Një libër monument për fëmijët martirë të Kosovës

111

Në Stockholm u promovua libri më i ri i autorëve Hanëmshahe Ilazi e Nusret Pllana, “Fëmijët martirë të Kosvës 1981-1999”.  Libri përveçse përkujton  1432 fëmijët,  hedh dritë përjetësie edhe  mbi  emrat  e secilit fëmijë martir  të  vrarë nga armiku në Kosovë. Promovimin e organizuan ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë dhe Rrjeti Shqiptaro-Suedez. Ambasadën  tonë  në Stockholm  e drejton diplomatja Shkëndije Geci-Sherifi. Këtë e  dinë të gjithë.  Por, jam i sigurt se të gjithë nuk e dinë se Shkëndije Geci-Sherifi , përveçse diplomate karriere është edhe përkrahëse dhe propaganduese e kulturës sonë brenda komunitetit shqiptaro-suedez .  Kujtoj, mes veprimtarive tjera, aktivitetin e bukur të saj dhe SAN-it për dhënien e titullit Ambasador i Kulturës Shqiptare në Suedi albanologut suedez  Ullmar Qvick.  “Rrjeti Shqiptaro-Suedez”, gjithashtu është log i denjë i shqiptarëve në Stockholm e më gjerë. SAN-i  bashkë organizon me ambasadën tonë aktivitete të shkëlqyeshme kulturore që shqiptarëve  në Suedi  u  bëjnë nder të madh. Përmes emrit të Salih Shalës -kryetar i SAN-it, duhet përshëndetur  të gjithë anëtarët tjerë të  këtij rrejti,  për prezantimin dinjitar të emrit shqiptar në Skandinavi.

“Children martyrs of Kosovo 1981 – 1999”   

Është vepra tjetër kapitale e Dr. Nusret Pllanës për gjenocidin e shkaktuar nga  Serbia në luftën fundit në Kosovë. Në këtë libër dr. Pllana  është bashkautor  me zonjën Hanëmshahe Ilazi e cila nuk ishte e pranishme në këtë promovim.  Ambasadorja Geci-Sherifi nisi promovimin me një minutë  heshtje për të vdekurit në rrënojat e qytetit të Durrësit me rrethinë nga tërmeti fatal që këto ditë u ndali frymën  gjithë shqiptarëve. Ambasadorja tha fjalët e merituara për punën me vlerë të dy autorëve. Ndërkaq për  librin “Children martyrs of Kosovo” (në Stockholm u promovua  varianti anglisht) foli  gazetari veteran i gazetarisë shqiptare në Suedi  Shuquri Sejdiaj.  Sonte, fatkeqësisht nuk  mund të flitet për veçoritë estetike të librit-siç rëndom do të mund të flitej për secilin libër-tha Sejdiaj. Përgjigjja e pyetjes – pse jo estetike, rri në përmbajtjen  mjaft tragjike të  veprës. Tragjikja  e kësaj vepre  nuk është artistike.  Është tragjikë reale, e përjetuar  e popullit tonë në luftën e Kosovës.  

Dr. Nusret Pllana përshëndeti  organizatorët dhe bashkëkombësit  që kishin ardhur në promovim. Pastaj rrëfeu për vullnetin-dëshirën peng të dy autorëve që të përkujtonin  sot me një libër të tillë, e nesër me një obelisk madhështor fëmijët e  vrarë  të Kosovës. Jam shumë i lumtur për botimin -tha autori Pllana, i vetëdijshëm se terrori, masakrat e gjenocidi në Kosovë, ka nevojë për shumë vepra akademike, institucionale e shtetërore. Libri është përuruar në Prishtinë, Mynih , Vjenë, Bruksel dhe sonte në Stockholm. Dhe do të vazhdojë të përurohet edhe në Amerikë, Australi e Afrikë. U shfaq edhe një rrëfim  i shkurtër fotografik e pastaj Dr. Pllana u përgjigj në shumë pyetje të bashkëkombësve.

Për Televizionin AlbSe dhanë opinionet e tyre shumë të pranishëm. Ambasadorja Geci-Sherifi vlerësoi edhe një herë punën e autorëve Ilazi e Pllana dhe bëri të njohur për publikun aktivitetin tjetër të radhës.  Autori Pllana, pavarësisht botimit që kemi sot këtu, mendon se vendi është vonuar me botimin e veprave të tilla. Njëzet vjet  më pas, nuk ka publikime të domosdoshme ku do të argumentoheshin viktimat, fëmijët e vrarë, populli i masakruar. Duke dokumentuar vrasjet e  fëmijëve të pafajshëm luftojmë  harresën dhe njëkohësisht i ofrojmë drejtësisë dëshmi e fakte sepse drejtësia nuk bëhet me supozime.  Salih Shala njoftoi opinionin se më 10 dhjetor,  bashkë me komunitetet tjera që vuajte gjenocidin e Serbisë  do të organizojnë protestë në Stockholm, me rastin e dorëzimit  zyrtar të Nobelit për letërsi shkrimtarit austriak.

Zyrafete Loshaj si koordinatore e Fondacionit “Albana” bëri të ditura përpjekjet e fondacionit dhe të Shoqatës së Nuseve Shqiptare  në Suedi për ndihmat  që po tubojnë (700,000 korona) për të dëmtuarit në tërmetin e 26 nëntorit.  Edhe të intervistuarit e tjerë thanë se libri i sapo promovuar sjellë dokumente shtesë për vrasjet makabre që bëri ushtria e policia serbe në Kosovë.

Ky libër i paraprinë vendimit tashmë të protokolluar të qeverisë sonë  për ndërtimin e obeliskut afër aeroportit ndërkombëtar në  Prishtinë. Atëherë, të obelisku do të kthehemi  shpesh të gjithë,  jo për t´u ligështuar por,  për t´u fuqizuar nga  përkëdheljet  që do t´u bëjmë mermerëve me  emrat e  gdhendur përmbi ,  të  gjithë atyre  fëmijëve  që armiku shekullor  na i këputi në lulen e fëmijërisë.
Dhe për t´i  rikujtuar  vetës e  gjeneratave të ardhshme çmimin e lirisë sonë.
  Një reportazh të zgjeruar për këtë veprimtari përgatiti Televizioni AlbSe.   

Klikoni në linkun tonë për të shikuar reportazhin.

      https://www.youtube.com/watch?v=iXJb7bmhUaE

Qerim Kryeziu