Letër publike kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha nga Arben Vata

147

Kryeministër, mos bëj presion me vizat. 
Kryeopozitar, dërgo në burg Ramën nëse ka prekur zgjedhjet

Zoti Kryeministër!

Lexova letrën e 7 publike që Ju këtë radhë ua drejtonit demokratëve dhe atyre që nuk mendojnë si Ju. Fillimisht dua të them se ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë letra Juaj është më e shkurtër dhe mund të lexohet. (Aq gjatë sa shkruani Ju, z Kryeministër të siguroj se nuk lexon njeri. Megjithatë unë e kuptoj se shkruani gjatë se nuk keni kohë të shkruani shkurt). 
Unë mendoj se letra Juaj meriton një përgjigje për dy momente të saj, ose më fal Zoti Kryeministër, tre mashtrime apo të pa vërteta. 
E para, opozita dhe populli jo partiak ju thonë dilni nga zyra jo se aty duhet të vijë Lulzim Basha, por që aty të vijë një kryeministër që del nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Mund të jeni sërish Ju z Rama personi që mund të vini sërish në pushtet, pas një gare politike dhe ligji të ri zgjedhor që e përgatit një qeveri tjetër me kryeministër po të majtë. Ju thjeshtë do të shkoni nga zyra e kryeministrit në atë të kryetarit të PS. 
Momenti tjetër në këtë çështje ka të bëjë me atë se Opozita nuk po kërkon largimin Tuaj ashtu kot për qejf se u mërzit Luli në Opozitë, por sepse ka raporte ndërkombëtare si dhe përgjime të cilat vërtetojnë implikimin e qeverisë Suaj në vjedhjen e votës. Ju nuk i ndëshkuat njerëzit e tu, duke shtuar edhe më shumë argumentet e opozitës se ju nuk doni të bëni zgjedhje të lira. 
E dyta, ka të bëjë me presionin që Ju i bëni qytetarëve, duke i përmendur ndalimet e hyrje-daljeve në USA dhe BE. Unë jam absolutisht kundër çdo akti dhune z Kryeministër, por ky lloj presioni është i pa precedentë dhe një mashtrim i pa denjë për një Kryeministër. Aq më tepër, kur mundoheni të trembni shqiptarët, duke u thënë se do ta pësoni jo vetëm ju, por edhe familjarët e tyre nëpër botë. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, të parët që do ta pësonit, do ishte qeveria juaj dhe kriminelët e vërtetuar se kanë vënë dorë mbi votën. Megjithatë, uroj që mos të ketë asnjë akt dhune mbi institucionet. 
E fundit, ka të bëjë me atë që Ju thoni e drejta e votës. Edhe Enver Hoxha kishte të sanksionuar me ligj lirinë e votës, por ai nuk lejonte partitë e tjera politike. Të njëjtën gjë po bëni dhe Ju, duke mos i lënë shqiptarët të votojnë lirisht për kë të duan. Përndryshe, është njësoj sikur të votosh për Frontin Demokratik apo Bashkimet Profesionale.

Kurse për Ju, Zoti kryetar i opozitës, Lulzim Basha!

Si shumë e shumë qytetarë të thjeshtë, u kërkoj që të bëni të pa mundurën për të çuar përpara Drejtësisë z Rama dhe këdo tjetër që Ju e abuzoni të lidhur me krimin ndaj votës së lirë, dhe jo vetëm. Nuk mjafton vetëm të thoni se Rama është kreu i krimit dhe më pas ai të shëtisë i lirë rrugëve të Shqiperise apo nëpër botë. Duhet të ikë ajo kohë kur politikanët akuzojnë njeri tjetrin, sa për ti zënë karrigen. Nëse vini në pushtet dhe nuk dëshmoni vullnet për të ndëshkuar këdo që ka abuzuar, duhet ta dini se zhgënjimi dhe inati popullit ndaj Jush do të jetë edhe më i madh.

Arben Vata