Me studiuesin Mark Palnikaj në studion e televizionit AlbSe

351

Mark Palnikaj është gjurmues i pasionuar i bibliotekave e arkivave perëndimore, kërkues i palodhur i shkrimeve të para shqipe e i ekzistencës së shkollave tona të hershme. Është njohës i letërkëmbimeve të Skënderbeut, kishave e manastirëve ku ai lutej dhe zbulues i vendbanimeve të lashta ilire-shqiptare. Një jetë njeriu e kaloi duke lexuar dokumente të hershme, duke transkriptuar e duke transliteruar akte, epistolarë të vjetër, duke zbardhur relacione sekrete e duke deshifruar dokumente mbi Shqipërinë e çështjen shqiptare. Ndonëse është i doktoruar në shkencën e makinerisë, ai është bërë më shumë i njohur në opinionin e gjerë shqiptar me botimet tij historike. Ka botuar disa vepra në lëmin e inxhinierisë mekanike dhe shumë studime e monografi në lëmin e historiografisë.

Shkrime e botime në lëmin e inxhinierisë mekanike

Marku është doktor i inxhinierisë mekanike. Në këtë lëmi studimore, ai ka shkruar artikuj dhe ka botuar vepra të rëndësishme. Ka bërë edhe punë të rëndësishme në institucionet shkollore/universitare të vendit (edhe në Kosovë) dhe ka drejtuar sektor e ndërmarrje ekonomike shqiptare. Radhisim disa nga botimet e Palnikajt në lëmin e mekanikës: Teori për Lejedrejtim a+b; Lejet e Drejtimit Profesionale C+D+E; Mësoni të Drejtoni automjetin;  Njohuri Transporti dhe Automakinerishë (bashkautor me Kujtim Kastratin); Sinjalet Rrugore dhe Situata në Kryqëzime me Spjegues; Sinjalet Rrugore Memece; Seri me 36 postera teknik 70×100 cm për Autoshkollat dhe Shkollat Profesionale;  Njohuri për Automakineritë; Autronika 1; Program kompjuterik komplet për të gjitha llojet e lejeve  te drejtimit me animacione, filmime me zë dhe me shpjegues;  Softwar diagnostikimi multimarkë për të gjitha tipet e automjeteve të firmës BrainBee. E ftova mysafir në programin kulturor të Televizionit AlbSe, pikërisht për rëndësinë e shkrimeve e botimeve të tij në fushën e studimeve monografike e historiografike shqiptare.

Botimet me karakter historiografik të Mark Palnikajt

Mark Palnikaj është studiues i pasionuar i historisë sonë. I veçantë për një cen kuptimplot, ai është nga të paktet personalitete shqiptare të kohës sonë që pa shkollim përkatës në shkencën e historisë, iu është përveshur studimeve historike. Ai është nga të rrallet studiues që iu është futur pa përtesë kthinave të vjetra e të pluhurosura të arkivave e bibliotekave eminente, për të zbardhur e dokumentuar epokat e hershme të lashtësisë kombëtare. Është dashuria dhe kureshtja intelektuale që e ka shtyrë të studiojë e të botojë një varg  e vistër shkrimesh, artikuj, vepra historike e monografike. Palnikaj modest, preferon ta thërrasim vetëm studiues, ndonëse vlera e kërkimeve e botimeve të tij meriton edhe një gradë shkencore. Deri me tash ka botuar këto punime e libra me karakter historik: “Beqir Ndou për luftën Nacional Çlirimtare në Malësinë e Gjakovës dhe në Kosovë”, Tirane 2011; “Konferenca e Bujanit”, Tiranë 2006; “Tungj Miftari, Bajraktari i Mërturit”, Tiranë 2014; “A mund ti përmirësojmë traditat”, Tiranë 2015; ”PULTI”, Tiranë 2005; “SKËNDERBEU-letërkëmbimi me sulltanët”; “ Klerikë atdhetarë”; “RELACIONE për gjendjen e Shqipërisë në shek. XVII – XVIII” (relacioni i Shtjefën Gasprit dhe relacione të tjera).

Palnikaj ka botuar edhe këta artikuj me temë historike: Burime historike që gjenerojnë prej vitesh gabime, Nacional nr. 317; Kisha e Himarës ka qenë shqiptare, shekuj para se grekët të krijonin shtetin e tyre, Nacional nr. 316;Shkollat dhe shkrimi shqip në Dioqezën e pultit në mesjetë, Nacional nr. 309;Mbi dokumentin e Stefano Gasparit të vitit 1671, Nacional nr. 313; Alberto Crachi, ju tregoi si jetonin malësorët e Dioqezës së Pultit deri në Tropojë, Nacional nr. 298; Mbi mundësinë e një historiku për Nikaj Mërturin, prejardhja e fiseve Nikaj-Mertur, Gazeta Nikaj Merturi nr. 12; Mbi zhvillimin teknik të Nikaj Mërturit, gazeta Nikaj Mërtur, nr. 12; Gjendja e Kelmendit në shekullin e XVII, bazuar në relacionin e Frang Bardhit, në librin Kelmendi në Shekuj; Fadil Hoxha dhe Beqir Ndou për Konferencën e Bujanit, botuar në librin “Fadil Hoxha, një jetë në shërbim të atdheut; Hajdar Dushi – legjendë e qëndresës për çlirimin dhe bashkimin e kombit, botuar në librin “Hajdar (Beg) Dushi, jeta dhe veprimtaria patriotike e heroit të popullit”

Kërkimet arkivore të studiuesit Mark Palnikaj

Palnikaj ka bërë kërkime dokumentesh dorëshkrimesh në Arkivin e Shtetit në Venecia (Archivio di Stato di Venezia), në Arkivin e librave dhe dokumenteve antike në Padova (Biblioteca Antica del Seminario Vescovile di Padova), në Arkivin ASSC (Arkivi Historik dhe Biblioteka Shtëpia e Shenjtë) në Loreto, në Bibliotekën Komunale (Biblioteca Civica “Romolo Spezioli “) në qytetin e Fermos, në APF (Archivio Storico di Propaganda Fide) në Romë, në ARSI (Archivum Romanum Societatis Iesu) në Vatikan, ASV (Archivio Segreto Vaticano), në Bibliotekën Apostolike (Biblioteca Apostolica Vaticana), në Arkivi e Manastirit të Grotaferratës (Archivio monastico dell’Abbazia territoriale di Santa Maria di Grottaferrata), në Arkivin e Shtetit në qytetin e Napolit (Archivio di Stato di Napoli) dhe në BNL, arkivin e Bibliotekës Kombëtare në Napoli (Biblioteca Nazionale di Napoli ). Ka kryer kërkime edhe në AQSH (Arkivi Qendror të Shtetit Shqiptar), në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe në disa arkiva kishtare dioqezane.

Studiuesi Palnikaj hyn e del në këto arkiva pa asnjë problem. Përmes Televizionit AlbSe dëshiron të falënderojë arkivat e lartpërmendura pa dallim për mirëpritjen dhe shërbimin që i kanë ofruar në çdo kohë. Marku lexon e dekodon dokumentet e moçme në italisht e latinisht. Italishtja është gjuhë e punës së tij të cilën Marku e flet dhe shkruan lirshëm, ndërkohë që lexon e kupton edhe në anglisht, frëngjisht e rusisht.

Rrjedhave të emisionit “Kultura në AlbSe” me mysafir studiuesin Palnikaj

Bashkëbisedimin e filluam me opinionin e Palnikajt për rolin historik të mërgatës shqiptare në proceset zhvillimore panshqiptare dikur e sot. Pastaj biseda ndoqi rrjedhën e përcaktuar nga moderatori. Çfarë ruhet në arkivat e bibliotekat italiane për shqiptarët? Atje ruhet e gjithë e kaluara jonë historike, e shkruar dhe e botuar nëpër shekuj. Sipas Palnikajt, në Vatikan ka 817 kilometra dosje të ruajtura në pesë arkiva me gjithsejtë 16,000 dosje e 32 milionë faqe. Në të gjitha arkivat e Vatikanit (Arkivi Sekret i Vatikanit, Arkivi i Propagandës Fide, Arkivi Jezuit, Biblioteka Apostolike (më e njohura në gjithë botën) dhe Radio Vatikanin) ka dokumente për shqiptarët. Duke hulumtuar nëpër këto arkiva gjënë gjurmët e shkrimit shqip dhe fillesat e shkollave të para në gjuhën shqipe në trojet shqiptare. Më 1584 hapet shkolla e parë në Letnicë të Stubllës pastaj më 1632 në Kurbin, më 1675 në  Erioll (e hap Bogdani me mësues Marin Gjinin), në Varazhdin të Kroacisë, e hap dom Pal Zogaj për fëmijët shqiptarë të Kelmendit të shpërngulur atje prej dhunës otomane. Shkollat e para në Shqipëri hapen nga Benedigtinët të cilët edhe kudo nëpër Europë (Itali, Gjermani, Zvicër, Angli etj) hapen shkolla në gjuhët e vendeve përkatëse. Për secilën shkollë shqipe të çelur në Shqipëri ka dokumentacion në Vatikan. Françeskanët  predikimin fetar e bënin në shqipe, në vitin 1636 në fshatin Geghysen (në kishën e Shëngjergjit në Gash) hasim dy françeskanët e parë, njërin klerik e tjetrin mjek. Françeskanët ishin njerëz të sakrificës, spartanë që sakrifikoheshin për komunitetin, sakrifikonin rehatinë e jetës së tyre për besimtarët e vet.

Kolegjin Saverian të Shkodrës e hapen Jezuitët shqiptarë me mbështetjen financiare të Hapsburgëve që ishin dashamirës të shqiptarëve. Një student shqiptar që merrte diplomë në Kolegjin Saverian të Shkodrës mund të regjistrohej në cilin do universitet europiane pa asnjë pengesë. Ky kolegj ishte fidanishte e intelektualizmit shqiptar. Aty studionin të gjithë katolikë e myslimanë pa dallim. Në Saverianin e Shkodrës u shkollua edhe Faik Konica dhe u nis për Europë. Kur mbërrini në Francë ishte aq i ditur sa la pa mend edhe Apolinerin e madh. Edhe studiuesit tjerë shqiptarë me famë, nga bankat e këtij Kolegji kanë dal.

Në Itali, ne shqiptarët kemi pasur Kolegjet tona ku mësonim gjuhën e historinë tonë. Kolegji Ilirik i Loretos që qëndroi 375 vjet hapur (me ndonjë ndërpreje të përkohshme) ka dhënë 124 studentë shqiptarë. Kolegji përpiqej të ndalonte islamizimin e popullsisë autoktone. Kolegji Ilirik i Fermos dhe i Vatikanit kishin gjithashtu shumë studentë shqiptarë. Prej tyre dolën 212 autoritete shqiptare, shumica prej tyre nga Kosova, vetëm nga Hasi nga familjet e fuqishme Bogdani e Mazreku 12 intelektualë atdhetarë.

Palnikaj ka studiuar edhe letërkëmbimin latinisht të Skënderbeut me sulltanët. Letrat e Skënderbeut japin përveç madheshtinë udhëheqëse të kryetrimit tonë edhe fuqinë e Arbrit si shtet. Mbi të gjitha, në ato letra spikatë diplomacia e hollë dhe pasuria shpirtërore intelektuale e Gjergj Kastriotit. Pyetja e fundit drejtuar studiuesit Palnikaj kërkonte opinionin e tij mbi figurën historike të Fadil Hoxhës, meqë Palnikaj ka botuar një libër për kontributin e Beqir Ndout dhe Fadil Hoxhës në Konferencën e Bujanit. Për Fadil Hoxhën duhet një studim më i thellë-thotë Palnikaj. Fadili  ka lënë të shkruara 700 faqe tekst, ato duhen studiuar dhe sipas Mark Palnikajt emri i Fadil Hoxhës ngërthen në vete shumë predispozita që e mbajnë në këmbë përgjithmonë personalitetin historik të këtij gjakovari.

Për mua autor i emisionit “Kultura në AlbSe” bashkëbisedimi me studiuesin Mark Palnikaj ishte shumë i këndshëm. Ai përgjigjej lehtë, ëmbël, me elokuencën e shpjegimeve historike dhe me fuqinë e dokumenteve që kalonte nëpër duar edhe në momentin e transmetimit. Palnikaj të magjeps me dashurinë e tij për zbulimin e fakteve historike në zonën e veriut shqiptar, zonë (sipas tij) e pastudiuar aq sa duhet nga arkeologjia e historia jonë.  Palnikaj të habitë me gatishmërinë e tij për të sakrifikuar edhe pasurinë e vet, edhe kohën e vet,  përhirë të zbardhjes së lashtësisë sonë.

Unë isha i etur t´i shtroja pyetjet, edhe më i uritur t´i dëgjoja përgjigjet.

Përmë shum ndiqeni materialin:

Qerim Kryeziu