Një poet botëror dhe një prozë e hershme suedeze në shqip

547

 

Qerim Raqi është poet ambicioz, i magjepsur nga poezia që në fëmijëri, i botuar në gazetat e revistat e hershme që në rini. Në Prishtinë ka mbaruar studimet për gjuhë e letërsi, në Prishtinë e Tiranë ka nxjerr përmbledhjet e para me poezi. Njërën prej tyre me titull “Gjak në mallin tim” e botoi në kohën kur në Shtëpinë Botuese “Rilindja” poezinë e redaktonte Ali Podrimja. Teksa jetonte në Kosovë, e teksa lexonte shkrimtarë shqiptarë, habitej me atributin e letërsisë sonë të lidhur ngushtë me emigracionin. I shtronte vetës pyetjen pse vallë letërsia jonë loton kaq shpesh fatet e njerëzve mërgimtarë, pse është konstant ky motiv në subjektet e lirikave e prozave plot mall. Si fëmijë, edhe hidhërohej me pelikanët që ndërronin fole, me dallëndyshet që fluturonin rrugëve pa kthim, me zogjtë që harronin çerdhet e bekimit. Revoltohej sepse nuk i kuptonte dot arsyet e largimit, nuk i deshifronte dot kodet e shpërnguljeve shqiptare. Si i rritur, i mësoj të gjitha, duke i provuar edhe vet. Një ditë, padashur e  pa besuar, mori edhe vet ato rrugë largimi, atë largim që si përmbajtje letrare kur ishte nxënës e urrente, si fat njerëzor e ligështonte.

Sot, Qerim Raqi jeton dhe vepron në Halmstad të Suedisë, nja dymijë e pesëqind kilometra larg vendlindjes, larg Kosovës për të cilën as dje, as sot, as nesër nuk do të pushojë së shkruari.

Dy përkthimet kapitale letrare të Qerim Raqit

Përveçse poet Q. Raqi është edhe përkthyes i pasionuar i letërsisë suedeze në shqip. Në vitin 2019 nxori Antologjinë e Poezisë Suedeze, antologji me njëqind poetët më të mirë që kanë jetuar e vepruar në hapësirën kohore treqind vjeçare në Suedi. Në vitin 2020 edhe dy vepra tjera, njëra vepra e plotë (poezi e prozë) e Tomas Tranströmerit kurse tjetra  vepër historike e Stehpan Zanovichit për Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Vepra për Skënderbeun qe botuar suedisht në Stockholm dyqind e tridhjetë e dy vjet më parë. Qerim Raqi, ka përkthyer në shqip edhe letërsi për fëmijë.

Për të biseduar më gjerësisht me autorin, lidhur me  veprat e tij të përkthyera, unë e ftova në emisionin kulturor të Televizionit AlbSe. Dhe erdhi buzagaz nga Halmstadi në Åstorp ku kemi studion e Televizionit tonë. Të ndrojtur paksa prej grimcave rebele të pandemisë, ne megjithatë e regjistruam bisedën dhe e bëmë gati për transmetim. Një bisedë që filloi për një antologji të çuditshme suedeze, pasi që brenda saj radhit qindra poezi me motivin e vetëm -virusin kurorë me emrin kovid-19. Brenda kësaj antologjie të websajtit të sotëm më të fuqishëm suedez të poezisë “Poeter.se” gjendet edhe poezia e Qerim Raqit e shkruar në prill të vitit 2020 atëherë kur virusi mori dheun. Poezia me titull “Osynlighetens rike” (Mbretëria e të padukshmes) është përzgjedhur nga redaksia suedeze dhe është botuar në faqen 72, në mesin e dyqind poezive sa ka gjithsej përmbledhja.

Vepra KASTRIOTI I MADH I SHQIPËRISË I MBIQUAJTUR SKËNDERBE  e Stephan Zannovichit  

Kjo vepër e Zanovichit, me kuadër historik e me vlera letrare u botua në Stockholm në vitin 1788 nga shtëpia botuese Anders Zetterberg. Vepra erdhi në suedisht si përkthim nga  origjinali në frëngjisht që ishte botuar në Paris një dekadë më herët. Ndërsa në shqip erdhi e përkthyer prej suedishtes nga Q. Raqi, gati dy shekuj e gjysmë më vonë. E botoi shtëpia botuese e Prishtinës “Magjia e Librit” në vitin 2020. Sipas vet përkthyesit, vepra e Zanovichit është mjaftë objektive kundrejt figurës së Kryetrimit tonë dhe kohës në të cilën Skënderbeu jetoi. Libri është e shkruar me dashuri për Skënderbeun, me respekt për shkathtësitë luftarake, politike e diplomatike si dhe me nderim maksimal për figurën njerëzore të Gjergj Kastriotit. Zanovichi ishte autor interesant dhe i njohur në Europë, ashtu siç ishte kontradiktor brenda sjelljeve të veta njerëzore personale. Disa nga veprat e tij (“Opere diverse”, “Poezi”, “Pigmalione”,” Letra turke”, “Fati politik i Polonisë, “Poezia dhe filozofia e një turku” “Kastrioti i madh Shqipërisë”) ishin të njohura në gjuhët e mëdha të Europës, ashtu siç i mbetën të njohura edhe veprimet e antiligjore të dokumentuara në aktet  gjyqësore të disa shteteve në Europë. Në këtë vepër Zanovich flet edhe për letërkëmbimet e Skënderbeut me sulltan Mehmetin e II-të. Një nga këto letra është e shkruar në gjuhën arnaute (thotë autori) dhe dëshmon se letra është e para vitit 1462 që do të thotë edhe para “Formulës së Pagëzimit” të Pal Engjëllit. Dëshmi kjo që lëvizë vjetërsinë e gjuhës sonë edhe më thellë në kohë. Vepra për Skënderbeun e Zanovichit ka vlera të pamohueshme historiko-letrare dhe në kohën kur doli pati jehonë të madhe. Ndërkohë që tek ne ka pasur vlerësime kontradiktore për veprën. Bie fjala Androkli Kostallari e vlerëson veprën për idetë iluministe  kurse Moikom Zeqo thotë se nuk ka vlerë historike, madje duke e vlerësuar edhe si “pamflet të mirëfilltë politik”. Stephan Zanovich, është e vërtetë se ka shfaqur pretendime farefisnore me familjen Kastrioti, siç është e vërtetë që s´ka pasur kurrfarë lidhjesh trashëguese. Zanovich,  duke e njohur reputacionin mirë të familjes Kastrioti nëpër Europë, shpesh herë është përpjekur të përfitojë, të strehohet apo mbështet në emrin plot shkëlqim e nderim të  Gjergj Kastriotit. Përkthyesi Raqi, lexoi fragmente interesante në libër për të dëshmuar përkushtimin e autorit Zanovich ndaj Kastriotit dhe stilin brilant të veprës në përshkrimet e betejave dhe jetës së Kastriotit. Nga leximi kuptohej gjithashtu edhe bukuria e përkthimit në shqip që i bënë Qerim Raqi tekstit në suedisht.

“Enigma e madhe” e nobelistit suedez Tomas Tranströmer në shqip    

Vepra e plotë e Tranströmerit (proza e poezia) u botua nga shtëpia botuese e Tiranës “Aleph” me titull “Enigma e madhe” (Den stora gåtan”) në vitin 2020. Tranströmer është autori i fundit suedez që fitoi çmimin Nobel në vitin 2011. Letërsia suedeze ka gjithsejtë tetë shkrimtarë Nobelistë: Selma Lagerlöf (1858-1940), Verenr von Heidenstam (1859-1940), Erik Axel Karlfeldt (1864-1931), Pär Lagerkvist (1891-1974), Eyvin Jonson (1900-1976). Harry Martinsson (1904-1978) dhe Nelly Sachs (1891-1970). Tranströmer është përkthyer në 60 gjuhë, në mesin e tyre edhe në shqip. Vlera e letërsisë së Tranströmerit është e madhe brenda letërsisë suedeze në veçanti, edhe më madhe brenda letërsisë botërore në përgjithësi. Përmbledhja “Për të gjellët dhe të vdekurit” nga shumë qendra universitare botërore ku studiohet letërsia është cilësuar si libri më i mirë në historinë e lirikës botërore. Tranströmer, ndonëse shkollë poetike në vete, ai ka asimiluar në mënyrë kreative përvojat artistike të poetëve botërorë si Boudleaire, Eliot, Rilke, Elyar e shumë tjerë. Ky gjigant lirik ishte mjeshtër i mendimit poetik, i lidhjes së mendimit me imazhin. Është thënë për `të se nuk i gjendet shoku në gjithë poezinë botërore, për aftësinë që kishte për të shprehur idetë abstrakte në nocione konkrete vizuale. Të Tranströmeri paraqitet hapur dimensioni mistik e transcendental, harmonia mes shpirtërores e natyrës, befasia e papritur  dhe e pritshmja e pa evituar. Në poezinë me vlera të paskajshme por jo të vëllimshme të Tranströmerit (gjithsejtë ka botuar 14 përmbledhje) ndjehet impulsi spiritual, por që nuk është i lidhur me ndonjë teologji të caktuar. Tranströmer nuk ishte praktikues feje ndonëse godinat fetare i pëlqente shumë, kishte lidhje paqësore me Zotin, e lidhje shpirtërore me natyrën. Lidhja aq e natyrshme mes artit të tij poetik e artit të tij muzikor ishte e pashembullt, shumë poezi të tij kanë tituj muzikor, gati të gjitha përmbledhjet e tij kanë brenda vetës muzikë, kompozim, intonime Hajdni, Shuberti e Betoveni. Pas sëmundjes që e pllakosi, ai u përqendrua tek lloji më i shkurtër i lirikës siç është haiku. Edhe këtu shkëlqeu, haikun e pasuroi me figura tjera letrare siç është metafora. Besohej se haiku, për shkak të strukturës së veçantë metrike nuk mund të përballonte metaforën, mirëpo tek Tranströmeri u realizua me sukses, aq sa në Japoni, (ku haiku është kulturë letrare e vendit) u konsiderua si reformues i tij.

Poeti Tranströmer lexohet lehtë, poezia e tij përjetohet thellë. Njohësi dhe përkthyesi tjetër në Suedi i këtij poeti, Shqiptar Oseku thotë së poezia e Tranströmerit nuk të trazon gjatë momentit të leximit por, pasi të mbyllësh kapakët e librave të tij. Kur bën pushimin e mendon për atë që lexove tek Transtromer, atëherë, Ai të vë në lëvizje mendimin, atëherë,  Ai të luan pllakat tektonike të gjykimit. Ja një moment nga poezia “Kartolina të zeza”

                        “Në një pikë të jetës ndodh që vdekja vjen

                          Dhe të merr masat. Vizita

                          harrohet dhe jeta ecën. Por kostumi

                          qepet në heshtje”

Tek pas leximit të shungullon mendimi, të dridh në zemër e të ftohë në shpirt e vërteta e kësaj poezie. Në pesëdhjetë vitet e fundit, nuk ka shkrimtar tjetër në historinë e letërsisë botërore që ka magjepsur me forcën e poezisë  lexuesit sa Tomas Tranströmeri. Ai shkruan: “Zgjimi është një kërcim me parashutë nga ëndrra”, “Ditët- hieroglifë azteke” … kurse te Kujtimet nuk është që i kujton ato por, janë kujtimet që e shohin atë.

Qerim Raqi i ka bërë përkthim dinjitar krijimtarisë komplete të këtij poeti botëror duke ua ofruar bashkëkombësve të vet në shqip. Ne, në Suedi i jemi mirënjohës posaçërisht, sepse  e kthen në shqip këtë gjigant të letërsisë suedeze të lexuar në gjithë botën.

Pas këtij përkthimi në shqip, kemi autoritetin suprem t´u themi miqve suedezë se tashmë njohim shpirtin tuaj poetik, kuptojmë deri në imtësi edhe fshehtësitë e bukuritë e mendimit poetik të Tranströmerit. Falë bukurisë së përkthimit në shqip që i bënë këtij shkrimtari, poeti e mësuesi shqiptar Qerim RAQI.

Për më shum ndiqeni videon e plotë…….
https://www.youtube.com/watch?v=UyOYM8C2GM0

Qerim Kryeziu