Në atelienë e piktorit Shyqri GJURKAJ

93

Shyqri Gjurkaj është lindur në Pejë. Në vendlindje mbaroi shkollën e mesme të artit. Në Sarajevë  përfundoi Akademinë drejtimin e pikturës kurse në Paris thelloi studimet në pikturë.  Gjurkaj është prezantuar me mbi 100 ekspozita të përbashkëta në Europë e Amerikë kurse me 40 ekspozita personale është paraqitur në shtete të ndryshme si në Suedi, Kosovë, Austri, Poloni etj. Sot,  ky piktor shqiptar jeton e vepron në Växjö të Suedisë.  Në Suedi është anëtar i Shoqatës së Artistëve Suedezë kurse në atdhe që moti ishte anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Kosovës.

Piktori Shyqri Gjurkaj është fitues i gjashtë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, mes tyre edhe i çmimit të parë për Pikturë në Kosovë;  çmimit  të parë të Trienales ndërkombëtare në vitin 1981, çmimit të  parë në Bienalin e formatit  të vogël  në Poloni dhe e i shumë shpërblimeve tjera.  Piktura e Shyqri Gjurkës është moderne, disponon  kolorit unik dhe është e pasur me variacione motivesh krejt të veçanta. GURËT dominojnë në tablotë  e tij, gurët  vet rrëfejnë, si subjekte të bukura përrallash,  gati në gjithë krijimtarinë e tij figurative.

Bjeshkët e Pejës, shkëmbinjtë e Atdheut janë relikte malli, lidhje shpirtërore e piktorit me vendlindjen. Gurët, mbeten  sensorë motivues  që e shoqëruan piktorin kudo, edhe në ekzil.  Tradita e tij kulturore dhe ankorimi i mëvonshëm në jetën artistike suedeze e europiane e bëjnë shprehjen e tij figurative unike. Të tillë e vlerësoi përherë edhe kritika suedeze.

Gurët kishin domethënie dikur, edhe sot funksionon semantika e tyre”-thotë  piktori për një medium suedez.   Secili qytetërim kishte  nevojë të dëshmojë vetën. Edhe shtëpitë e para shpella, dekoroheshin dikur me vizatime. Vizatimet  ishin thjeshtë shprehje, gjakim për të lënë gjurmë, në mënyrë që njerëzit  të mos kalojnë pa i hetuar- thotë piktori.  Gurët, janë mjete shprehëse në pikturën e Shyqri Gjurkës.  Janë simbole, vetvetja, kuptime universale, gjuhë me të cilën flet e shtron pyetje. Në shumicën e pikturave te cikleve “Gjurmë në kohë e hapësirë” rreth gurëve zënë vend kujtimet, përmblidhen  historitë e qëndresës kombëtare, rrëfimet kuptimplote që relatojnë  bukur me të kaluarën dhe me artin e kohës sonë.

Gjurkaj është  artist vizionar dhe një kërkues i përhershëm i fshehtësive të universit.  Gjithçka  në pikturën e tij lëshon mesazhe, formulon  pyetje, hap perspektivë.

Në Suedi, thotë autori –“kam gjetur një mbretëri gurësh”. Peizazhet e tij plot gurë, si bie fjala në tablonë “Errësirë mbi të pafajshmit” të kujtojnë luftën, varret masive të shqiptarëve të vrarë. Gurët janë simbolikë dhe dëftojnë fuqishëm qëndresën tonë.    

Tablotë e piktorit shqiptar vijnë si jehonë kulturore e mijëvjeçarit. Ashtu të shtresuara, e të mbushura herë me ngjyra akryl e herë me ngjyra vaj, ato shfaqin peizazhin e brendshëm të shpirtit krijues të piktorit që me ART nderon veten dhe gjithë komunitetin shqiptarë në Suedi.  

Falënderoj xhiruesin e skulptorin Sejdi Zeka për materialin e tij filmik, me të cilin kompletova emisionin e programit Kultura në AlbSe.

Qerim Kryeziu