Me poetin e DASHURISË Besim Xhelili

348

Emisioni i parë kulturor i Televizionit AlbSe, në këtë fillim viti pati mysafir poetin tetovar që jeton në Vjenë të Austrisë Besim Xhelilin. Një prolog vullnetmirë televiziv, në një kohë të mbërthyer me virus, me besimin se poetët dinë t´i vejnë fre të keqes, arrijnë  t´i qetësojnë furitë. Emisionin e parë në këtë dekadë të re, jo rastësisht e nisa me poetin Besim Xhelili. Qëllimisht e ftova atë, me bindjen se poezia e tij ka një mision, shpreh një mesazh dhe dëshmon një të vërtetë që herë me pavetëdije e herë me pretendim e harrojmë. Të vërteten se vetëm me DASHURI e mundim të keqen, e largojmë urrejtjen, e zbusim pikëllimin. Sepse jeta sado që është e bukur shumë, ajo është e vështirë dhe s’përkëdhel përgjithmonë askënd.

Dashuria –  motiv suprem në jetën dhe veprën e poetit Xhelili

Poezia dhe Dashuria janë binom i pandarë në jetën e Besimit. Tetovar me origjinë dhe krenar për zanafillën e tij, ai sot jeton dhe krijon në Vjenë, në metropolin shekullor të letërsisë së bukur, muzikës së ëmbël  e qytetërimit gjermanofon.  Në Vjenë, nuk e solli dëshira për të emigruar por, vula e turpshme dhe e rëndë e regjimeve antishqiptare të kohës. Si shumë të rinj tjerë shqiptarë me  pamundësi studimi, pune e prosperimi, ai u largua nga Atdheu. Me vete mori kujtimet, me bekimin prindëror mori rrugët, me shpresën që i falte edhe vet emri i tij Besim, nisi jetën e re në tokën e huaj.

Besim Xhelili me Dashuri, ka nisur gjithçka në jetë, veçanërisht në krijimtari. Kur kam lexuar përmbledhjen e tij të fundit “Vragë malli”, të nisur e të përfunduar si një fragment dashurie, kam shkruar në faqen e fundit të librit fjalinë: tek ky poet sikur nuk ekzistuakan motivet tjera. Dhe kisha të drejtë, siç ka të drejtë absolute edhe vet poeti që Dashurinë njerëzore dhe Artin poetik nuk i ndanë dot. Me këtë ndjesi krijuesi dhe me këtë zell shkrimtari, Besim Xhelili ka shkruar dhe ka botuar këto vepra me poezi deri me tash: “Emocione” 1996, “Unë në sytë e tu” 2007, “Baladë e ngrirë” 2012, “Mes luleve dhe lotit” 2013, “Besa” 2016, “Dallgë në zemër” 2016, “Sy të pafajshëm” 2016,“Fragmente të një zemre të dalldisur” 2019, dhe “Vragë malli” 2019. Pa përmendur këtu prozën dhe poezitë e përkthyera në gjuhë të huaja. Në këtë fillim janari 2021 botoi edhe dy përmbledhje poezish në gjermanisht.

Lektisjet e dashurisë dhe elegjitë e mallit, në veprat e B.Xhelilit 

Në librin e parë poetik “Emocione” shpërfaqi formatin e poezisë së viteve nëntëdhjetë. Temën qendrore të këtij vëllimi e pasuroi edhe me motive tjera, si ai social, i atdhedashurisë e i lashtësisë historike kombëtare. Qe në vëllimin e parë i zuri fill lektisja pas dashurisë dhe nuk ju shua kurrë. Me kohën, ajo lektisje u pasurua edhe më shumë, u ndërlikua edhe më tepër, aq sa u bë kod, formulë, enigmë rreth së cilës pastaj edhe nëntë përmbledhje tjera të mëvonshme vallëzojnë. Në rrjedhën e sotme të poezisë shqipe, nuk gjendet edhe një tjetër autor që me kaq gatishmëri, dëshirë e dashuri t´i shkruaj Dashurisë, goditjeve që të jep ajo, lektisjeve që të falë dhe gjendjeve që të shkakton. Në të gjitha përmbledhjet me poezi, Dashuria është motiv suprem, madje edhe kur shkruan prozë. Veprat e tij sikur zbulojnë se për dashurinë nuk ka asnjë alternativë tjetër, përpos të dashurojë edhe më shumë. Në pyetjen e Televizionit AlbSe, sa ndihmon njeriun Dashuria, Xhelili përgjigjet i buzëqeshur: “ku mungon dashuria zë vend urrejtja, pikëllimi, mërzia, dhimbja, indiferenca… të gjitha të këqijat që rrinë përherë gati ta kaplojnë njeriun”.  Kritiku i njohur shqiptar Prend Buzhala thotë se Besim Xhelili është “maestro krijimi” dhe si i tillë i krijimit të dashurisë, shpirtit e ëndrrës. Poezia që ka shkruar e dëshmon këtë por edhe fuqia njerëzore e intelektuale e autorit i përballon këto fenomene. Besimi ka shkruar shumë për Dashurinë, si ndjenjën më të fuqishme njerëzore. Për dallim nga lirikët e mëdhenj botëror që u japin emra të bukur të dashurave të tyre, ky i yni u fal vetëm dy përemra (Ajo/Ti) dhe mijëra epitete, simbole e metafora të shkëlqyera. Në poezinë e Xhelilit heton edhe disponimin elegjiak. Te autorët antik por edhe të mëvonshmit toni elegjiak lidhej me humbjet e njerëzve të dashur e të rëndësishëm, ndërkohë që të Besim Xhelili elegjia korrespondon me shpirtëroren dhe me vlerat e brendshme të dashurisë që i japin kuptim jetës. Besimi nuk ka shkruar elegji që vajtojnë të vdekurit, por elegji që i këndojnë jetës-dashurisë. Disa fjalë-organe trupore veshën me simbolikë e semantikë të veçantë në leksikun e këtij autori. Syri/sytë bie fjala (“Oh sytë e tu fshehin çelësin e pafundësive”) janë sensorët kryesor që kapin jo vetëm kjartësitë por edhe misteret. Sigurisht për shkak të syrit edhe vizualiteti mbetet veçori e poezisë së tij. Xhelili ka mbetur peng i kësaj figure, shumëkuptimësisë së saj, sepse “syri është dritare e shpirtit”- thoshte Shekspiri dikur.  

Librat me poezi të Besimit nuk kanë ndarje të shumta ciklike, zakonisht dy cikle kanë ato. Ndërkohë që në fushën metrike versifikative katrenat e shpeshta me rimë dhe septemat e rralla pa rimë dominojnë. Antiteza është figurë stilistike e pëlqyer dhe e realizuar në poetiken e tij. Ndodh shpesh që në katrena, dy vargjet e para të jenë antiteza të dy vargjeve të radhës. Duke i ballafaquar gjendjet shpirtërore ai ka ndriçuar edhe vlerat e emocioneve njerëzore.

Besim Xhelili, në poezi por, edhe në zemër si në një trezor gjerash të shtrenjta ruan pengjet e dashurisë.

Proza – edhe ajo për dashurinë

Në prozë, ky autor ka shkruar deri më tash një roman me titull interesant, enigmatik e mistik njëkohësisht “1803”. Në të vërtetë, romani përbënë pjesën e parë të  projektit madhor që ka për temë gjithashtu dashurinë. Projekti është menduar nga autori si trilogji romaneske me disa  elemente autobiografike por edhe fiktive. Do të ketë disa rrafshe narrative, peizazhe vendore e  ambiente metropolitane. Sipas shpjegimeve të autorit të dhëna në programin “Kultura në AlbSe”, në trilogji do të përfshihen edhe personazhe reale të botës shqiptare që kanë jetuar e jetojnë në mërgatë por edhe situata e figura fiktive që do të ndihmojnë kompozicionin  voluminoz romanor të projektit. Pjesa e parë e “1803” është botuar në vitin 2016, dy vite më vonë është përkthyer dhe botuar në gjermanisht dhe suedisht. Në gjermanisht e ka përkthyer Kurt Gostentschnning- një albanolog i njohur gjerman kurse në suedisht e ka përkthyer Ullmar Qvick -një albanolog par exelance suedez. Me rastin e promovimit në gjermanisht në një galeri arti shumë të njohur vjeneze, Gostentschnning pati thënë mes tjerash: “në romanin e Xhelilit kam gjetur komplet vetën time”. Nga ky konstatim, njeriu mund të pohojë se Besim Xhelili, trilogjinë e vet e ka konceptuar si një manual/manifest të përgjithshëm mbi Dashurinë, ku secili mund të gjejë veten. Kjo prozë e Xhelilit është promovuar edhe në shumë qendra europiane dhe është pritur me interesim.

Besim Xhelili ishte mysafiri i parë në emisionin kulturor të Televizionin AlbSe për vitin 2021. Ishte moment i bukur, për një orë e gjysmë të pyesje dhe të dëgjoje rrëfimet plot sinqeritet, lirizëm e enigmatikë të këtij autori. Rrëfime interesante, të lidhura me emocionet që i ka dhuruar kryemotivi i jetës e veprës së tij- Dashuria.

Në poezitë e shumta e në prozën e gjerë të këtij shkrimtari, ruhet si në një thesar kujtimesh të shtrenjta e para Dashuri. Apo, Dashuritë e pathëna, të pazbuluara, bukur të përshkruara  por kurrë të emërtuara.  Dashuritë e tij, të mijat e të juajat. Lexojeni, ju lutem!

Qerim Kryeziu