbisë në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, sidomos ato në të cilat Kosova nuk është anëtare.

Teksa foli për menaxhimin dhe situatën aktuale me pandeminë, kryeministri Kurti tha se gjatë muajit nëntor ka pasur 6 raste të vdekjes së të prekurve me COVID 19, deri tani janë administruar 1 milionë e 612 mijë vaksina, me dy doza janë vaksinuar 57 për qind e të rriturve të moshës mbi 16 vjeç, ndërsa me një dozë mbi 64 për qind.

Kryeministri ritheksoi se sipas parashikimit të Bankës Qendrore të Kosovës do të kemi rritje ekonomike prej 9.9 për qind për vitin 2021, ndërsa ky është viti i parë kur në kanalet zyrtare, remitancat e mërgatës pritet të arrijnë shifrën prej 1 miliard euro.

Duke folur për strehimin e qytetarëve afganë, kryeministri Kurti tha se kemi pranuar 1.341 refugjatë, por aktualisht në Kosovë janë 650 afganë, sepse 691 tashmë janë larguar për në vende të tjera.

Kurti në këtë takim foli edhe për përgatitjet rreth mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së dy vendeve nesër në Elbasan, ku priten të nënshkruhen rreth 15 marrëveshje.

Ndërsa, presidenti Meta e vlerësoi pozitive transparencën në qeverisje dhe shtoi se duhet më shumë bashkëpunim me biznese, që edhe ata të ndjehen pjesë e qeverisjes.